“Përkthyesi” i Maks Velos në COD

 

Maks Velo prezanton përmbledhjen me tregime “Përkthyesi”, në Bibliotekën e Kryeministrisë, në prani të dashamirësve të librit, shkrimtarëve,gazetarëve, botuesve dhe studentëve.

Takimi është i hapur për mediat.
Autori i librit dhe Ben Andoni, gazetar në panel, ndërveprojnë me të ftuarit në një
bisedë të zgjeruar mbi veprën, letërsinë dhe raportin e saj me të vërtetën.
Alda Bardhyli moderon takimin e parë të një serie prezantimesh në COD, ku shtëpi
të ndryshme botuese dhe autorë të spikatur prezantohen në Bibliotekën e Kryeministrisë,
duke trajtuar tematika të së shkuarës dhe aktualitetit, duke përballur mendësi dhe
zgjedhje e duke nxitur dialogun për çështje të interesit publik.
Përmbledhja me tregime “Përkthyesi” e Maks Velos, sapo është botuar nga UET Press dhe “Mapo Editions”. Vepra i përket letërsisë së kujtesës dhe sjell personazhe e ngjarje nga e shkuara e autorit, gjatë dënimit në burgun e Spaçit.

Velo arrin të kthejë në fiction personazhe reale, duke përdorur shpesh sarkazëm në përshkrimin tragjikomik të jetëve në ato vite. Tregimet janë shkruar në kohë të ndryshme, secili prej personazheve është risjellë në tone e ngjyra pas reflektimit disavjeçar të autorit, me qasje origjinale dhe këndvështrime interesante.
Sipas Ben Andonit, “Maks Velo përdor një burim të pashtershëm dokumentar dhe
është shumë e vështirë që një material të tillë ta kthesh në tregim. Ai di t’i ruajë
kanonet, për shkak të profesionit të tij”. Letërsia e Velos nuk zbulon vetëm përvojat
individuale, por të gjithë realitetin e asaj kohe, me dëshmi sesi përvoja, kujtesa dhe
vetë jeta e tij mund të kthehen në letërsi të mirëfilltë artistike.
Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht 1935. Ai përfaqëson figurën komplekse të një
intelektuali, arkitekti, piktori, studiuesi, analisti, publicisti dhe shkrimtari. Velo ka pasur
jetë të vështirë, qëkur në punët e viteve 1960-1978 pasqyroi ndikimin e artit modern
dhe postmodern europian. Për krijimtarinë e tij artistike u dënua me burg në minierat
e kampit të Spaçit, jetë që e përshkruan pas viteve 1990 në botimet e tij,
memuaristike dhe publicistike. Nga 1990 e në vazhdim, Velo ka hapur më shumë se
40 ekspozita vetjake, shumica e të cilave jashtë Shqipërisë dhe ka shumë botime në
art, arkitekturë, studime dhe letërsi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *