“Vajzat e gëzimit” në Antikitet

Nga Luan Rama

Erosi, erotizmi, pothuaj gjatë një shekulli kanë qënë një nga debatet më pasionante të shoqërisë perëndimore. Jo pse ky debat nuk ekzistonte më parë, por sepse me çlirimin e shoqërisë njerëzore nga dogmat dhe normat e ngushta, me emancipimin e saj, me vitet 60’ dhe lëvizjen e «çlirimit seksual», ky debat u bë mbarëshoqëror, duke përfshirë jo vetëm filozofët moderne, artistët, elitën intelektuale, por edhe shoqata e fondacione të ndryshme, vetë sferën publike. Sigurisht, erosi dhe erotizmi, për të cilin shkruajtën aq shumë George Bataille, Anais Nin, Pasolini, etj, apo që i thurrën himn përmes artit si, Courbet, Klimt, Picasso, Margerit, etj, nuk ishin një zbulim i ri, një shpikje e re, pasi ato ishin të lashta sa bota. Në fund të fundit, shumë pak e dallonte kohën moderne nga ajo antike, përsa i përkiste sensuales, erotikës, seksualitetit dhe botës së inkoshiencës që u përpoq të shpjegonte Frojdi me kompleksin e Edipit, apo post-frojdistët, etj. Duke iu rikthyer Erosit në kohën antike, pikaset menjëherë se himnet e dashurisë janë po aq të fuqishme sa dhe ato të kohrave moderne, dhe po kështu dhe seksualiteti që është pjesë e pandashme dhe tepër e qënësishme e ekzistencës njerëzore. Ishte pikërisht dashuria e Parisit për Helenën që shkaktoi një nga luftrat më tragjike të atyre kohrave: betejën e Trojës. Troja u rrethua për dhjetë vjet që Helena e bukur të rrëmbehej patjetër. Në poemat e Homerit të shekullit IX p.e.s., himnet e dashurisë janë magjepse. Po kështu dhe Sofokliu i këndonte me zjarr dashurisë: «Asnjë i pavdekshëm nuk ka mundur të mos bjerë nën hiret e tua/ As dhe një i vdekshëm…» Në veprën e tij Teogonia, Hesiodi, duke shkruar për krijimin e botës, n’a kujton se në fillim u krijua Kaosi, e përjetshmja, pastaj Toka (Gaia) dhe Dashuria (Erosi).

Dy «Afërditat»

Në veprën e tij Banketi, Platoni shkruan për Sokratin, i cili u fliste bashkëbiseduesve të tij për kultin e dashurisë, por ai theksonte se bëhet fjalë për dashurinë e dy Afërditave: ajo e dashurisë «vulgare», pra trupore, që quhej Afërdita «Pandermos», dhe ajo e dashurisë shpirtërore, e quajtur Afërdita «Uranie». Sokrati thoshte gjithashtu se Erosi ishte një nga zotërit më të vetër të botës, se fjala «ero» në greqishten e vjetër, nënkuptonte «të duash diçka me gjithë shpirt ». Ai i kushtonte një vënd shumë të rëndësishëm dashurisë fizike, por e dënonte atë kur ajo bëhej një pasion që e bënte tjetrin të humbte arsyen dhe lirinë e shpirtit.

Mitologjia e botës antike, e Greqisë së vjetër dhe e Romës, por dhe e qytetërimeve më të vjetra, mesopotamase, egjiptiane, etj, është e pasur me këtë botë ndjenjash e trazirash, që përbëjnë në fund të fundit vetë njeriun, qënien me konvulsionet kontradiktore, aq mirë të shprehura nga Frojdi në fillimin e shekullit XX. Që ti afrohej Uda-s, e cila e kishte tërhequr aq shumë, Zeusi u shndrua në një mjellmë, çka shihet në shumë nga afresket e Antikitetit. Njëherë tjetër ai u shndrua në një shi të artë, në mënyrë që të futej deri në shpellën ku ishte strukur Danae. Më vonë përmëndet miti i shndrimit të Zeusit në dem, që shkoi të rrëmbente Europa-n. Në epopenë e Gilgameshit këndohet dhe për prostitutën Shamhat (E gëzuara), e cila arrin ta zbusë përbindëshin Enkiden, të krijuar nga perënditë për të ndëshkuar Gilgameshin.

Që nga koha pagane, për nder të pararendëses së Venusit, romakët organizonin festën-paradë të prostitutave që quhej «Vinalia». Ndërsa në festën tjetër «Floralia», ato parakalonin nudo, duke bërë skena erotike. Në shekullin e XIX, në zbulimet arkeologjike në qytezën e Pompeit, u gjetën afreske me skena erotike dhe stile seksuale që emërtoheshin si «kali i Hektorit», «Venusi akrobatik» apo «more canino» (si lepujt), që tregojnë se asgjë s’ka ndryshuar në këtë drejtim që nga koha antike e festave të Dionisit e gjer në shekullin e XXI. Pompei mishërohej si «Venus fisica», pra Venusi natyrist apo i nuditetit. Atëherë në Romë njiheshin shtëpitë e famshme si «Shtëpia e Murit të Kuq», «Shtëpia e Njëqindvjeçarit», «Shtëpia Epigrammes» apo «Shtëpia Vettii». Në vitin 1860, u zbulua në Pompei dhe një «lupanar» (bordello), me disa dhoma të ngushta rradhazi, ku ishin krevatet dhe një ballkon. Në mure ishin ende emrat e prostitutave të njohura si Aegle, Maria, Smyrna, etj, dhe lart, mbi krevatet e tyre gjëndeshin afreske me skena erotike për të grishur klientët. Një nga shëmbujt më të vjetër që lidhen me lirinë seksuale e përmënd dhe historiani i madh grek Herodoti, i shekullit V, p.e.s., i cili shkruan dhe «për një nga ligjet më të turpshme të Babilonisë, ku gratë e vëndit detyroheshin që një herë në vit në shkonin larg në tempullin e Afërditës, për t’iu dhënë një të panjohur në rrethinat e tempullit. Ato që ishin gra të mira, ktheheshin menjëherë pas këtij pelegrinazhi përkushtimi, por kishte nga ato që ktheheshin pas 3-4 vjetësh, apo nga ato që harronin dhe nuk ktheheshin fare.

Ky profesion i vjetër sa bota

Që nga tekstet e Mesopotamisë, duke vazhduar me tekstet e vjetra egjiptiane, biblike, latine, fenikase e greke, kudo gjen dëshmitë e prostitucionit si një profesion herë i pranuar dhe herë i përbuzur i shoqërisë njerëzore të asaj epoke. Megjithatë, grekët e preferonin nudon dhe pikërisht kjo i bënte ata që ta dallonin veten nga “barbarët”, siç thonin ata. Herodoti thoshte se “për barbarët, të jesh i xhveshur, është turp i madh”. Sipas Tuqididhit, spartanët ishin të parët që u shfaqën nudo, ndërsa Platnoi shkruan se të parët ishin kretasit. Duke vështruar vazot e Antikitetit grek, jo rrallë ndeshesh me Zeusin apo Apollonin të shfaqur nudo, ndryshe nga hyjneshat si Hera, Artemisi, Athina të cilat i gjejmë të veshura. Vetëm me Afërditën filloi ekzaltimi i nudos femërore dhe femra bëhet më tokësore, më sensuale. Nuk dihet ekzaktësisht se kur u hapën për herë të parë bordellot publike. Disa historianë ia dedikojnë këtë Solonit, të shekullit VI.p.e.s.. «Duke parë njerëz që kishin impulsione të pakontrolluara, – shkruan një kronist i kohës, – ai bleu femra dhe i vendosi në një vend të posaçëm që të kënaqeshin të gjithë». Me këtë, ai donte ta shmangte tradhëtinë bashkëshortore, duke lejuar në të njëjtën kohë lirinë seksuale. Këto bordello antike quheshin «logis», «shtëpi prostituimi», «ateliere», «pediskia» apo « diktiria», ku mblidheshin femra skllave apo të huaja, të veshura me rroba transparente dhe që gjysëm lakuriq prisnin klientët e tyre. Por kronistët shkruajnë dhe për Xenarkun, i cili kishte krijuar një bordello të këndshme. «Djemtë mund të gjenin aty vajza me gjinjtë jashtë, në rradhë, ku mund të zgjidhnin kë të donin, vajza të dobëta apo të shëndosha, të vogla apo më të moshuara». Topografia e bordellove në këtë kohë ishte sipas topografisë urbane: ato më të mirat, ishin në qëndër të qytetit, ndërsa më mjeranet dhe të “pistat”, siç i cilësonin ato, ishin në periferi të qytetit, në Via Sacra apo gjer në Via Appia, që dilte nga qyteti, atje ku ishin dhe varrezat. Historiani Suetone, i shekullit II,p.e.s., tregon një anekdote për perandorin Caligula (vitet 37-41, p.e.s.), i cili kishte hapur në Palatin një bordello ku rekrutoheshin vajzat e shoqërisë së lartë. Mesalina, gruaja e perandorit Claud, (vdekur në vitin 48), ishte një prostitute e njohur. Satiristi Juvenal tregon në shkrimet e tij se “kur perandori flinte, ajo ngrihej dhe e maskuar me një paruke bjonde, nisej drejt bordellos ku ajo xhvishej nudo. Pseudonimi i saj ishte “Lycisca” që do të thoshte “ulkonja”. Gjithë natën ajo e kalonte me një tabor meshkujsh që i shfaqeshin aty dhe e pagonin, dhe ishte e fundit që e mbyllte portën e asaj shtëpie. Më së fundi, e lodhur dhe me qepallat e rëna, ajo kthehej drejt pallatit”. Kronistët shkruajnë se e tillë ishte dhe vajza e perandorit August. Perandori August ishte i pari që bëri regjistrimin e prostitutave, ndërkohë që Caligula ishte i pari që vuri një lloj takse mbi fitimin, taksë të cilën e kanë sot dhe patronet e bordellove moderne në Amerikë, Londër, Amsterdam, apo Berlin ku janë të famshmet “Qëndra Eros”. Kështu në këtë periudhë  të Antikitetit u fut dhe terminologjia e re që kishte të bënte me këto «vajza të gëzuara» që prostituoheshin. Në gjuhën latine ato u quajtën «pute», që rridhte nga fjala «putidus» që do të thoshte e “pisët”. Në gjuhën akadiene cilësoheshin «vajzat e gëzimit». Në greqishten e vjetër përcaktimi i tyre rridhte nga fjala «pernemi», që do të thoshte me shit. Madje këndej vjen dhe fjala e mëvonëshme «porno» apo pornografi. Por grekët e lashtë i quanin ato dhe «hetere». Ato ishin femra beqare e të lira. Straboni shkruan se në Korint ekzistonin në atë kohë rreth 1000 prostituta të tilla. Korinti ishte port, ku zbarkonin marinarët e tregëtarët, dhe qyteti gëlonte nga këto “hetere”. Një pjesë e mirë e prostitutave greke apo romake bliheshin si skllave, pikërisht për këto “shtëpi gëzimi”. Në një kronikë flitet për patronen e një “shtëpie” të tillë, e cila kishte blerë 7 vajza njëherësh, mes të cilave dhe Néera, që më vonë do të bëhej e dashura e Demostenit.

Në Greqinë e lashtë kishte dhe vajza që virgjërinë e tyre ia kushtonin tempullit të Afërditës. Ato prostituoheshin pranë tempullit dhe quheshin prostituta “të shenjta”, pasi nuk pranonin pagesë dhe se gjithçka e bënin që virgjërinë ti a përkushtonin hyjnisë së tyre, Afërditës.

Një nga kultet më të përhapura në këtë kohë ishte kulti i “fallusit”, apo i penisit, i cili gjëndet në shumë nga zbulimet arkeologjike të antikitetit. Ishte një kult që familjet e banorët përgjëroheshin publikisht, pasi me të ishte e lidhur proçesi i pjellorisë. Në një ditë të vitit organizoheshin ceremoni festive për nder të “fallusit”, ku tempulli i tij, një penis i stërmadh, mbulohej nga kurorat e grave. Statujat për ato nuk ishin gjëra të turpshme.

Heteret e famshme

Në kohën e Antikitetit, në “polisin” grek të qytezës demokratike, njihen shumë “hetere” që ishin të dashurat e njerëzve të mëdhenj, e politikanëve dhe filozofëve, e artistëve dhe kronistëve të njohur. Një nga më të bukurat ishte Phyrne, e dashura e skulptorit të madh Praksiteli, i cili shpesh herë statujës në mermer të Afërditës i dha linjat dhe tiparet e Phyrne-së, e cila ishte modelja e tij. Aktori dhe komediani i njohur Meneandre kishte hetere-n e tij të quajtur Glikere; poeti Difile kishte të dashurën e tij Gnatene; filozofi Epikur ishte i lidhur me Leontinën e bukur; politikani athinas Alcibiade, i cili ishte njëkohësisht dhe një prijës e strateg ushtarak, kishte hetere-n e tij Laida, ndërsa oratori Hiperid, mbante pas vetes gjithnjë hetere-n Mirina. Lucieni, ky historian dhe shkrimtar i shekullit II p.e.s., shkruante se “Heteret, ato më të shëmtuarat, visheshin me rroba të kuqe dhe qafën e zbukuronin me gjëra të arta, sepse kështu, përmes shkëlqimit dhe lluksit, ato fshihnin shëmtimin e tyre. Ato mendonin se krahët e tyre do të ishin më të bukura po ti mbulonin me xhevahire; se këmbët do ti kishin më të bukura po të vishnin këpucë të arta dhe se fytyra do t’u ishte më e hijshme, po të vinin zbukurime”. Hetere të famshme të kësaj kohe ishin dhe Aspasia, e dashura e Perikliut, për të cilën thonin se ishte shumë e kulturuar. Perikliu jetoi me të deri sa vdiq dhe pati një fëmijë. Aristoti, nga ana e tij, pas vdekjes së gruas, u lidh me një hetere të quajtur Erpilida, me të cilën pati një djalë. Edhe Themistokliu, luftëtari i famshëm i betejës së Salaminës, ishte biri i një qytetari Salaminas dhe i një hetere nga Thraka, e cila quhej Avrotone. Gjenerali Timothea, i biri të famshmit Conon, i cili kishte patur për nënë një hetere, thoshte se “I jam mirënjohës nënës time që më bëri për baba prijësin Conon».

Në atë kohë «hetere»-t qarkullonin të lira nëpër qytet. Ato dilnin në rrugë, shkonin në teatër, tek tempulli i Afërditës, në agora (pazar) dhe banjot termale, ndryshe nga femrat e respektuara që qëndronin në shtëpi. Shpesh ato mbanin dhe sandale me gozhdë, që të linin gjurmë kur ecnin. Ishin si të thuash shenja erotike që të grishnin: “Eja, ndiqmëni nga pas!” Kur pëlqenin ndonjë mashkull në rrugë, hetere-t u hidhnin atyre nga një mollë, shenjë kjo se kishin dëshirë të flirtonin së bashku. Dhe ky profesion trashëgohej nga nëna tek bija. Por nga hetere-t më të bukura mbahet padyshim Phyrne-ja, emri i vërtetë i së cilës ishte Minesarete, që do të thoshte “ajo që kujtohet për virtutin”. Por më pas u quajt Phyrne, për shkak të zbehtësisë së lëkurës së saj. Phyrne ishte modeli i Praksitelit dhe e dashura e tij. Ajo fitoi shumë para dhe u bë e pasur. Kur Aleksandri i Madh shkatërroi Tebën në vitin 335 p.e.s., ajo iu tha tebianëve “Me paratë e mia unë ja u ndërtoj Tebën përsëri, por me kusht që në hyrje të qytetit të vihet mbishkrimi: Aleksandri i Madh n’a shkatërroi, por heter-ja Phyrne n’a e rindërtoi atë”. Nga frika se gratë e tyre mund të merrnin shëmbullin e Phyrne-së, burrat tebianë nuk e pranuan ofertën e saj dhe Teba mbeti e shkatërruar. Letërsia latine është e pasur me historitë e prostitutave të kohës romake. Një nga to është Satyricon, romani i famshëm që frymëzoi regjisorin Federico Fellini për filmin me të njëjtin titull. Këtë roman thonë se e ka shkruar Petrone. Në qëndër është historia e Encolpe-s, i cili tregon aventurat e tij në kohën e perandorit Neron, ashtu si më vonë Bokaçio do të tregonte aventura seksuale në Dekameroni-n e tij.

Prostitucioni dhe nuditeti duket se do të lulëzojnë gjer në shekujt e parë të kristianizmit, për të ndaluar më pas, shekullin XI-XII, kohë kur Evropa filloi të pajisej gradualisht me një korpus juridik. Pikërisht atëherë filluan që në Siena të Italisë, sipas këtij kodi, homoseksualët të vareshin nga herdhet (koqet). Që nga ajo kohë, prostitucioni dhe nuditeti femëror do të kalonin periudha herë të zymta e herë më libertine, si në kohën e Kazanovës, edhe pse prostitucioni asnjëherë nuk do të zhdukej. Mesjeta dëshmon qartë se edhe pse Inkuizicioni u tregua nga më barbarët ndaj lirisë njerëzore, përsëri prostitucioni do të ekzistonte në forma të tjera, klandestine dhe për shtresa të caktuara, për të përvijuar më pas gjer në ditët tona, ku edhe pse kodet morale janë të forta, përsëri ekziston një “tregëti seksi”, një tregti që të kujton se gjithçka i ka rrënjët që në kohëra të largëta. Interesant dhe domethënëse është dhe një nga historitë e shekullit XX, kur Papa Pavli VI kërkoi që figurat nudo dhe sensuale në kubenë e Sikstinës të visheshin me rroba. Dhe me këtë mision u caktua një piktor i rëndomtë i quajtur Danielle de Volterra. Por shpejt atë e quajtën «bragetiero», meqë ai tentoi tu vishte të mbathura pikturave të shenjta.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *