Televizori, përfaqësues kryesor i dowtime-it, sipas psikanalistit e filozofit James Hillman

Nga Islam BALAJ

Gjenitë, siç dihet, janë kategori e veçantë e njerëzve, të cilët me gjenialitetin e tyre arrijnë ta zbërthejnë esencën e diçkaje që njerëzit e thjeshtë nuk janë në gjendje ta bëjnë. I tillë është edhe psikanalisti, filozofi e intelektuali bashkëkohor amerikan me origjinë austriake, James Hillman.                                                                                     James Hillman-i është njëri prej mendimtarëve të paktë që ka një formim kosmopolit, i cili arriti, siç shkruan Silvia Ronchey: “t’i revolucionarizojë konceptet tona, mënyrën tonë të të ekzistuarit, këtë botë”. Ai me gjithë mend, arriti t’i shemb paragjykimet dhe t’i japi botës kuptim të ri. James Hillmani studjoi në Sorbonë dhe në Dublin. Qe student i Jung-ut, e disa vjet dhe drejtues i Institutit JungianZyrich. Ligjëroi në disa universitete më të rëndësishme amerikane. Ose më saktë, profesioni i tij është: mendimtar kosmopolit. i cili siç thuhet, na mëson si të ecim në krahun e kundërt të rrymës së të tjerëve. Ai merret me psikanalizë për shumë vite. Është cilësuar si njëri prej shëruesve shpirtëror më të vërtetë dhe më të thellë të epokës sime”, shkruan njëri nga kritikët e librit të tij: ” Kodi i shpirtit”. Disa e konsiderojnë dhe si pasardhës të denjë të Friedrich Nietzsche-s. Ai shtron teza sa të çuditshme, po aq dhe të frikshme që e drithërojnë e njeriun. Krahsohet me Sokratin, por nuk është Sokrati vetë. “Është një perëndimor skeptik e ikonoklast”, shkruan Silvia Ronchey. Librat e tij si: Anima mundi” (“Shpirti i botës”)“ Ese mbi Panin”, Miti i Analizës” “Shpirti”, “Puer Aeternus” , “Kodi i shpirtit” etj. patën një jehonë të  jashtëzakonshme në gjithë botën shkencore – filozofike e intelektuale.

Shpirti si ndërgjegje hermetike

Merita e tij më e madhe qëndron në faktin se ai e vuri në qendër të psikologjisë, mendimin bashkëkohor të idesë së lashtë e universale, por tashmë të braktisur dhe të harruar, idenë mbi shpirtin. Sipas tij, detyrë e psikologjisë është gjetja e një logosi për psikikën, si dhe krijimi i një kodi për shpirtin, i “një pasqyre të qartë të vetvetes”.                                                                                                      J.Hillman-i e sheh shpirtin si një “ndërgjegje hermetike”, element të tretë në mes perspektivave të trupit dhe atyre të mendjes. Pra, sipas tij, “Shpirti është më tepër perspektivë, sesa substancë, më shumë pikë vështrimi mbi gjërat sesa një gjë në vetvete”. Ai gjithashtu flet edhe për marksizmin si terapi mbi botën, ku ekonomistët sipas tij, po e luajnë atë rol që dikur e luanin princërit apo priftërinjtë. Ndërsa natyrën ai e sheh si “oganizëm të gjallë, i shpirtëzuar, komunikues”. J. Hillman-i, në librat e tij, nuk e lë pa folur edhe për rëndësinë e ndjenjës së irealitetit. Ai në librin e tij të njohur “Anima mundi” (“Shpirti i botës) thekson se duart nuk na lidhin drejtpërdrejtë me botën materiale: shtypim taste, nuk e përdorim krejt trupin tonë kur punojmë, as kur bëhet fjalë për një punë mekanike. Për më tepër, thekson ai, puna është gishtëruar, është bërë gishtore. Në Amerikë e tashmë edhe në Europë, edhe kur e nisim një automobil, ndërrimi i marsheve në të shumtën e rasteve është automatik. Në këtë mënyrë po largohemi për herë e më shumë prej materies, prej substancës. Lidhjet e gjakut, raporti me trupin, lidhjet e detyrimeve të ndryshme janë copëzuar. Tashmë janë krijuar lidhje të ndryshme virtuale, me emrin: “net working”, por këto rrjete na lidhin veçse me qenie pa trup. Kjo është arsyeja, sipas tij, pse shkojmë për pushime në vende të egra, me natyrë të virgjër. Sepse kemi nevojë të rigjejmë trupin tonë. Pra, çdo progres, sipas tij, humb: zhdërvjelltësinë e duarve, traditat kulturore, dashurinë, historinë etj. Rreziku, sipas tij, qëndron në atë çka disa e quajnë injorancë e re, e cila po përhapet me një shpejtësi marramendëse në botën bashkëkohore, por këtu, do theksuar se nuk është fjala për analfabetizmin. Që do të thotë se rreziku qëndron pikërisht në humbjen e pikave referuese (busollës) serioze e shkaktuar nga asgjë tjetër, veçse nga një pseudokulturë, e cila fatkeqësisht, po i mëson masat me banalitetin, duke ia dorëzuar kështu të gatshme demagogjisë dhe populizmit. Sipas tij, pjesa më e madhe e lidhjeve tona janë këputur. Në Shtetet e Bashkuara, (duke mos e përjashtuar Europën) në një klasë nxënësish pesëmbëdhjetëvjeçarë, ta zëmë, nuk do të gjejmë aty asgjë të përbashkët që i lidh ata. Që do të thotë se të rinjtë e kësaj moshe (adoleshentët), sipas tij, nuk i lidh asgjë, përveçse Madonës përshëmbull, e ndonjë tjetre të ngjashme me të. Por me kalimin e kohës, edhe atë do ta harrojnë. Ata nuk e dinë se kush qe Romeo e Zhulieta, as kush qe Napoleoni, dhe as Neroni, apo edhe Çezari, por dhe as cili qe shkaku i luftës së madhe civile në Amerikë. Me këtë J. Hillman-i na bën me dije se asnjëri prej nxënësve (te kësaj moshe)në një klasë, nuk e ka një pikë të përbashkët referimi me tjetrin, madje as për Jezu Krishtin, (figurë kjo hyjnore e përbashkët për shumë kultura të ndryshme). Kjo mungesë e përbashkët e kujtesës, sipas tij, lë shenja padyshim mbi ndjesinë shoqërore. Atëherë pyetjet lindin natyrshëm njëra pas tjetrës: çfarë dinë dhe sa kuptojnë vërtet ata? A thua vallë kanë ndonjë dëshirë psh. për ritualet, për bukurinë në përgjithësi, apo për muzikën, e madje edhe ndjenja për tjetrin? E kur këta faktorë shoqërues copëzohen, pyet J. Hillman-i, atëherë si vepron psikika për t’i gjetur ata? (Ato figura emblematike që e mbajnë në këmbë një normë). Prej kryetarëve populistë të lëvizjes së masave?! – pyet Hillman-i. Po kjo, a nuk është shfaqje i një fashizmi të ri? Ne natyrisht, nuk mund të ndalemi me kaq, pa përmendur edhe mjaft gjëra të tjera. Mirëpo, ajo që ka më shumë rëndësi, do të ishte mbrojtja e disa miteve të cilët zënë vend të rëndësishëm në histori. Ndaj fare natyrshëm lind pyetja: a nuk janë vallë ata (të rinjtë) tani në rrezik?! Veç të tjerash, në këtë fundshekull, vihet re se të rinjtë, marrë parasysh të gjitha dukuritë negative që po ndodhin, si psh. përdorimi i drogave të forta, garat e çmendura me automobila, (sidomos pas daljes nga diskotekat e ndryshme) etj. të shpie në konkluzione të ndryshme. D.m.th. se sjelljet e tilla të të rinjve, të krijojnë përshtypjen se ata po kërkojnë ta shkatërrojnë veten, Mirëpo J. Hillman-i, në librin e tij: Vetëvrasja dhe shpirti”, jep shpjegime të çuditshme lidhur me këto fenomene. Sido që ato të shpjegohen, thekson J. Hillman-i, ajo që bëjnë ata, është në mënyrën e tyre, thekson ai, të jenë kaq energjikë. Pra, vetë mosha e tyre bën që ata të jenë kaq të furishëm (aventurierë). Dhe kjo nuk po ndodh vetëm tani. Pra, nuk është një dukuri bashkëkohore, sepse një gjë e tillë ka ndodhur edhe më përpara, që në fillim të fillimeve, siç thotë ai. Persefoni donte të zbriste në botën e hijeve. Hipoliti e Fetoni gjithashtu me koçitë e tyre vrapuan drejt Diellit, ndërsa Ikari vdiq. Që do të thotë se të rinjtë e përqafojnë fortë dëshirën për rrezikun, aventurën, shkruan J. Hillman-i, për të depërtuar errësirën, misterin, qytetin, natën, një dëshirë që është e fortë dhe e lashtë. Pra, s’bëhet fjalë vetëm për sot. Gjithashut kjo, sipas tij, nuk ndodh vetëm me të rinjtë, sepse një gjë të tillë e hasim edhe tek politikanët, te funksionarët e institucioneve. Madje dhe tek të moshuarit. Pra, jo vetëm tek të rinjtë. Apo kurrsesi tek të rinjtë. Shtetet e Bashkuara siç dihet, janë vendi të cilit ai i vesh një rol udhëheqës, në ruajtjen e një vizioni mbizotërues në botë. Pra, mania për t’u siguruar sa më shumë, në mënyrë që të eleminojë çdo mundësi fataliteti, aksidenti apo katastrofe. Siguria në Shtetet e Bashkuara, është shndërruar në një lloj padroni të padukshëm, që të shpie madje dhe deri në budallallëk (absurd). Por me gjithë këto ndërmarrje me përmasa kaq të mëdha, në sigurimin e jetës, përmes një sistemi mbrojtës, vdekjen nuk mund ta mbash larg. E nga ana tjetër, mania për të qenë sa më larg rrezikut, zhduk çdo lloj shpikjeje të hyjnive.

Çfarë duhet të na shqetësojë sot?

Ajo që duhet vërtet të na shqetësojë sot, sipas J. Hillman-it, janë: sëmundjet ngjitëse, viruset e Ebolës, katastrofat epidemiologjike, zija e bukës, SIDA, si dhe format e tjera të fanatizmit ideologjik e fetar. Jo bomba në vetvete. Duke i pasur parasysh pasojat që i vijnë njerëzimit nga këto të këqia, shoqëria është ajo e cila duhet të marrë masa, dua të them, të përpiqet ta mbajë sa më larg vdekjen. Ai siç u theksua më lartë, mban një qëndrim sa interesant, po aq dhe të çuditshëm edhe ndaj marksizmit. Duhet theksuar se Hillman-in e quajnë madje edhe marksist. Po a është vërtet ai marksist? Ndonëse ai këtë e quan më tepër ironi e pjesërisht dhe ikonoklazmë, sesa të vërtetë, thekson se marksizmi ka vdekur. Prandaj askush s’do të pranonte të ishte marksist. Mirëpo J. Hillman-i në qasjet e tij, marksizmin e shpjegon nga një këndvështrim psikologjik e jo praktik. Është e çuditshme të theksohet gjithashtu se ai në një diskutim për marksizmin, pati theksuar ndër të tjera, se: “ne kemi nevojë për një kritikë marksiste ndaj kapitalizmit dhe një kulturë në mbizotërimin e parasë, ku ekonomistët po luajnë atë rol që dikur e luanin princërit dhe priftërinjtë”. J. Hillman-i, kuptohet, marksizmin nuk e sheh si mënyrë se si mund të riorganizohet shteti. Ai nuk e pranon atë as si ideologji e as si materializëm historik. Marksizmin e pranon më tepër wordpress si ndërgjegjësim mbi pasojat e kapitalit, mbi praninë kudo të parasë në marrëdhënie me të tjerët si dhe mbi raportin skllav-padron. Ajo që ai e konsideron si tepër të rëndësishme, është zgjimi”; zgjimi i proletariatit (mbarë popullit). Ishte gjithashtu Marksi ai që parashikoi se kapitalizmi s’do të mund të jetonte ndryshe, veçse i ushqyer nga luftrat e ndryshme. Mirëpo teoria e Marksit, sipas tij, s’do të duhej të ishte vënë kurrë në praktikë, aq më tepër sot. Marksizmi sot ka një rol më tepër psikologjik, duke na bërë të ndërgjegjshëm ndaj abuzimeve të filozofisë politike dhe të teorisë ekonomike që dominon sot në Perëndim. Që paraqet një vlerë konkrete, pozitive. Ne, kemi nevojë për idealet e drejtësisë, barazisë, atë të shpërblimit të të shtypurve, të vlerës së punës etj. Këto ideale janë tepër të rëndësishmr dhe teoria e Marksit i mbart në vetvete”. Mirëpo këtë rast, sipas J. Hillman-it, duhet bërë dallimi në mes të idealeve dhe vetë ideologjisë. Ideologjia siç dihet, i ofron idealit, metodën (planin) për t’u realizuar, por ideali nuk është i konceptuar për t’u realizuar. Sepse mu në çastin kur ne e shpallim një plan (metodë) veprimi, ideali, sipas tij, degradon në ideologji.

 

Çfarë përfaqëson interneti?

James Hillman-i në një konferncë të mbajtur në Santa Barbara, flet dhe për atë që e quan ai: helmim hermesik. Hermesin, sipas tij, e hasim në tregun monetar, aty ku në botën kapitaliste investojnë të gjithë, pa harruar ta përmend Wold Wide Webi-itin (rrjetin botëror të internetit). Për të mos e zgjatur, këtë, Hillman-i e quan situatë e helmuar informuese, apo siç thotë ai, kjo është një sëmundje hermesike, një mbidozë, një monoteizëm i Hermesit (tepri e Hermesit).                      Derisa ne rrimë para tij me orë të tëra, apo edhe gjithë ditën, dhe atë në një mënyrë si ne duam, si na teket, lakuriq, pa ngrënë, duke ngrënë etj. pra, duke mos u kujdesur fare për vete, ne e humbim trupin tonë, stilin tonë, kulturën tonë. Ky a s’është helmim hermesik? Duke pasur parasysh se Hermesi ishte i dhënë së tepërmi pas argëtimeve, s’kemi pse të habitemi se interneti kërkon të na tërheq me anë të pornografisë, apo piraterisë që përmes viruseve duan ta fshijnë kujtesën. Por një gjë duhet të mos e harrojmë, Hermesi është gjithashtu dhe një hyjni i hmbjes dhe rigjetjes. Me fjalë të tjera, komunikimi elektronik është ai që na mban të mbërthyer. Dhe këtë J. Hillman-i e quan ai helmim. Sepse ky na bën që ne, sipas Hillman-it, të mos e dëgjojmë zërin e hyjnive. Duke folur për hyjnitë, konkretisht për Herën, ai thekson se pikërisht familja është bazamanti i shtetit. Që do të thotë se familja ndikon në idetë tona politike (publike). Kur e thotë këtë, ai e ka parasysh faktin se familja ndikon mbi idetë tona për trashëgiminë, politikën, dëshirën pë të pasur një shtëpi, për të pritur miq dhe për t’i trajtuar me respekt ata etj. Këtu qëndron pikërisht pushteti i Herës.

Si duhet të veprojmë me mendjet tona që po e shkatërrojnë botën?

Mirëpo, pas gjithë asaj që u theksua më lart, shqetësimi i vërtetë është ky: si duhet të veprojmë me mendjet tona, që po e shkatërrojnë botën? Si mund t’i shndërrojmë ato në terapi? Kjo është e gjithë çështja, sipas James Hillman-it. Ne, sikur po e lëmë pas dore dallimin në mes të shpirtit, nga njëra anë, dhe botës së brendshme. Prandaj arti, sipas tij, na mëson shumë më tepër për problemet tona të brendshme, se sa një terapi. Sepse vetë jeta është e prirur drejt vështrimit artistic. Në këtë kuptim miti është i rëndësishëm, (i dobishëm) gjithashtu edhe në zgjidhjen e problemeve në mes të njerëzve (te të afërmëve). Që do të thotë se në ringjalljen e psikikës kulturore, J. Hillman-i e gjen prodhimin e një fantazie që sipas tij e mund botën reale. “Në thelbin e gjërave ekziston poezia” . ku rol të rëndësishëm në raport me imagjinatën, luan dhe dashuria. “nxitëse e rëndësishme e psikikës, nga që e zgjon atë nga gjumi, me fantazitë e saj të gjelozisë, poezisë, seksualitetit…”                                Sepse dashuria e pasuron imagjinatën tonë. Me një fjalë, zgjimi i psikikës është i mundur vetëm përmes kërkesës së pareshtur për një bazë poetike të shpirtit. Ku psikologjia dhe terapia analitike profilizohen në vetvete si veprimtari poetike. James Hillman-i përmes rrëfimit, punën terapeutike e rimendon me atë të një katarsisi aristotelian. Katarsisi është shndërrimi i vuajtjes në art. E vetmja kurë kundër sëmundjes që jeta i sjell psikikës, sipas tij, është ajo esteike dhe poetike. Prandaj propozimi i tij terapeutik për publikun e fundshekullit të kaluar,por dhe fillimit të këtij shekulli, është shtrirja e pafund e profilit psikologjik të artistit romantik, me të gjitha shqetësimet që publiku i ka. Një personaliet i shëndoshë, sipas tij, do të jetë vatëm ai i imagjinuar mbi modelin e njeriut artistik, për të cilin imagjinata përfaqëson një stil jete, i ndjeshëm ndaj vazhdimësisë tradicionale si dhe ndjeshmëria estetike. Terapia e James Hillman-it është thelbësisht neoplatonike, bizantine, por me elemente rilindase, e shoqëruar gjithmonë me mite. Duke e njohur kulturën estetike, e cila lejon vlerësimin e universialitetit të figurave, e shpie mendimin e J. Hillman-it, siç thuhet, në një zonë të afërt me atë të artit, krijimtarisë poetike etj. “për të eksperimentuar e imagjinuar jetën përmes një perspektive të trazuar. E vlerësuar si një kurë në formë arti, ku funksioni metaforik i psikikës i ”kthen çdo gjëje hijen e vet”. Sepse është mendja jonë ajo që “prodhon figura”, e jo truri. Me kët, ai në mënyrë të shkëlqyer, e bën dallimin në mes të mendjes dhe trurit.

Hillman-i dhe Nietzsche

James Hillman-i konsiderohet dhe si pasardhës i F. Nietzsche-s. Ndoshta për shkak të ndikimit që ky i fundit pati në pjesën e parë të shek. XX-të. Unë them, thekson ai, se Nietzsche ishte në të vërtetë ai që francezët e quajnë “philosophie”, mendimtar që sot mund të quhet:”psikolog i kulturës”, ngase siç dihet, Nietzsche bëri përpjekje të vazhdueshme për t’ia rikthyer modernizimit, botën e pasur greke dhe atë të parakrishterë. Një përpjekje të tillë përpiqet ta bëjë dhe James Hillman-i. Nietzsche na mëson për ta kuptuar sesi vepron psikika njerëzore në kulturë. Gjithashtu, tek ai gjejmë: “devotshmërinë e furishme, aftësinë për të ndjekur pasionet e veta”. Nietzsche-n e çmon ai dhe për zotësinë për “adhurimin e të shprehurit krijues”, si dhe për ta “kuptuar njeriun”. Nietzsche dinte t’i dorëzohej pasionit, të vuante për idetë e pasionit që përjetonte”. Nietzsche iashte një intelektual i suksesshëm, sipas Hillman-it. “Intelektualët e suksesshëm janë të dashuruar pas vetvetes, pas se resë, pas famës. Prandaj të gjithë kemi nevojë të mësojmë prej Nietzsche-s, për të kapur një ide dhe për ta kuptuar se ç’rol luan ajo, dhe ç’drjetim mund të marrë”, thekson James Hillman-i. Pikërisht, kjo e lidhe Hillman-in me Nietzsche-n.

Televizori, përfaqësues kryesor i downtime-it

Do përmendur këtë rast Ares-in-Marsin, thekson Hillman-i. Kur e ndezim televizorin, të duket sikur po hyjmë në tempullin e Marsit me aleatët e tij. Shohim shpërthime, automobila që turren me shpejtësi të çmendur, njerëz që ikin kuturu, kacafytje, breshëri…këtë e has deri edhe në emisionet për fëmijë dhe në filma vizatimorë madje. Kjo është hyjnia Mars. Retorika e të cilit janë: shpejtësia, vrulli, drithërimat, shpërthimet, zjarret, revolverët, thikat, pasionet e forta, skenat e dyluftimit dhe betejat, aksidentet…kjo është bota e Marsit.”                               Kështu ndodh dhe me hyjneshën, të dashurën e Ares-it, Afërditën (Venerën). Atë, sipas J. Hillman-it, e gjejmë në pornografi, në fushën e reklamave, te çdo grua e zhveshur apo gjysmë e zhveshur.                                                                 Ndërsa Charles Baudelair-i në një rast kishte theksuar se “njeriu duhet të punojë, në mos nga qejfi, të paktën nga dëshprimi”. Në një elaborim që J. Hillman-i i bën thënies së Baudalair-it, thekson se kërkimi i zbavitjeve, vërtet, sjell mërzi tek njerëzit. James. Hillman-i, duke i dhënë të drejtë Baudelair-it, shton se ekziston një hark kohor (ditor) që s’është as zbavitje e as punë, e që në Amerikë e quajnë downtime, që do të thotë: kohë e vdekur, kohë kur njerëzit nuk bëjnë asgjë. As nuk punojnë e as nuk zbaviten. Andaj shtrohen një mori pyetjesh: ç’bëjnë njerëzit atëherë gjatë downtime-it? Shohin televizor? – pyet Hillman-i. Ulen para kompjuterit? Dalin për psonisje, apo e humbin kohën kot? Dikur njerëzit e kishin zakon në Amerikë të dilnin apo të shkonin në kafene për t’i shkëmbyer dy fjalë me miq. Por tani ky zakon në Amerikë nuk ekziston më. Po ku shkohet atëherë vallë nëse jo në kafene? Televizori, thekson J. Hillmman-i, është shndërruar tashmë “në përfaqësuesin kryesor të dawntime-it”, sepse, sipas tij, s’është as argëtim e as punë. Pra, televizori përfaqëson hiçin. Mua, thekson Hillman-i, më intereson ta dij se ç’bëjmë me hiçin tonë, që “s’është depresion, por vetëm boshllëk, inerci? Unë, për veten time theksosn J. Hilman-i, shoh televizor nga njëherë, por pa i kushtuar rëndësi programit, thjesht e bëj këtë, për ta mbajtur mendjen në veprim. Televizorin e fik para se programi të ketë përfunduar. Shkoj u hedh pulave dhe rosave për të ngrënë (sipas një interviste të bërë me të, ai mbante pula dhe rosa-shën. I.B.) Apo i bëj punët e shtëpisë. Ky është një downtime- i përsosur./ PASQYRE.AL

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *