Shqipëria po shuhet, dalin të dhënat e trishta të INSTAT

INSTAT ka publikuar sot të dhëna të tjera demografike që tregojnë një situatë alarmante përsa I përket shtesës natyrore të popullsisë, teksa po bien lindjet dhe po rriten vdekjet.

Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2017, rezulton 7.931, duke shënuar një rënie me 2,3 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7 %, krahasuar me një vit më parë.

Numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2017 rezulton 5.408, duke shënuar një rënie prej 6,9 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Numri i vdekjeve në vitin 2017, është 22.232 persona, duke shënuar një rritje me 3,9 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2017 është 2.523 dhe rezulton me rënie 8,0 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Ky tregues për vitin 2017 është 8.637 dhe rezulton me rënie 16,5 % krahasuar me një vit më parë.

Në tremujorin e katërt 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.191 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet qarku i Durrësit me 375 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga qarku i Dibrës me 257 lindje më shumë se vdekje.

Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2017, regjistron vlerë negative vetëm në dy qarqe (Gjirokastër dhe Korçë). Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 41 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri më i ulët i lindjeve për tremujorin e katërt 2017 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 158 lindje, me një rënie prej 6,0 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.529 lindje, të cilat shënojnë rritje me 2,8 % në krahasim me tremujorin e katërt 2016.

Shtatë qarqe pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me tremujorin e e katërt 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Elbasanit me 15,0 % dhe qarku i Beratit me 13,7 %.(monitor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *