Shqipëria mbaron në Llogara!

Nga Jonida Hitoveizi

Është e pabesueshme ajo që ndodh  sapo kalon, apo më mirë sapo ngjit Llogaranë, për të kaluar më tej në rivierën tonë, me të cilën aq shumë krenohemi. Turistët shqiptarë të cilët kanë telefona sapo kalojnë Dukatin nuk flasin dot më me askënd, pale të mendojnë të përdorin internetin edhe pse çuditërisht sapo ngjitesh drejt malit sytë të hasin një antenë të madhe, (të vodafonit shpjegojnë kamarierët kur qëndron në Llogara). Si të mos mjaftonin rastet e shumta ku njerëzit nxjerrin dufin për shkak të mbarimit para kohe të ofertave, interneti i dobët apo që mbarohet shpejt, nëse planifikon pushime në jug, matanë malit, rrugës që të çon në det duhet të përgatitesh që të bësh ofertë roaming nëse do që të flasësh me të afërmit e tu ose për punë. Sapo zbret në Palasë, dhunshëm në telefonin tënd futet vodafoni grek ose ai wind i Italisë, të cilët kanë sinjal më të fortë, e  me radhë pastaj një sërë operatorësh të huaj, por shqiptarë jo. Jo, operatorët telefonikë shqiptarë nuk kanë mbulim në ato zona, ose është i dobët ose nuk ka valë fare. Dhe të mendosh që për vite e vite me radhë shqiptarët kanë patur tarifat më të larta në rajon e madje në Evropë sa i takon telefonisë celulare. Por për këtë fakt të gjithë e qepin  gojën, të gjithë nxehen por s’kanë ç’bëjnë, një pjesë bëjnë roaming, një pjesë luten tu kap telefoni, heqin mobile data mos tu harxhohen lekët kur automatikisht të lidhen me roaming etj. Gjëja më shokuese sa i takon valëve të telefonit ishte në gjiret e Karaburunit. Para dy javësh, falë një udhëtimi shumëmirë të organizuar qëllova të shkoja në gjirin e Gramës. U nisa nga Tirana me idenë se isha brenda vendit dhe ofertën e vodafonit sapo e isha bërë. Por, teksa isha nisur për Karaburun, teksa po kontrolloja celularin pashë që isha lidhur automatikisht me vodafonin grek. E hoqa si opsion dhe kërkova të lidhesha  me vodafone Albania. Thjesht nuk dilte. Me shpresë se diku do kapte, nisa një mesazh ku i kërkova mikeshës sime të më bënte një ofertë roaming ta kisha për çdo rast. Mesazhi fatmirësisht iku, pasi diku pati valë gjatë një ecje që bëmë në gadishull. Një zotëri që ka një bar të vogël në gjirin e Gramës më shpjegoi se telefonin gjatë verës kur rrinte aty e përdorte me roaming, italian pse grek pasi aty vetëm ato kapte. Mu duk absurde të bëja ofertë sikur isha jashtë Shqipërie, ndërkohë që isha shumë brenda kufijëve, aq sa më duket e paimagjinueshme që këto kompani, të cilave u japim lekë çdo muaj të na vjedhin pambarim deh të na ofrojnë një shërbim të tillë që lë shumë për të dëshiruar.  Unë, por besoj dhe shumë si unë, duan që brenda vendit të tyre të mund të flasin me telefonat shqiptarë. Mungesa e mbulimit me valë nga operatorët shqiptarë, ndodh në shumë zona të Shqipërisë, aq sa të vjen frikë të marrësh jugun se duhet të mendosh çfarë do bësh apo si do ia bësh me telefonin. Këtyre zotërinjëve që nuk u kërkon njeri llogari prej vitesh, dikush duhet tu thotë që Shqipëria nuk shtrihet nga Durrësi në Tiranë. Shqipëria nuk është as deri në Llogara, as deri në Gjirokastër, as Himara nuk është greke dhe as Saranda, që të na ofrojnë cosmoten greke, vodafonin grek apo wind italian. Kjo është një fyerje e madhe për gjithë abonentët shqiptarë që kanë paguar më shtrenjtë se kushdo abuzimin nga kompanitë celulare. Të trajtohesh si i huaj në vendin tënd, ku larg qoftë të të ndodhë gjë, se nuk njofton dot askënd permes telefonit me sinjal shqiptar. Kesaj i thonë të jesh hysmeqar në punën (tokën) tënde.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *