Poezia në skulpturën e Idriz Balanit

Nga ALISA VELAJ

Artet janë përherë në një marrëdhënie të vazhdueshme mes tyre. Përgjatë epokave, të kaluara dhe në vijim kemi piktorë të frymëzuar nga poezia, poetë të frymëzuar nga piktura, muzikantë të habitur nga pikturat, poezia lirike, epike, drama…

Skulptura dhe poezia janë gjithashtu dy fusha me ndikime të fuqishme mes tyre. Në fund të fundit a nuk janë poetët dhe shkrimtarët mjeshtra të gdhendjes së fjalës nën daltën e frymëzimit dhe skulptorët poetë të gurit?

Skulptori shqiptar Idriz Balani është padyshim nje poet i gurit. Në vizitat e shpeshta që u kam bërë skulpturave të tij në studion vetjake të Balanit në Durrës prek pikërisht këtë dimension, poezinë dhe pikërisht poezinë heroike. Çdo vajtje në këtë studio është një takim me skulpturat, një vizitë siç mund t’i bëhet një miku real, ngase janë aq të vërteta dhe plot jetë krijesat e tij, shumica historike dhe legjendare.

Mjeshtër i padiskutueshëm i poetreteve Balani duket se është “mik” i secilës skulpturë, i secilit personazh. Ndaj ndërsa ndalem nga njëri krijim tek tjetri, bëhem dhe unë mike me këto qenie prej guri…

E gjithë kjo ndodh pasi skulpturat e tij janë plot shpirt, plot poezi. Ato janë gati të ecin, të vijnë drejt teje edhe kur bën të largohesh nga studioja ku nisin jetën e tyre, për t’u vënë më pas në sheshe të ndryshme në Shqiperi, apo kudo ku ka qytete shqiptare jashtë kufijve.

Pse kaq figura historike e kam pyetur shpesh veten kur kam njohur skulptorin? Përgjigjen e kam sot mjaft te qarte. Idrizi si çdo artist i vërtetë është bir i kombit të tij. Asnjë përpjekje e artit veç për art  (madje dhe më fanatikët në këtë kontekst) nuk do ta mbante asnjë krijues të shkëputur nga ngjarjet e shoqërise dhe kombit të vet. Idriz Balani është bir i denjë i një krahine me një fisnikëri të jashtezakonshme, Çamërisë së tij halleshumë. Asaj plage që kullon gjak dhe sot pavarësisht dekadave që ikin! Ai është rritur me dhimbjen e një atdheu të copëtuar që në fëmijërinë e tij të hershme. Një dhimbje që ka për ta ndjerë përherë çdo shqiptar i vërtetë, porse plaga ndihet më shumë kur lë vragë direkt në trupin tënd dhe në këtë kuptim, më të ndjeshmit janë shqiptarët më të sakrifikuar; vëllezërit tanë çamë, kosovarë, ulqinakë, metvegjas etj etj.

Është kjo sipas meje një nga arsyet pse skulptori Idriz Balani ka gdhendur me daltën e tij aq shumë figura historike, shumë të dëgjuara në rang kombëtar, apo më pak të dëgjuara, por që të gjitha së bashku kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e asaj që më pëlqen ta quaj Shqipëria jonë shpirtërore.

Heroikja në këto skulptura ngjizet përmes një “vështrimi krenar” që të vjen prej çdo personazhi. Janë pikërisht këto vështrime që të impresionojnë sapo hyn në studio. Sytë e këtyre skulpturave dialogojnë me ty si të jenë sy të vërtetë njerëzorë. Mandej e gjithë skulptura të rrëmben me një lloj “force karakteri” që i përshkon tej e tej këta luftëtarë fisnikë.

Nga portretet e shumta do të veçoja dy portrete; atë të Fan Nolit dhe të skulptorit shqiptar me banim në France, Omer Kaleshit.

Fan Noli vjen si një prift shqiptar, me një shmangie të dukshme të elementëve që do e paraqisnin thjesht si një prift të zakontë ortodoks dhe pikërisht kjo lloj shmangie përbën një vlerë të shtuar të kësaj skulpture.

Omer Kaleshi, apo skulptori i kokëve është gdhendur me një mjeshtëri të rrallë. (E them këtë nisur nga fakti se kam pasur fatin ta shoh nga afër skulptorin Kaleshi). Si për t’i qëndruar besnik artit të kolegut, Balani paraqet në skulpturë vetëm kokën e Kaleshit. Një kokë që kullon pikëllim, monologon me veten, dialogon me ty dhe pas një soditje të gjatë t’i largohesh prej saj me një ndjenjë të çuditshme plotnie enigmatike. Mbushur përplot me soditje dhe në anë tjetër me atë lloj pikëllimi që të krijojnë “sytë” plot ankth të portretit të Kaleshit.

 

Lirika është e rrallë në skulpturën e Balanit. Po t’i sodisësh me kujdes amazonat e tij,  përveçse luftëtare, ato karakterizohen dhe nga një lloj feminiteti shumë i përkorë. Ndërkohë diku në një kënd të studios portreti i një femre në ekstazë dashurie, ëndërrimi apo kushedi çfarë.

Nisur nga të gjitha këto cilësi që përmënda, mund të them pa asnjë dyshim se skulptori Idriz Balani është një poet i gurit./Pasqyre.al

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *