“Reforma”, kulla e ngujimit ose paraburgimi i politikanëve

Kullat e ngujimit në veri janë ende sot ‘simbol’ i mbylljes, por jo i dialogut. Tu thom të drejtën i kam parë shpesh edhe si vende ku rrihej para vdekjes, por jo aq shumë të shpresës. Kur dëgjova kryeparlamentarin sot, që thoshte se do ngujohemi- do kyçemi e nuk dalim pa rënë dakord për reformën në drejtësi, mu kujtuan kullat. Është fortësisht e qartë se tu kërkosh politikanëve, të miratojnë një reformë, që do i çojë në burg, është si t’i kërkosh atij që do të varet të bëjë gati litarin. I kuptoj shumë mirë dhe e kuptoj që është fort e vështirë të zbresësh nga kurrizi i kalit. Ua qaj hallin po ashtu se në këtë kohë ata duhej të ishin në Malibu ose në Karaibe, ndërsa për hatrin tonë po rrinë rrugëve të shqyera të Tiranës ndë diell; ua qaj hallin se janë mësuar të blejnë vota me xhinse, me thasë mielli, me vende pune, me premtime boshe, me reforma që nuk kanë ndryshuar gjë veçse na kanë zhytur më thellë; ua qaj hallin se janë mësuar të shtypin ndërsa tani ndihen të shtypur; ua qaj hallin se janë mësuar të hanë me lugë të florinjtë, të shtrohen në spitale private, ti zgjidhin problemet me një telefonatë, të vënë pasuri tenderimesh, të marrin thesaret e Krrabës, të ngrenë kompani në emrat familjarësh, të ndajnë së bashku me mirëkuptim, qetësi e dashuri buxhetin e shtetit, të fluturojnë rretheqark globit me First Class, t’ua qepin kostumet si për pasarelat e Milanos, të ndihen me shik se zonjat pariziene, më të kamur se sheikët, më sulltanë se erdoanët, më carë se putinët; ua qaj hallin se do u mungojnë gjethet e palmës që u bëjnë fresk kur të dalin nga dyert e kyçura drejt dyerve të burgut, ku ngujimi do jetë i gjatë, nëse kjo reform nuk do u ngjajë simotrave të saja ndër vite. Rruga e Kombit, 21 janari, Gërdeci, thesari i Krrabës, tenderat e Shëndetësisë, pritjet milionëshe të Papës, kallaisja e fasadave, lungomaret, zërat e mbytur të megaskandaleve si DIA- CEZ, qurravitjet në emër të sovranitetit nga falësit e detit në Jug, shukrizimet për copën e bukës së përditshme, 2K-të e përfitimeve në kompanitë e miqve e ish-gruas, shoferët, darkat me verë trishekullore, jaguarët për të të transportuar mëkatarët e gjithëhershëm drejt shtëpive luksoze nga syrat e pazareve, pasanikët që nuk paguajnë punonjësit e nuk penalizohen- t’i lësh të gjitha këto është e dhimbshme, e mjerueshme, të gdhihesh mbret e të ngrysesh popull, të shkosh nga zyrat e shtetit, në burgjet ku vidhen tenderat e ushqimeve. Unë i kuptoj vëllezërit e mi politikanë që e kanë të vështirë ta lënë parajsën për të ikur në ferr. Po koha e kyçjes do shërbejë si mësim para burgut, të mëson se çdomethënë të jesh popull, kur je mësuar të jesh udhëheqës.

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjilpëra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *