Qasja në kulturë s’duhet të jetë një shans për disa, por një e drejtë reale për të gjithë!

kumbaro mirela

Nga Mirela Kumbaro

Prezantimi i programit të Kulturës 2017-2021 në Kuvend – 12.09.2017

A është Kultura e rëndësishme për Qeverinë “Rama 2” ?

Pa më të voglin dyshim!

Për të dytin mandat rresht, Programi ynë qeverisës,-  i cili në vitin 2013 krijoi Ministrinë e Kulturës si një të tillë të dedikuar për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë Kulturore, – vendos sërish t’i japë politikave kulturore dhe investimeve në kulturë një rëndësi thelbësore dhe të hapë perspektiva të reja për sektorin e kulturës.

Në mandatin e parë ne treguam se arritëm, ta nxjerrim Kulturën nga gropa e borxheve dhe gjendja e emergjencës. E kthyem Kulturën në prioritet dhe motor zhvillimi e pasaportë kombëtare.

Meqënëse jemi gati në përfundim të sezonit turistik veror më lejoni të ndaj me ju shifrat e fundit të vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore ku jo vetëm promovohet Kultura jonë kombëtare por, edhe tërhiqet pjesa më e madhe e turistëve duke e bërë Shqipërinë tashmë pjesë të axhendave kulturore dhe turistike ndërkombëtare:

– Rreth gjysëm milionë ishte numri i turistëve deri në gusht të këtij viti krahasuar me 220 000 të tillë në vitin 2013; ose 70 000 mijë vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, çka solli rritje me 3 herë të të ardhurave krahasuar me vitin 2013.

Vlen të përmenden disa thekse të forta të këtyre arritjeve siç është Muzeu Onufri ku numri i vizitorëve është rritur me 10 herë, dhe po aq në Kalanë e Gjirokastrës; ose në Kalanë e Shkodrës ku numri i vizitorëve në Rozafat këtë vit është 5 herë me i madh se viti 2013.

Dhe nuk është fasadë, sepse e gjitha kjo është shoqëruar me rritje të numrit të bizneseve me destinacion turistik. Dy hotele kishte Gjirokastra në vitin 2013, mbi 15 hotele e bujtina janë e hapur sot e vijojnë të ndërtohen në Qendrën Historike.

Në Korçë, pas ndërtimit të Muzeut të Kombëtar të Artit Mesjetar numri i vizitorëve u rrit 7 herë krahasuar me vitin 2013 ndërsa numri i turistëve në qytet është 15% më i lartë këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, falë rilindjes së Qendrës historike dhe Pazarit të Korçës.

A e dini ju se për rrjedhojë 20 bujtina u ndërtuan vitin e kaluar dhe 20 të tjera janë në ndërtim këtë vit, 90% e të cilave prenotohen tashmë online.

Më lejoni të theksoj se në 4 vitet 2013-2017:

Ministria e Kulturës ndërtoi një sistem të qendrueshëm menaxhimi të institucioneve publike të Kulturës përmes:

  • përzgjedhjes me konkurse;
  • pavarsisë së programacionit artistik
  • nxitjes së partneriteteve;
  • ndërtimit të programeve themelore në fushat e trashëgimisë kulturore, artit, librit, edukimit kulturor;
  • vendosjes së standardeve të cilësisë në organizim, muzealizim, dhe performancë artistike;
  • investimit në ndërtimin ose rindërtimin e institucioneve kulturore ku deri në atë ditë s’ishte ngulur asnjë gozhdë që nga dita që ishin ndërtuar.
  • zhvillimit të diplomacisë kulturore në nivele të larta ndërkombëtare;

Kuadri i plotë ligjor dhe zbatimi i tij në fushën e të drejtave të autorit është jo vetëm një premtimi ynë i mbajtur në sfidën e integrimit europian, por edhe një betejë e rëndësishme e fituar në luftën e gjatë kundër piraterisë.

Trashëgimia kulturore si motor zhvillimi dhe burim ekonomie të qendrueshme – është një risi absolute e qeverisjes sonë, e cila kombinoi programin e Rilindjes Urbane me atë të Qendrave Historike si një model suksesi të rijetëzimit të trashëgimisë kulturore dhe si burim ekonomie dhe zhvillimi – tashmë e kemi shijuar të gjithë rijetëzimin e trashëgimisë kulturore në Korçë, Berat, Krujë, Shkodër, e shumë shpejt edhe në Gjirokastër dhe Voskopojë

Ndërsa po hapim kantieret e restaurimit në Qendrat historike të Vlorës, të Dhermiut, të Vunoit e jo vetëm.

E për të gjithë ata që na akuzojnë se bëjmë fasada, sapo dëshmova se këto nuk janë investime fasadë por ekonomi, punësim dhe emancipim.

Por, ju siguroj se sa më e gjatë bëhet lista e arritjeve të mandatit të parë aq më të forta janë sfidat e këtij mandati të dytë.

Tashmë modeli i mirëmenaxhimit dhe i politikave nxitëse në lëmin e Kulturës është krijuar.

Por sfida e vazhdimit është shumë më e madhe se 4 vjet më parë.

Sfida është e 4fishtë:

  • sfidë cilësore: tashmë nuk flitet për emergjencë por për standard
  • sfidë financiare: tashmë nuk flitet për borxhe por për intensifikim të investimeve kulturore
  • sfidë e pavarësimit të kulturës e të skenës së pavarur nga strukturat shtetërore: duke shtuar burimet e financimit dhe partneritetet publik-privat
  • sfidë e shfrytëzimit të kulturës jo vetëm si krenari dhe estetikë por, edhe si burim ekonomie dhe turizmi.

 

Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Përkundër perceptimeve të cekta apo paragjykimeve të thella, Kultura nuk është luks me të cilën merremi pasi kemi zgjidhur problemet e ekzistencës!

QASJA NË KULTURË NUK DUHET TË JETË NJË SHANS PËR DISA POR NJË E DREJTË REALE PËR TË GJITHË! – dhe këtë nuk  shpikëm ne,

por ne kemi gjetur e vijojmë të ndërtojmë mekanizmat për ta jetësuar këtë filozofi.

Në këto 4 vjet rigjallërimi i institucioneve të artit dhe kulturës, zgjoi interesin e njerëzve ndaj “Ngjarjes” kulturore.

Për qeverinë e re është shumë e qartë rëndësia që luajnë rikthimi i publikut dhe zhvillimi i sektorit kulturor jo vetëm për artistët dhe profesionistët e artit, por sidomos për edukimin e fëmijëve dhe më gjerë të popullsisë, për kohezionin social por edhe për krijimin e një sektori të ri punësimi në turizmin dhe biznesin kulturor.

Investimet e nisura në qeverisjen 2013-2017 do të vijojnë.

Pasi ndërtuam 4 muze të standartit europian:

Muzeu Arkeologjik në Durrës,

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në Shkodër,

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë,

Muzeu Kombëtar i Shtëpisë me Gjethe;

rikonstruktuam 2 teatro në dy qytete të rëndësishëm të Kulturës, Teatri Migjeni në Shkodër dhe Teatri Çajupi në Korçë ;

brenda mandatit 2017-2021

  • do të përfundojnë punimet për rikonstruksionin e plotë të Teatrit të Operas dhe Baletit,
  • do të përfundoje teatri i ri Turbina me dy skena,
  • gjithashtu do të investohet në projekte kulturore multifunksionale në qytete ku Rilindja urbane ka rritur ndjeshëm interesin për kulturën siç është Fieri, Vlora, Shkodra, duke krijuar kështu perspektivën e delokalizimit të poleve kulturore për “Shqipërinë Që Duam”.

Në Tiranë, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës, investimet kulturore do të kenë tri prioritete të mëdha në këtë mandat të dytë:

  • rikualifikim dhe rikonceptim të funksionit të Muzeut Historik Kombëtar,
  • rikonstruksion dhe rikonceptim të funksionit të Bibliotekës Kombëtare
  • rehabilitim dhe rifunksionalizim të Galerisë Kombëtare të Arteve

Kjo tipologji investimesh do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së ofertës kulturore dhe në edukimin e publikut të gjerë.

Dëgjova sot këtu të kritikohej programi i kësaj qeverie “edukimi përmes kulturës” e madje të cilësohej edhe si sovjetike!!

Ne e kemi nisur këtë risi që në mandatin pararendës dhe askush, asnjëherë nuk e kritikoi! Përkundrazi! Madje tani do ta shtrijmë në çdo qytet.

Po ta zemë se u gabuam… Po pse atëhere Franca, Italia, Gjermania, Britania e Madhe, me gjithë atë histori kulturore e shtete me vokacion kulturor që kanë, e theksojnë sot si prioritet të ditës? A thua të jenë sovjetikë?!

Po qe se kështu është, “sovjetiku” Emmanuel Macron vetëm pak ditë më parë në Athinë, duke folur për të ardhmen e Europës dhe për krizën greke, tha se “ajo që na bën europianë dhe që na bashkon para së gjithash është Kultura! dhe me qëllim që të ringjallim sërish besimin mes nesh, nga Kultura duhet ta fillojmë!”

I kulturar nuk lind por bëhesh, pra edukohesh!

Sot pasdite, inaguruam bashkë me kryetarin e Bashkisë Tiranë Shkollën krejtësisht të rinuar të Baletit ku formohen yjet e skenës së ardhshme, po nuk mjafton formimi I artistëve po s’formuam dhe edukuam edhe publikun e artit.

Prandaj në vizionin e kësaj Qeverie, kultura nuk është vetëm një plotësim shpirtëror por një domosdoshmëri në përditshmërinë e të rinjve.

Për këtë arsye, thellimi i reformës në institucionet e artit dhe në politikat kulturore do të theksojë “edukimin përmes kulturës”. Ky program nisi të formësohet në 4 vitet e para dhe tregoi se sa nevojë e interes ka, dhe se sa i etur është publiku për të.

Edukimi gjithëpërfshirës me art e kulturë përmes kurrikulave të shkollës nga njëra anë dhe futja e linjës pedagogjike dhe edukative në çdo institucion arti dhe kulture nga ana tjetër, do të jetë prioritet në mandatin e dytë dhe do të kthehet në program kombëtar në Shqipëri.

Do të vihet në zbatim strategjia e kulturës Shqipëria 2017-2025, ku përveç programeve publike, arti dhe kultura do të bëhen tërheqës për biznesin dhe financuesit e tjerë jo publikë përmes rregullave të reja të mecenatit dhe të lehtësirave fiskale.

 Trashëgimia Kulturore, ka një potencial të jashtëzakonshëm, ende të pashfrytëzuar sa duhet, për t’u bërë motor zhvillimi turistik dhe për të prodhuar ekonomi duke ruajtur në të njëjtën kohë pasuritë kulturore.

Prioritet do të marrë restaurimi i qendrave historike të fshatrave me potencial turistik përmes programit të Rilindjes Rurale, si QH Rehovë në Kolonjë, QH Theth Shkodër, QH Përmet, dhe jo vetëm.

Programi i qeverisë 2017-2021 do t’i përgjigjet interesit për turizëm kulturor me oferta itineraresh të reja turiske si “Rrugët e besimit”, nga Veriu në Jug, duke gjurmuar vendet e kultit më tipike dhe përfaqsuese jo vetëm të kulturës dhe artit por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptar.

Rigjallërimi i korridoreve të vjetra historike ose tregëtare si “via Egnatia”, do të krijojë një ofertë të re që ndërthur pejsazhin natyror me atë kulturor.

Një tjetër projekt i rëndësishëm i programit të Qeverisë për kulturën do të jenë “Rrugët e Kujtesës” që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik të vendeve të ish diktaturës, jo vetëm si vende për të kujtuar viktimat dhe për të mos harruar të keqen por edhe për t’u treguar vizitorëve të rinj këtë pjesë të historisë së Shqipërisë.

Të nderuar kolegë,

Dua të them se ky mandat në qeverisjen kulturore nuk është thjesht një vazhdim i të parit.

Është një mandat i ri.

Me thellimin e reformave në menaxhimin e trashëgimisë kulturore.

Me vizion të qartë për të konsoliduar Skenën e pavarur të kulturës.

Dhe këtë do ta bëjmë me partnerët tanë por, sidomos me njerëzit e kantiereve të Kulturës

Krejt së fundi, disa prej tyre, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Kinemasë, nën drejtimin e regjisorit të talentuar Gentian Koçi, sapo kanë realizuar një projekt filmik që ia vlen e na nderon, dhe me të cilin fituam ditë më parë, një Çmim prestigjioz në Festivalin e Sarajevës.

Prandaj të dashur miq, këtë të enjte në mbrëmje jeni të ftuar në premierën e këtij filmi “Dita zë fill”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *