Reportazh/ Kajakë dhe polifoni: Miqtë e Vjosës i thonë JO hidrocentaleve

Një grup sportistësh, aktivistësh mjedisorë dhe figurash politike nga vendi dhe Europa bashkuan forcat në përpjekje për të bindur qeverinë shqiptare të tërhiqet nga hidrocentralet mbi lumin Vjosë dhe ta shpallin atë park kombëtar.

Nga Ivana Dervishi

Atleti slloven, Rok Rozman hedh i entuziazmuar krahëve “peticionin lundrues”- një kajak i mbushur me firma kundër ndërtimit të digave në lumenjtë e Ballkanit- dhe zbret drejt shtratit të gurtë të lumit të Bençës, degë e Vjosës pranë Tepelenës.

Pas gjashtë muajsh përpjekje, në bashkëpunim me organizatën EcoAlbania në Shqipëri, Rozman ia doli të mbledhë bashkë rreth 150 sportistë dhe aktivistë të mjedisit për të vozitur në kuadër të turit të madh në mbrojtje të lumenjve të Ballkanit, i cili nisi më 16 prill nga Sava e Sllovenisë.

Dëshmitar i problemeve që hidrocentralet kanë shkaktuar në vendin e tij, Rozman nuk e kupton se si Shqipëria po çon drejt shkatërrimit një mrekulli natyrore si Vjosa.

“Shqiptarët duhet të ngrihen dhe t’i kërkojnë qeverisë të mbrojë interesat e vendasve, jo të investitorëve që shfrytëzojnë dhe largohen,” tha ai për BIRN.

Grupi i pazakontë i sportistëve të ngarkuar me kajakë tërheq vëmendjen e banorëve të fshatit Bënçë. Rakip Caka, 74 vjeç dhe Medih Spaho, 86 vjeç ndjekin së largu me kuriozitet se sa të huajt do t’ia dalin të vozisin përgjatë Vjosës në këtë ditë të vrenjtur maji. Megjithatë, të moshuarit gjenden për një çast në të njëjtën grackë vëmendjeje.

Disa aktivistë amerikanë rrethojnë të moshuarit dhe i pyesin se ç’mendim kanë për HEC-in e Bënçës. Përballë këmbënguljes së tyre, Caka dhe Spaho shprehen të dyzuar.

“Nëse lumi nuk do të cenohet, nuk kemi asnjë kundërshtim që zona jonë të ndikojë në rritjen e ekonomisë shqiptare,” tha për BIRN Rakip Caka. “Edhe ne banorëve do të na jepte një dorë premtimi që na kanë bërë për energji falas me ndërtimin e HEC-it,” shtoi ai.

Në të njëjtën mendje duket edhe fqinji i Cakës, Medih Spaho. I moshuari thotë se kanë marrë garanci që lumi nuk do të thahet, pasi do të përdoret një pjesë e vogël e ujit.

Dhjetë kajakë hidhen mbi lumë dhe çajnë përpara në degën e Vjosës, ndërsa aktivistët e huaj vëzhgojnë të mahnitur bukuritë natyrore përreth. Pas disa kilometrash mbi lumë, kajakët mbërrijnë në pikën ku ndërtimi i një tuneli 3.4 kilometra, që supozohet të çojë ujin në brendësi të Tepelenës, ka ndalur për mungesë fondesh të kompanisë fituese të koncesionit.

“Vjosa është jo vetëm lumi i vetëm i egër i Europës, por padyshim lumi më i bukur që unë kam parë deri më sot. Dhe më besoni, kam parë shumë lumenj në jetën time,” thotë një nga aktivistët.

“Paraja po vret lumenjtë”

Beteja për mbrojtjen e Vjosës ka nisur që herët me realizimin dhe shfaqjen në vende të ndryshme të Europës të dokumentarëve të shumtë sensibilizues për lumin e cilësuar si “perlë e Ballkanit”. Gjatësia prej 270 kilometrash e Vjosës ofron prurje të shumta ujore, ç’ka e vendosi në shënjestër të sipërmarrësve të hidrocentraleve, por aktivistët synojnë ta ndryshojnë këtë qasje ndaj lumit.

Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës” i tha BIRN se Vjosa simbolizon aktualisht çështjen më të nxehtë të kërcënimit të natyrës në Europë. Ai e cilësoi projektin për ndërtimin digave në Vjosë një krim të dyfishtë kundër natyrës dhe vendasve dhe një tregues për dështimin e qeverisë shqiptare në strategjinë e balancimit të energjisë.

“Paraja po i vret lumenjtë edhe pse përvoja na ka treguar se digat, nuk janë forma e duhur për t’i shfrytëzuar ata,” tha Eichelmann.

Koordinatori gjerman i fushatës, Eichelmann mendon se Shqipëria ka të gjitha kushtet e nevojshme për shfrytëzimit e energjisë diellore, të erës dhe të ujit, por duke gjetur një balancë të artë që nuk shkatërron plotësisht asnjërin burim natyror.

“Krijimi i një masterplani për vendet se ku digat dëmtojnë më pak dhe i një politike të qëndrueshme energjetike mund të ishte zgjidhja më e mirë për Shqipërinë”, sugjeron ai, duke paralajmëruar se turi i madh i Ballkanit është vetëm fillimi i fushatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve.

Të zhgënjyer nga politika

Në Qesarat, rreth 20 kilometra nga Tepelena, flamujt e grisur të partive politike valëviten ende mbi shtëpitë e zonës. Megjithatë, banorët e Kutit, Qesaratit, Bënçës dhe Poçemit ia kanë dalë të lënë mënjanë simpatitë e tyre politike dhe të mblidhen bashkë në mbrojtje të tokës nga përmbytja që mendohet se mund të shkaktojë ndërtimi i një dige në këtë zonë.

“Vjosa është jeta jonë dhe do ta mbrojmë me gjak,”protestojnë banorët. “We give our heart, but not our land,” shkruan në anglisht njëra prej pankartave. Protestës së tyre u bashkohet edhe grupi polifonik i Bënçës, i cili ia merr këngës buzë lumit, veshur me kostume tradicionale. Duke u kënduar të mirave që sjell lumi për banorët e zonës dhe duke vajtuar për varfërinë që do të vinte nga shkatërrimi i tij, zërat e tyre i japin forcë shqetësimit të banorëve.

Në Qesarat, protestës i bashkohet edhe zv/ presidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek.

Në raportin e publikuar në prill 2016, Parlamenti Europian i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare “të kontrollojë zgjerimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore si në lumin Vjosë” dhe të ndjekë standardet e BE për direktivat në Kuadër të Ujit.

Lunaçek tha se “është koha që i gjithë Ballkani të punojë së bashku për një strategji të përbashkët energjetike, në mënyrë që vendet të mos veprojnë të veçuara”. Buzë Vjosës, ajo përsëriti më me forcë rezolutën, ndërsa i kërkoi qeverisë shqiptare të ndjekë rreptësisht vlerësimin në mjedis përpara se të japë leje për hidrocentrale.

“Vjosa është shembulli që ne duhet të shohim të bukurën e natyrës dhe t’u themi jo digave,”-tha zv.presidentja e Parlamentit Europian.

E pranishme në protestë si anëtare e grupit “Miqtë e Vjosës”, deputetja socialiste, Arta Dade i kërkoi kryeministrit Edi Rama të ketë në vëmendje interesat e qyetatarëve dhe të nxitet për nga zhvillimi i balancuar.

Megjithatë, vendasit ndjehen të tradhëtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili pati premtuar mbrojtje përmes shpalljes së Parkut të Vjosës para se të ngjitej në pushtet.

Në fillim të majit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë injoroi shqetësimet e mjedisorëve dhe shpalli dy kompani turke si fituese të tenderit për hidrocentralin e Poçemit. BIRN raportoi në maj 2016 se bashkimi i dy kompanive turke “Ayen Enerji Anonim Şirketi” dhe “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti” fituan në mungesë të konkurrencës.

Gabriel Schëaderer, drejtor i EuroNatur, që është në krye të fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës” paralajmëroi qeverinë shqiptare se nuk mundet njëkohësisht ta ruajë të paprekur lumin e Vjosës dhe të lejojë ndërtimin e hidrocentraleve.

“O Poçemi [HEC-i], o natyra! “Jo digës,” thërret ai.

Më 20 maj, miqtë shqiptarë dhe ndërkombëtarë të Vjosës pritet të bashkojnë forcat për të kundërshtuar planet e qeverisë shqiptare për hidrocentralet dhe për të kërkuar shpalljen e zonës së mbrojtur për lumin.

I entuziazmuar nga mbështetja në këtë tur, atleti Rozman nuk është i pashpresë.

“Gjëja më e rëndësishme është që tashmë rreziku që i kanoset Vjosës është ekspozuar në shkallë ndërkombëtare dhe kjo na ka rritur shpresat për të shpëtuar këtë bukuri të natyrës,” përfundoi ai.

BIRN

vjosa 6vjose sdvjosevjose 3

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *