Saimir Pirgu në Londër, në mars vjen në Tiranë

received_10154003817897044Tenori shqiptar Saimir Pirgu do të jetë sërish në Operan Mbretërore të Britanisë së Madhe. Ai do interpretojë Alfredon në operan “Traviata”, në datat 16, 19, 22, 27, 30 janar dhe 4 e 6 Shkurt. Nuk është hera e parë që artisti i njohur shqiptar gjendet në “London Royal Opera House”. Më tej, në muajin shkurt do të jetë në Paris, mandej në Firence dhe më 5 mars vjen në Tiranë për koncertin “Il Mio Canto”. Deri më tani, ai ka vënë në skenë 23 role të ndryshme, ku përmendim opera të ndryshme si: “Don Xhovani”, “Lucia di Lamermoor”, “Manon”, “Makbeth”, “Xhani Skiki”, “Romeo e Zhuljeta”, “Falstaff”, “L’elisir D’amore”, “Ballo me maska”, “Werther”, etj.
I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botes, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga artistët që ka patur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale, duke u konsideruar sot si një nga tenorët më të shquar në peizazhin e lirikës ndërkombëtare.
Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, ai është cituar në shtypin ndërkombëtar si “një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot” (Seen And Heard International), si “një nga interpretuesit më të rëndësishëm botërorë të roleve të tenorit lirik” (Opera Today) “Një yll në rritje” (Opera Now). “Interpretimi i tij vokal tingëllon spontan, krejtësisht i pa sforcuar, duke u zgjeruar vazhdimisht në një lojë intuitive dritë-hijesh me një prekje të mëndafshtë” (The New York Times), “Teknika e tij është e shkëlqyer dhe cilësia lirike e zërit të tij është po kaq e bukur” (Plácido Domingo), “Vetëm qielli mund të jetë kufiri i tij “, (The Neë York Sun).
Sezonet e fundit të turneve të tij janë shënuar nga sukseset në mbarë botën, duke përmëndur këtu operat “La Boheme” në “Gran Teatre del Liceu” të Barcelone-s; “Flauti Magjik” në “La Scala” të Milano-s; “La Traviata” në “Metropolitan Opera” të Nju Jork-ut, në “San Francisco Opera”, në Teatrin “San Carlo” të Napoli-t si dhe në “Bayerische Staatsoper”; “Elisir d’Amore” në Teatrin e Operës së Romë-s dhe në Operën Shtetërore të Vjenës; “La Clemenza di Tito” në Operën e Paris-it; “Lucia Di Lammermoor” në Operën e Los Angeles, në Operën Kombëtare të Washington-it si dhe atë të Hamburg-ut; “Werther” në Teatrin e Operas në Tiranë, “Rigoletto” në Arenën e Veronës, në Operën e Zurich-ut, në Royal Opera House të Londrës si dhe në “Bayerische Staatsoper”; “Idomeneo” në Festivalin “Styriarte” në Graz të Austrisë; “Makbeth”-in në “Maggio Musicale Fiorentino”; “Jolanta” dhe “Francesca da Rimini” në “Theater an der Wien” të Vjenës; “I due Figaro” në Teatrin “Colón” të Buenos Aires; “Don Giovanni” në Operën Shtetërore të Vjenës si dhe në Arenën e Veronës (vënia e parë në skenë e kësaj opere në historinë e këtij festivali, me regji të Franco Zeffirelli-t).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *