Shkrimtarja turke e burgosur, Asli Erdogan: Një letër si thirrje alarmi !

Të dashur miq e mikesha, kolegë, gazetarë, dhe anëtarë të shtypit,

Po ju shkruaj këtë letër që nga burgu i Bakirkojit, një ditë pas operacionit policor kundër gazetës Cumhuriyet, njërës prej gazetave më të vjetra dhe zëri i social-demokratëve. Sot, më tepër se dhjetë autorë të kësaj gazetë janë në burg. Katër persona ndër të cilët Can Dündar (ish-kryeredaktori, kërkohen ende nga policia. Edhe unë, jam tejet e tronditur.

Kjo tregon qartë se Turqia ka vendosur të mos respektojë asnjë prej ligjeve të saj, dhe as drejtësinë. Në këtë çast që po shkruaj, më tepër se 130 gazetarë janë në burg. Ky është një rekord botëror. Në dy muaj, janë mbyllur 170 gazeta, revista, radio dhe televizione. Qeveria jonë e sotme dëshiron ta monopolizojë “të vërtetën” dhe “realitetin”, dhe çdo opinion sadopak ndryshe nga ai i pushtetit, është i shtypur me dhunë : dhunë policore, me ditë e netë të tëra në arrest (deri në 30 ditë)…

Vetë unë jam arrestuar vetëm e vetëm ngaqë isha një nga këshilltaret e Özgür Gündem, “gazetës kurde”. Pavarësisht faktit që këshilltarët nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi gazetën, sipas nenit n°1 të Ligjit të shtypit i cili e thotë këtë qartësisht, unë nuk jam nxjerrë ende para një gjykate e cila do të ma dëgjojë historinë.
Në këtë proces kafkaian, Necmiye Alpay, gjuhëtarë shkencore 70 vjeçe, është arrestuar dhe ajo me mua, dhe gjykuar për terrorizëm.
Kjo letër është një thirrje alarmi !

Situata është shumë e rëndë, e tmerrshme dhe jashtëzakonisht shqetësuese. Jam e bindur se regjimi totalitar në Turqi, do të shtrihet pashmangshmërisht, edhe mbi mbarë Europën. Europa është e përqëndruar sot tek “kriza e refugjatëve”, dhe duket se është e vetëdijësuar mbi rreziqet e zhdukjes së demokracisë në Turqi. Sot, ne, – autorë, gazetarë, Kurdë, Alevitë, dhe sigurisht gratë – po paguajmë çmimin e rëndë të “krizës së demokracisë”. Europa duhet të marrë përgjegjësitë e veta, duke u rikthyer tek vlerat që ajo i kishte përkufizuar pas shekujsh të tërë gjaku të derdhur, dhe që bëjnë që “Europa është Europë” : Demokracia, të drejtat e njeriut, liria e shprehjes dhe opinionit…

Ne kemi nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj. Dhe ju falenderojmë për gjithçka që keni bërë për ne, deri tani.

Miqësisht.

Asli Erdogan
1 nëntor 2016, Bakirkoj Cezaevi, Q-9/ Përkthimi: © Urim Nerguti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *