Vëzhguesit e brendshëm

Tregim nga Sara Merdanaj

E doja. Ama nuk guxoja ta shihja se nga pasqyrimi i syve të tij dalloja se isha bërë lulëkuqe në fytyrë dhe nga balli, nga maja e hundës e nga tëmthat më nisnin djersët çurgë. Duke fshirë djersët e turpëruar e lija shikimin gjetkë. Po nuk hiqja dorë. Tek e fundit, unë nuk kam ardhur në këtë botë për të mos u dashuruar.Kështu zbrisja nga mendimet e mia dhe nisesha drejt tij. Në një nga këto caste, shpesh i afrohesha kutisë së cigareve, tërhiqja një, e ndizja dhe e thithja aq fortë në mënyrë që kur t’ia lëshoja tymin me hajthshmëri shikimit të tij, ti flisja pa drojë. Me zë thuajse përgjërues i lutesha vetes të isha e qetë. Pak kohë pasi kisha nisur bisedën vura re që ai kish nisur të skuqej. Mendova nga tymi. Por jo, skuqja pasoi në zbërthimin e kopsave të sipërme të këmishës nga ku u dukën dy rrëpila djerse që ndiqnin njëra-tjetrën, gati në të thyer qafën. Teksa vazhdoja dërdëllitjet e mia të trallisura, ai jo vetëm që nuk shqetësohej, por ja kishte ënda t’më dëgjonte edhe më. Kështu i’a ndrroja marshet gojës time, i parë, i dytë, afoljo, kur ja këpusja të gjashtin por çuditërisht makina nuk fikej.Nuk mund t’iua përshkruaj gëzimin që ndjeja në ato caste. Ndërkohë që pinim çaj, provonim disa herë të zhduknim ato njerëzit e ndershëm e të virtytshëm që nuk lejojnë më shumë afrime se ç’duhet në takimet e para.

Një ditë tjetër pasi shëtitëm gjatë nëpër të përpjetat e tatëpjetat e kodrave të liqenit, i afroheshim vendit tonë të gjetur dhe fshiheshim prapa plepave të errëta, duke u puthur në një heshtje kumbuese për veshët tanë. Kur shihja se si më gëzohej mua, sesi i vështronte jetët tona dhe vendet ku do të shkonim, sesi habitej me të papriturat e dridhjeve të mia, sesi kalonte lehtazi buzëqeshje lumturie, trazohesha në shpirt dhe më shtohej edhe më dashuria për të. Ishim më të ngazëllyer se fëmijët që luajnë futboll nëpër rrugicat e brendshme të lagjeve, edhe më të ngazëllyer se ata fëmijët me përparëset e zeza të shkollës që kacafyteshin e rrotulliseshin me shoq-shoqin, në mes të rrugës kur mbaronin orët. Ishim fëmijë gjithsesi, por një lloj i veçantë i tyre. Ishim njerëz në prani të dashurisë, pra më të pastër edhe se fëmijët.

Mirëpo kishte dhe nga ato ditët kur mendja na bëhej rrëmujë. Edhe historia jonë kishte hijet e saj të çuditshme dhe të papëlqyeshme. Mirëpo ato nuk na bënin shumë përshtypje kur i krahasonim me një “çift të lumtur” të qytetit, të cilët nga pozicioni i hijes së tyre, kishin dhe mjegull. Ajo që i falnim njëri-tjetrit, na shpaloste jetën e rëndomtë të njerëzve që na rrethonin. Mësuam të ishim të shtruar e të çlirët, e ndjenim forcën që na krijohej teksa ecnim përkrah turmave në qytet.             Me të, unë provova të gjitha kënaqësitë e shqetësimet që të krijonin bredhjet në shoqërinë e një djaloshi të bukur dhe pa pantallona të rëna. Gjithë kjo vëmendje, vetëm për një burrë që paraqiste praninë time. Isha aty edhe kur nuk isha. I kishim dhënë njëri-tjetrit një ngjyrë që nuk mbaronte kurrë, ngjyrë pasioni jo dosido. E gjitha kjo sepse i dhamë reflex detajeve të jetës sonë, gjë që shumëkush e harron pasi kalon pak vite në çift.

Harron që kur i dashuri është kokëvarur, ta ulësh kokën nën nivelin e tij dhe të shohësh nga poshtë lart sytë e tij, që kështu ai të mund të shohi fytyrën tënde e të buzëqeshë vetvetiu nga përpjekjet e tua. Harron të mos bërtasësh, kur ai nuk ka nerva të të durojë, jo ty, por se është vrarë dikun tjetër.Harron ti drejtohesh buzagaz, se cili është gatimi që ai dëshiron sot.Harron ti kujtosh, se gjithë dëftesat e tij, nuk do shkojnë kot kur ngelet i papunë.Me pak fjalë, harron ta vlerësosh. E vetmja gjë që nuk e harruam kurrë. Të vlerësohemi pavarësisht gabimeve tona. Siç ka thënë dhe Balzaku: “Detajet i bëjnë gjërat e mëdha”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *