Plaga e mahisur e kulturës gjuhësore në universitet

Nga prof. dr. Emil Lafe – Lexova me kureshtje dhe me interesim artikullin e “Domosdoshmëria e gjuhës shqipe në universitete” të shkruar nga Helena Halilaj (“Gazeta shqiptare”, 9 mars 2018). Autorja nuk vjen nga radhët e studiuesve a të pedagogëve të gjuhës, por si qytetare e përgjegjshme, e ndien se duhet të thotë fjalën e vet për këtë çështje dhe sjell si mbështetje thënien e njohur të filozofit gjerman Martin Heidegger (1889-1976): “Gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”. Dhe që në fillim duhet të them se ne gjuhëtarët, si unë me kolegët e mi, ndihemi ngrohtë kur na dalin krah dashamirë e intelektualë të vetëdijshëm, që shkruajnë në shtyp për rëndësinë e kulturës gjuhësore në një shoqëri synon të ecë përpara në rrugën e diturisë, në një shoqëri që është udhëhequr që herët nga mësimi “… dhe drit’e diturisë përpara do të na shpjerë”. Prandaj dua jo vetëm ta përgëzoj, por edhe ta falënderoj znj. Helena Halilaj. Me një ndjenjë të spikatur përgjegjësie intelektuale, ajo thekson që në fillim të shkrimit të saj: “Gjuha nuk pranon shkujdesje, nuk pranon të trajtohet si gjë e zakonshme. Gjuha ka nevojë të mbrohet, të ruhet si gjë e shtrenjtë e të parëve. Gjuha është shenjë e qytetërimit të një populli, sepse mënyra se si sillet njeriu me gjuhën tregon kulturën e tij.”

Shqetësime si ato të znj. H. Halilaj kanë gjetur shprehje herë pas here edhe në forume të ndryshme gjuhëtarësh dhe tani së fundi në një veprimtari të zhvilluar në Bibliotekën e Kryeministrisë me rastin e ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare (21 shkurt). Dëshiroj të theksoj me këtë rast organizimin e mirë të kësaj veprimtarie nga aparati i asaj biblioteke, që bëri të mundur pjesëmarrje të gjerë edhe nga Kosova e nga Maqedonia, si edhe diskutime të frytshme. Kërkesa për mësimin e gjuhës shqipe në universitet, veçanërisht në disa fakultete ku saktësia e përdorimit të gjuhës merr rëndësi të veçantë, si p.sh. në fushën e drejtësisë, të historisë, të shkencave sociale, të ekonomisë, të arteve, është shtruar dhe përsëritur herë pas here.

Unë dhe mjaft kolegë të mi e kemi përkrahur këtë kërkesë në raste të ndryshme. Si rezultat, me sa jam në dijeni, ka fakultete në Universitetin e Tiranës, p.sh. Fakulteti i Ekonomisë, ku zhvillohet lënda e kulturës gjuhësore (si lëndë me zgjedhje), dhe, kur bashkohen aftësia e pedagogut me nivelin e përshtatshëm intelektual të studentëve, kjo lëndë ndiqet me përfitim, ndihet si e dobishme dhe e nevojshme për jetën profesionale të gjithkujt. Por a është ky çelësi i ngritjes së kulturës gjuhësore në mjediset universitare? Mendoj se jo. Çështja është më e gjerë dhe kërkon një varg masash të menjëhershme. Bashkë me kolegë të tjerë me të cilët ndajmë këto shqetësime, kemi bindjen se pa kërkesa të larta e përshtatshme për kulturën gjuhësore të pedagogëve, të administratës së universiteteve e të teksteve universitare, nuk mund ketë ngritje të vërtetë të kulturës gjuhësore te brezat e atyre që dalin nga bankat e universiteteve tona. Do të përmend një rast konkret. Gjatë një vizite në rrethin e të njohurve të mi tani së fundi, në kohën e sesionit të provimeve të dimrit (që kudo në universitetet tona quhet gabimisht sezon! – edhe kjo një shenjë e shpërfilljes së kulturës gjuhësore), miqtë e mi më treguan se ç’po hiqte fëmija i tyre dhe bashkë me të edhe ata, për të kuptuar gjuhën shqipe të tekstit të lëndës “Psikologjia gjyqësore” (Botimet “Barleti”, Tiranë, 2017, ISBN 978-9928-238-455-0). Ma treguan si për të më thënë: Hë, kemi faj ne që nuk e kuptojmë? – dhe mbeta i befasuar, e mund të them edhe i shokuar nga paraqitja gjuhësore e këtij teksti. Për zbatim të rregullave të drejtshkrimit e të gramatikës as që bëhej fjalë. Aty ku duhej shkronja ë, në gjysmat e rasteve, në mos më shumë, në mënyrën më të çrregullt, ishte shtypur shkronja e ose as njëra e as tjetra. Por nuk është vetëm kjo. Në çdo faqe gjendeshin formulime të tipit abrakadabra ose të tilla si “arsyeja e mosarsyes që i bëhet arsyes sime ….”, me të cilat miqtë e mi jepnin e merrnin dhe nuk ua nxirrnin dot kuptimin që t’ia shpjegonin fëmijës së tyre. Ja disa prej tyre (të riprodhuara shkronjë për shkronjë si në tekstin origjinal):

“Prejardhja eshte ne nevojat permbajtje dhe zhvillim te psikikes si sistem rregullues. Nevoja nga stimulimi optimal eshte e lidhur me mbajtjen e gjendjes dhe inkurajimit.” (f. 67); “E kundërta e përhapjes së mendimit të përgjithshëm, ku rrethi social ka një kuptim zgjidhës për formimin e personalitetit, studimet tregojnë se bazat karakteristike të personalitetit ndikohen dobët nga faktorët sociale. Midis tyre një kuptim kryesor ka rrethi familjar për të cilin është thënë që në shkallën më të madhe ndikon në formimin përfundimtar te tendencës se lënë peng biologjike te personalitetit.” (f. 46); “… personaliteti është një arsimim i rezistueshëm i vendosur nga komponentë ndarës, si uni social, norma, vlera, përvoja individuale dhe të tjera” (f. 36); “Në psikologji është e njohur që shumë herë paraqitjet subjektive të cilësive e tij nuk i përgjigjen nivelit të tyre objektiv.” (59); “Dukshëm mund të themi që prishja socializuese dhe mosperpunimi i traumave te perjetuara ne etapat e para te formimit te personalitetit kane nje rol te dukshem ndaj këtyre problemeve, ku ekzekutuesit e vrasjeve me pagese takojnë ne adaptimin social ne moshe me te madhe. Bashke me këto, ata formohen ose me rrjedhën e rrethanave bien pre ne mjedisin e eger te grupeve kriminale, ku shpejt dhe pa kritika shfaqin dhe kopjojnë sjelljet kriminale.” (f. 35); “Sistemi i bindjeve është tablo subjektive për realitetin, të cilët njerëzit rregullisht frikohen të pohojnë dhe të mbajnë vlefshmërinë e saj”. (f. 90).

Mjaftojnë kaq shembuj për të kuptuar se ç’dhimbje koke të jep leximi i këtij teksti dhe çfarë makthi është të jesh i detyruar të japësh provim me një tekst të tillë! Diskutimi rreth gjuhës së këtij teksti në familjen e miqve të mi më bëri t’i shtroj vetes pyetjen: kultura gjuhësore e pedagogëve të universiteteve a mos është më e ulët se kultura gjuhësore e studentëve të mirë? Kam vënë re se sot ka mjaft gjimnazistë me njohuri të mira në fushën e kulturës së gjuhës, që janë të ndjeshëm ndaj gabimeve të ndryshme drejtshkrimore e gramatikore, ndaj fjalëve të huaja të panevojshme, ndaj shprehjeve stilistikisht të papërshtatshme. Ata kanë mësuar në shkollë, p.sh., që është gabim të thuhet kush qytet, kush ligj, me kë profesor, vendi jonë, dhe u vjen keq e habi kur i dëgjojnë nga profesorët e universiteteve (pse të jenë kaq prapa nga kultura gjuhësore këta profesorët tanë!). Përballë kësaj gjendjeje të vjen ndërmend shprehja se “demi” i kulturës gjuhësore në universitet duhet zënë nga brirët! Po kush ta zërë? Sigurisht ata që e kanë për detyrë dhe që kanë forcën ligjore për këtë, e në rashë të parë Ministria e Arsimit. Kjo ministri i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë që ta marrë në shqyrtim gjendjen, të vendosë masat për përmirësim dhe të ndjekë zbatimin e tyre. Cilat mund të ishin disa nga këto masa:

Së pari, asnjë tekst universitar të mos quhet i vlefshëm pa qenë i miratuar nga departamenti, nga fakulteti dhe/ose nga universiteti përkatës në bazë të recensioneve të specialistëve, të cilët mbajnë përgjegjësi shkencore për vlerësimet e tyre. Jashtë këtyre kushteve asnjë libër nuk duhet të lejohet për t’u përdorur si tekst mësimor. Libri “Psikologjia gjyqësore”, që u përmend më sipër, ka të shënuar vetëm: Botimet “Barleti” e asgjë më shumë!).
Së dyti, çdo tekst, duhet të ketë të shënuar një redaktor letrar, i cili mund të jetë edhe vetë autori, në rast se ky i del zot asaj pune dhe mban përgjegjësinë për të. Redaktimi letrar të jetë kusht për miratimin si tekst nga departamenti ose fakulteti përkatës. Në veprimtarinë e zhvilluar në Kryeministri me rastin e ditës së gjuhës amtare, kolegë nga Kosova e nga Maqedonia thanë se atje asnjë botim nuk del pa një redaktim gjuhësor dhe pa emrin e redaktorit përkatës. Le të marrim shembull prej kësaj praktike të dobishme të vëllezërve tanë! E njëjta gjë, d.m.th. redaktimi letrar, të kërkohet edhe për disertacionet e paraqitura për marrjen e gradës shkencore “doktor”: punimi përkatës duhet të ketë kaluar nëpër një redaktim letrar të kujdesshëm dhe emri i redaktorit letrar të jetë i shënuar. Pa këtë kusht, të mos jepet leja e mbrojtjes. Që këtu nis kujdesi për gjuhën e veprave të shkencëtarëve të ardhshëm. Dihet se disertacione me të meta gjuhësore e teknike nuk pranohen për mbrojtje. Prandaj pranë qendrave universitare gjen zyra me tabela të tilla “Bëjmë redaktimin dhe përgatitjen për shtyp të disertacioneve”. Këtu del nevoja që profesioni i redaktorit letrar të fitohet nëpërmjet një programi kualifikimi dhe të jepet për këtë dëshmia përkatëse e njohjes së aftësisë nga ana e shtetit.

Së treti, të nxitet veprimtaria studimore dhe praktike në fushën e kulturës së gjuhës. Problemet që kanë dalë e që dalin janë të shumta dhe jo gjithnjë zgjidhjet janë të gatshme. Numri i pedagogëve universitarë të gjuhës shqipe e të gjuhëve të huaja dhe numri i studiuesve në këto fusha është shumëfishuar në krahasim me 20 vjet më parë. Në këto rrethana del e nevojshme të rifillojë botimi i revistës “Gjuha jonë”, e themeluar më 1981 me propozimin e prof. Eqrem Çabejt, por e ngulfatur më 2009, sepse vija e saj për mbrojtjen e shqipes letrare dhe për përhapjen e kulturës gjuhësore binte ndesh me të ashtuquajturat “ide të guximshme gjuhësore” të drejtuesve të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe të Këshillit fatkeq ndërakademik. Për fat të mirë, revista “Gjuha shqipe” e Institutit Albanologjik të Prishtinës, e themeluar më 1982, po vijon të botohet rregullisht, duke lënë pas vitet e ndërprerjes nga shtypja e shovinizmit serb. Kjo revistë ka meritë të veçantë jo vetëm për rrahjen shkencore të problemeve, por edhe për përhapjen e njohurive gjuhësore në masat e arsimtarëve dhe të njerëzve të letrave në Kosovë e më gjerë. Rifillimi i botimit të revistës “Gjuha jonë” në Tiranë është domosdoshmëri e pashmangshme dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë Ministrisë së Arsimit, sepse kjo revistë ka qenë dhe duhet të jetë një mjet ndihmës i dorës së parë për mësimin e gjuhës amtare në shkollë dhe kualifikimin e vijueshëm të mësuesve.

Ndodh ndonjëherë që, po të mos e shikosh diçka me sytë e tu, nuk do të besoje sa ka një gjë të tillë. E kam fjalën përsëri për tekstin “Psikologjia gjyqësore”. Nga fundi i tekstit (f. 103) ka një pjesë me titullin “Stokholmski sindrom”, që shpjegohet shqip në kllapa (Sindroma e Stokholmit). Kjo zbulon edhe që teksti në një pjesë të mirë është një përkthim i dobët nga gjuhë sllave (bullgarisht e rusisht, – te literatura në f. 141 përmenden burime në këto gjuhë) dhe që përkthimin mund ta ketë bërë shkel e shko edhe dikush tjetër, që nuk e di p.sh. se thuhet psikanalizë e jo psikoanalizë, që shqip thuhet adekuat dhe jo adekvat, ose që Sverige është emri i Suedisë në gjuhën suedeze, pra Sverige është vetë Suedia! Kam dëgjuar edhe tjetër herë ankime për gjuhën e teksteve universitare, veçanërisht të atyre që studentët detyrohen t’i blejnë me çmime skandaloze që pasurojnë pedagogët e paskrupullt. Nuk është e tepërt që në këtë çështje shqetësuese të vërë dorë Ministria e Arsimit dhe vetë universitetet, po ashtu një varg organizmash që hetojnë shkelje e shpërdorime të natyrave të ndryshme. Populli ka thënë me kohë që, qeveria kur do, e zë lepurin me qerre, e tani po thuhet që qeveria, kur do, e bën lepurin të kërcejë vetë në qerre! Natyrisht qeveria ka shumë punë, por, le ta përsërisim: “Gjuha nuk pranon shkujdesje, nuk pranon të trajtohet si gjë e zakonshme. Gjuha ka nevojë të mbrohet, të ruhet si gjë e shtrenjtë e të parëve. Gjuha është shenjë e qytetërimit të një populli, sepse mënyra se si sillet njeriu me gjuhën, tregon kulturën e tij”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *