“Rastet” e Montales së dashuruar: nga letërkëmbimi te poezia

Nga Mimoza Hysa – “E dashur Irma, letrat e tua janë një thesar aq i çmuar për mua sa druhem t’i lexoj për së dyti. 
Filozofia ime?
Nuk kam asnjë të tillë,
Kanë sajuar lloj-lloj filozofish prej vargjeve të mia, por ia fusin kot.
Për mua poezia është çështje kujtese dhe dhimbjeje.
Të bësh bashkë sa më tepër kujtime dhe brenga që të mundesh dhe të përdorësh formën më të brendshme dhe më të drejtëpërdrejtë.
Nuk kam pikë fantazie: më duhen vite për të mbledhur një grusht poezish.
Hedhja në letër pastaj është e rrufeshme; shpesh është punë minutash.”

Këtë letër Montale ia niste së dashurës, studiueses amerikane, Irma Brandeis, më 5 dhjetor 1933, pikërisht në kohën kur shkruante “Rastet”, të interpretuar prej kritikëve me një qasje strukturaliste e semiotike. Botimi për herë të parë i 156 letrave, të shkruara nga viti 1933 deri në vitin 1939, ka shkaktuar një kthesë në mendimin kritik montalian lidhur me interpretimin e poezive të shkruara gjatë kësaj periudhe, e veçanërisht të këngëtores së dashurisë të titulluar Motete. Po cila ishte Irma Brandeis? Çfarë përfaqësonte ajo për poetin? Le të bëjmë një udhëtim mes datave të letrave dhe krijimeve duke u rrekur të sjellim një interpretim përtej letrares.
Klicia (Clizia), apo Irma reale, qe diçka më tepër për Montalen, se Beatriçja për Danten, Laura për Petrarkën apo Silvia për Leopardin.

Më tepër se një grua engjëll, Irma ishte një grua e pavarur, e arrirë në karrierë, shumë më e vendosur në lidhjen e saj se vetë Montale. Vajzë e zgjuar, njohëse e shumë gjuhëve, me prejardhje nga një familje e pasur me origjinë hebreje, e rritur në Nju-Jork, e dashuruar pas letërsisë italiane dhe adhuruese e poezisë së Montales në veçanti. Poeti e takoi Irmën më 15 korrik të 1933-it, në kohën kur ishte tridhjetë e gjashtë vjeç dhe drejtonte Kabinetin Vieusseux në Firence.

“Veshur me shije (…), shumë i thjeshtë, më tepër i shëmtuar, madje si pa yndyrë” i shkruante Irma një mikut të saj, “një tridhjetëvjeçar i plakur para kohe, por poezia e tij më lë pa fjalë”. Montale, në përshkrimin e Irmës, është njeriu prej të cilit “as dhjetë fjalë nuk arrin t’ia mbash mend prej bisedës”, por që i pëlqen pikërisht se krijimtaria e tij nuk ka pikë lidhje me të si njeri”. Takohen shpesh atë verë, në kafene, në restorante, në lulishte e përgjatë lumit Arno, por gjithnjë në shoqëri me miq të përbashkët. Letërsia është ura lidhëse dhe biseda e zakonshme mes të dyve. Flasin për Ezra Pound-in, T.S. Eliot-in, për Anglinë, Amerikën dhe Italinë.

Më 5 shtator 1933, në dhomën numër 9 të Pensionit Annalena në rrugën Romana, dy të dashuruarit do të kalojnë natën e parë të pasionit të përmendur dendur në letrat e Montales si “oazi jetëshkurtër” që e mban gjallë. Më pas largimi i dhimbshëm dhe letrat e tensionuara të poetit ku ndihet pesha e mëdyshjes për t’u shpërngulur në Amerikë e për t’u bashkuar me të dashurën. Nis kështu një marrëdhënie e vështirë ku ndihet pasiguria e Montales për t’u shkëputur nga “robëria” e vullnetshme e Drusilës, të ashtuquajtur “Mosca” (Miza), “një insekt i dashur”, siç e quan ai, me të cilën është lidhur dhe do të kalojë gjithë jetën e tij. Edhe pse Montale nuk e përmend, hija e Drusilës fillon të ndihet mes çiftit.
Pas ndarjes së parë, kur Irma largohet për në Amerikë, është shkruar pikërisht një nga poezitë më të bukura të vëllimi “Rastet”: “Ti e di: duhet të të humbas, por nuk mundem”:

Ti e di: duhet të të humbas po nuk mundem.
Si një e shtënë e matur mirë më shkund
çdo vepër, çdo britmë si dhe fryma
e kripur që vërshon
nga skelat dhe e nxin pranverën
e Sotoripës.

Vend hekurishtesh e direkësh
si pyll në pluhurimën e muzgut.
Një zukamë e zvarrë vjen nga jashtë,
gërvisht si thua në xham. Kërkoj shenjën
e humbur, të vetmin peng që ti
ma pate falë.
E ferri është i sigurt.

Gjurmët e kësaj jete të trazuar ndihen tërthorazi në dëshirën për të krijuar një shteg shpëtimi në poezinë e këtyre viteve dhe vizatimin e Irmës si engjëll shpëtimtar. Në një letër të datës 7 gusht, Montale i parashtron së dashurës zgjedhjet për të ardhmen e tyre: “1. Irma vjen të jetojë në Europë; 2. Arsenio (personazhi i një prej poezive të Montales përmes të cilit nënkupton veten) shkon të jetojë në U.S.A. (e vështirë!); 3. Irma dhe Arsenio takohen çdo verë në Europë (dimra të tmerrshëm!!); 4. Arsenio harrohet dhe përfundon i rrënuar. Zgjidh, e shtrenjta ime Irma”. Po, në të vërtetë, nuk është Irma ajo që duhet të zgjedhë.

I gjithë cikli i dytë “Moteti” i vëllimit “Rastet” duke përjashtuar vetëm dy krijime të vitit 1934 të frymëzuara nga Maria Rosa Solari, është shkruar gjatë periudhës së përjetimit të dashurisë në largësi për Irma Brandeisin.

Ndërkohë që po gjatë kësaj periudhe, në vitin 1936, Irma Brandeisi boton në Amerikë një shkrim kritik lidhur me poezinë e Montales me titullin “An Italian Letter. Eugenio Montale”.
Përgjatë këtij harku kohor, nga 1934 deri më 1938, kur gjejnë rastin të takohen për herë të fundit, dy të dashuruarit shkëmbejnë letra, urime për Vitin e Ri e Krishtlindjet, kërkesa e ankesa të ndryshme, deri dhe deklarata patetike të tilla si kjo: “Nëse nuk më do, mos e vrit mendjen më për mua dhe mos iu përgjigj letrave që mund të të nis, e as mos i lexo, nëse nuk do; por më le të paktën ta gënjej mendjes se vlej ende diçka për dikë.”

Të kësaj periudhe janë poezitë ku Irma shfaqet si shenjë, gjurmë, kujtim apo mendim shpëtimi, si te poezia “Shpresa vetëm për të të parë sërish…” ku shfaqja e papritur e dy kafshëve të çuditshme, dy çakejve që tërhiqen për zinxhirësh në portikët e Modenas, e bëjnë poetin të pyesë veten nëse dy kafshët ekzotike janë një shajni ndjellakeqe e një realiteti të tëhuajëzuar, apo shenja magjike të lëshuara prej gruas në mungesë, me qëllim që të komunikojë me të.

 

Shpresa vetëm për të të parë sërish
po më shuhej;

dhe pyeta veten mos vallë ky ekran pamjesh 
që çdo gjë tënden ma mbulon, 
mbart shenjat e vdekjes apo prej shumë kohësh 
aty ruhet, dhe pse i ndrydhur e i zbehtë
një i yti flakërim:

(në Modena, mes portikësh,
një shërbyes i krekosur, tërhiqte
dy çakej prej zinxhirësh).

Vitet e gjata të ndarjes ndihen te dëshpërimi i thellë në vargjet e poezisë “Mos e prit, o gërshërë, atë fytyrë…”, ku përmes një urdhri në formë lutjeje, poeti i drejtohet kohës, që të mos ia fshijë nga kujtesa portretin më të rëndësishëm të jetës, atë të “të madhërishmes fytyrë në përgjim”, të së dashurës.

Mos e prit, o gërshërë, atë fytyrë
të vetmuar në kujtesën që po zbrazet,
mos e shndërro të madhërishmen fytyrë në përgjim
në mjegullinën time të përhershme.

I ftohti zë fill… Ashpër sëpata godet.
E akacia e gjymtuar prej vetes shkund 
zhguallin e gjinkallës
në të parën baltinë të nëntorit.

Në vitin 1938, më në fund Montale dhe Irma takohen për herë të fundit në Firence. Është kohë e vështirë për të dy: për Irmën është i pamundur qëndrimi në Italinë fashiste kur kishte filluar zbatimi i ligjeve raciste, ndërkohë që Montale rrezikonte të mbetej pa punë për shkak të mospërfshirjes në Partinë Fashiste. Pavendosmëria e Montales për të lënë Italinë dhe për të ndjekur pas të dashurën kthehet në dhimbje sfilitëse, e përkthyer në fjalë dashurie dhe pasioni të pashprehura më parë në krijimtarinë e tij, si në poezinë “Ja shenja: dellëzohet…”

Ja shenja: dellëzohet
mbi murin në prarim:
gishtërinj palme të përcëlluar 
prej vizëllimeve të agut.

Hapi që mbërrin
prej serës kaq butë,
nuk fashitet prej borës, po është
ende jeta jote, gjaku yt në të miat vena.

Në këtë poezi të shkruar në 1938-n, fill pas ndarjes së poetit me të dashurën, prania e shndritshme e figurës së gruas paralajmërohet prej një shenje që është treguese, apo gjurmë e një bote të përtejme: në një peizazh dimëror me borë, drita e agimit projekton saktësisht hijen e një pëllëmbe dore mbi mur që pasohet në strofën e dytë, prej çastit të përgjimit kur ndihet hap i saj i lehtë. Në mbyllje, një varg plot pasion, ku prania e saj plot jetë shkrihet me trupin e poetit.

Po kjo shkrirje në realitet nuk do të ndodhë më kurrë, sepse dy të dashuruarit nuk kanë më rast të shihen. Më 1 dhjetor Montale pushohet nga puna dhe gjatë vitit 1939 shkruan numrin më të madh të poezive:14 nga 55 poezi që përmban ky vëllim.
Një nga motetet më të ndjera “Lamtumira, fishkëllima në terr, shenja, kollë…” përshkruan pikërisht largimin përfundimtar të Irmës. Poezia është e ndarë në dy kohë: nisja e gruas nga një stacion hekurudhor dhe, pas ndarjes mes të dyve, dialogu me vete i poetit me personazhin në mungesë. Pauza midis këtyre dy momenteve theksohet prej pikave ndërprerëse, një formë kjo e dukshme e retiçencës që përdoret për të theksuar një ngjarje të heshtur: lamtumirën.

Lamtumira, fishkëllima në terr, shenja, kollë
e dritare treni të ulura. Erdhi ora. Ndoshta
kanë të drejtë robotët. Ah, si duken
ashtu të murosur korridoreve!

…………………………………………………….
“ Vallë a s’e lidh dhe ti troshitjen
e fjetur të trenit tënd ekspres me ritmin
ngjethës e të pagabueshëm të kariokës? –

Përveç moteteve të fundit, të kësaj periudhe janë edhe dy poema të shkurtra dhe poezi të tjera të gjata, që e thyejnë skemën e moteteve. Figura e Klicias mbetet qendrore në të gjitha poezitë, përveçse në poemën “Kohët e Belosguardos”, që përbën pjesën e tretë të përmbledhjes.
Ndërsa “Elegjia e Piko Farnezes” është një poezi i frymëzuar sërish nga figura e Klicias. Madje figura e gruas në këtë poezi nuk është një figurë engjëllore, por simbol i dashurisë mishtore, për më tepër mëkatare, që bie ndesh me devotshmërinë e pelegrinëve. Në imazhin e kovaçit që rreh hekurin e skuqur vërehen nota sensuale ashtu si edhe te aftësia e Klicias për t’i lënë hurmat “të piqen deri në palcë”.

 

Oh, iluzioni i plogët. Përse të rrish këtu
për këtë dashuri grash me mjekër, për këtë jerm të kotë
që kovaçi i Pikos e flak tej vetes tek rreh 
kudhrën i përkulur mbi nxehtësinë e bardhë? Tjetër gjë
është Dashuria – e mes pemësh vetëtin me brengën
e balluken tënde flatër, lajmëtare vetullngrysur!
Nëse hurmat i lë të piqen deri në palcë e në ujëra
pasqyron puplajën e ballit tënd pa të metë
apo nëse përrallëtaret e frikshme i zhduk e përgjon
kalimin e të paktëve mes hordhive të njerëzve-dhi,
….
shkëlqimi yt është i qartë.

Poema e dytë e shkruar në vitin 1939 është “Lajme nga Amiata”, edhe kjo e ndërtuar me tri pjesë ashtu si “Kohët e Belosguardos”, që përshkruan tri kohë të ndryshme.
Në kohën e parë, ku poeti ndodhet në një kthinë të vetmuar, ndërkohë që jashtë qetësia e një dite mjegullore vjeshte është gati për t’u prishur prej afrimit të një shtrëngate, ikona e gruas perëndeshë depërton vrullshëm e magjishëm në dhomë duke hapur një dritare të shndritshme në mur e duke praruar gjithçka rreth vetes. Figura e IrmësKlicia-s duket sikur i ka humbur tashmë tiparet mishtore dhe njerëzore dhe është kthyer në një figurë engjëllore dhe simbolike. Në këto vargje mund të themi se figura e Klicias i ngjason asaj të Bealtriçes, Laurës apo Silvias.

Fishekzjarri i motit të keq…

Fishekzjarri i motit të keq
do të jetë gumëzhimë kosheresh mbrëmjes vonë.
Dhoma ka trarë
të brejtur dhe një aromë pjeprash
depërton prej çatmasë. Shtëllunga
të buta që ngrejnë një luginë
elfësh e kërpudhash deri te koni i qashtër
në majë m’i veshin xhamat,
e prej këtu të shkruaj, nga kjo tryezë
e kahershme, nga qela prej mjalti
e një sfere të lëshuar në hapësirë –
kafazet e mbuluara, vatra
ku gështenjat shpërthejnë, njollat
prej egrasisë e myku janë pamja
ku pas pak do t’ia behësh. Jeta
që të kthen në përrallë është ende veç një grimë
nëse të përmban! Çel ikona jote
brendinë rrezatuese. Jashtë bie shi.

Në kohën e tretë, “Ky debat i krishterë…” nxjerr në dritë tashmë keqardhjen e poetit për humbjen e dashurisë, të përshkruar përmes tablosë së ëndrrës: kontakti, tashmë i pashpresë, bëhet i dukshëm nëpërmjet një fanitjeje të beftë në mes të natës: një pirg gjethesh të thata zhvendoset dhe shfaqen ca iriqë, si shenjë prej së dashurës. Currili i ujit ku kafshët pinë, shuan etjen edhe të vuajtjes së poetit.

Ky debat i krishterë që ka…

Ky debat i krishterë që ka
veç fjalë hijesh e vajtimesh,
çfarë të sjell prej meje? Më pak
nga ç’të ka rrëmbyer gjoli që zhytet
ëmbëlsisht në pusetën prej çimentoje.
Një rrotë mokre, një trung i vjetër,
kufijtë e mbramë të botës. Shbëhet
një turrë byku: e dalin vonë 
të bashkojnë pagjumësinë time me gjumin
tënd të thellë që i mirëpret, iriqët
do ta shuajnë etjen në një curril mëshire.

Në poezinë “Stanca të reja” Irma dhe poeti po luajnë shah. Këtu Irma nuk përfaqëson vdekjen, por jetën. Ndërsa fusha e shahut simbolizon Luftën e Dytë Botërore që është në prag.
Në këtë poezi figura e mistershme femërore, e ngjashme me një perëndeshë, përfaqëson vlerat më të epërme të kulturës dhe të qytetërimit, tashmë të kërcënuara rrezikshëm. Drita flakëruese e luftës, e përfaqësuar prej “pasqyrës djegëse”, lëbyr njerëzit e zakonshëm: verbimi i tyre nënkupton metaforikisht padijen dhe plogështinë e turmës. I vetmi shpëtim struket te “sytë e çeliktë” të gruas magjistare, e vetmja armë e vërtetë që i kundërvihet, sepse është e aftë të kthejë mbrapsht rrezen djegëse të “pasqyrës”. Ata që e përdorin këtë armë – ata të paktë të vetëdijshëm në “përgjimin / vetmitar” – do të dinë të thellohen në kuptimin e gjërave dhe do të arrijnë të depërtojnë në thelbin e ngjarjeve.

Kur shtjellat e fundit të duhanit,
me një gjest tëndin shuhen në pjatën
prej kristali, ngjitet ngathshëm drejt tavanit
spiralja e tymit
që oficeri e kuajt e shahut
e vështrojnë të shtangur; e unaza të reja
e pasojnë, më të lëvizshme se ato
të gishtave të tu.

***

Sot e di çfarë dëshiron; bie lehtë
kambana Martinela e u kall datën
siluetave të fildishta në një dritë
fantazme prej bornajës. Por në fund 
shpërblimin e përgjimit në vetmi e fiton, 
kush arrin bashkë me ty t’i kundërvërë pasqyrës djegëse 
që gurët e shahut verbon, 
sytë e tu prej çeliku.

Në botimin e dytë të vitit 1940 poeti do të shtojë edhe një motet të fundit që i kushtohet Klicias, e ku gruaja paraqitet tashmë si një engjëll që ka kryer një udhëtim të mundimshëm në zgafellat yjore. Akujt e atyre viseve kanë veshur ballin e saj; shtrëngata të furishme ia kanë shqyer flatrat: qenia e mbinatyrshme bie ndërkohë në një gjumë që ndërpritet hera-herës prej psherëtimave. Jashtë, njerëzimi i verbuar jeton pa e vënë re mrekullinë. Me një gjest shumë të ëmbël poeti përkujdeset për engjëllin e munduar, si i vetmi që mund ta vërejë praninë e saj në një botë të vrazhdë që e shpërfill këtë magji.

Të çliroj ballin prej akujve 
që mblodhe tek përshkoje majat
mjegullore; i ke flatrat e shqyera
prej cikloneve, zgjohesh e trembur.

Mesditë: mushmolla zgjaton dritares
hijen e zezë, ngulmon në qiell një diell
mardhacak; e hijet e tjera që dredhojnë
rrugicës nuk e dinë se je këtu.

Letra e fundit e letërkëmbimit të kësaj periudhe mban datën 11 dhjetor 1939. Montale shkruan: “Të dua më shumë se sytë e ballit dhe nuk e di pse jam ende gjallë: ndoshta vetëm pse ta kam premtuar ty? Gjithçka është kaq e shëmtuar.”
Kur kanë kaluar më shumë dyzet vjet nga takimi i fundit mes dy të dashuruarve kur Montale i shkruan në qershor 1981 fjalët e fundit të dashurës me një përzierje gjuhësh siç është e zakonshme në letrat e tij:
“Irma, / you’re still my Goddes, / my divinity / prie for you / for me. Forgive my prose. / Kur, si mund të takohemi?”.
Kurrë më, do të ishte përgjigja. Montale vdiq pak muaj më vonë, në shtator, duke lënë pas vetes një pasuri të çmuar krijimtarie dhe një histori të ndërlikuar dashurie.
Po në atë periudhë, e lodhur prej identifikimit me emrin e Klicias, – që sipas veprës së Ovidit është miti i gruas së dashuruar pas perëndisë së Diellit ndërkohë që perëndia dashuron një grua tjetër, një grua hakmarrëse, e vetësakrifikuar, shkatërruese e dashurisë së tjetrit, – Irma shkruan: “Më ka ardhur në majë të hundës identifikimi me Klician në poezinë e Montales. Kjo nuk është historia ime. Të kujton më tepër historinë e Xenia-s (me të cilën identifikohet në poezinë e Montales bashkëshortja e tij, Drusilla), por Xenia është ajo që merr gjithçka dëshiron duke hedhur baltë mbi mua, duke më fyer, duke përfituar në të gjitha format. Me sa duket nuk ka arritur të përfitojë atë që ishte më e rëndësishme për të: dashurinë e vërtetë të Montales”.
Në respekt të figurës së poetit, Irma Brandeis ia dorëzoi letërkëmbimin në vitin 1983 Kabinetit Vieusseux në Firence, me të drejtën e botimit vetëm pas njëzet vitesh, kur një pjesë e mirë e miqve dhe shokëve të poetit nuk do të ishin më në jetë. Dhe ashtu ndodhi, libri doli në shtyp më 2006 dhe u kthye shpejt në një objekt studimi nga kritika letrare e cila e shfrytëzoi dhe si mundësi për një riinterpretim të veprës së autorit, e sidomos të vëllimit “Rastet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *