Për gratë që lanë gjurmë

Nga Iva Tiço

Që 8 Marsi sot do shoqërohet gjithandej me shkrime-ankime për mungesat e protestave në Ditën e Gruas, por edhe me foto grash të gëzuara që festojnë, kjo është një gjë që dihet. Vit pas viti përsëritet i njëjti skenar, me protesta, me festa dhe me ato përmidis, që ankohen dhe grinden dhe me rrobat e trupit, që nuk bëjnë asgjë dhe që u japin mend atyre që bëjnë… Ne, në “Tirana Post”, kemi vendosur t’I bëjmë të gjitha: t’u japim zë me shkrimet tona të gjitha atyre që kanë diçka për të thënë, të përcjellim protestat e tyre, të shfaqim bukurinë e tyre, të bëhemi pjesë e festës së tyre, por të bëjmë dhe festën tonë… Në redaksi jemi shumica, siç kemi dhe shumicën e ndjekësve dhe lexuesve tanë. Por kjo nuk na bën aspak portal femëror, edhe pse kur na e thonë që jemi paska ndryshe, me një prekje më “femërore”, na vjen si kompliment i bukur… E nëse sot, me rastin e 8 Marsit, ndër të tjera kemi zgjedhur të shfaqim herë pas here në faqen tonë edhe “portretthe” (do ishte mëtim e madh të shkruanim portrete të plota) grash që kanë lënë gjurmë në jetën shqiptare, këtë nuk e kemi bërë për të treguar se gratë janë më të mira se burrat, apo se gratë janë nën hijen e burrave, apo se u janë mohuar vlerat dhe kontributet, ndaj dhe ne po i rinxjerrim… Aspak! Gratë në këtë vend, ashtu si edhe burrat, kanë kontribute të vogla e të mëdha. Kush ka bërë beteja të mëdha emancipimi, kush ka luftuar në mjedisin e vet të vogël; kush është bërë frymëzuese për të gjitha, kush është bërë heroinë e shembull vetëm për fëmijët e saj; kush ka shkëlqyer në skenat e mëdha, kush ka ndritur brenda mureve të shtëpisë; kush ka ngritur zemrat peshë, kush ka bërë zemrën gur… Gratë e këtij vendi nuk kanë asgjë më pak nga Zhan D’Arkat dhe Merlin Monrotë e botës.

Disa ditë përpara 8 Marsit, ndërsa diskutonim në redaksi se si të bënim një “speciale” me to, një tip liste me 10 gra për shembull, nga dhjetë fusha të ndryshme, intervista apo portrete, foto apo video, kuptuam që nuk mundeshim kurrsesi t’i fusnim të gjitha brenda një kornize të tillë të ngushtë. Numrat janë të kotë në këtë rast, një emër sillte një tjetër emër, mikeshë, të ngjashme, konkurrente, rivale… Ndaj e lamë të lirë: le t’i postojmë përgjatë gjithë ditës gratë tona të njohura. Të gjitha ato që kanë lënë gjurmë në jetën shqiptare, në letërsi, histori, në art, në skenë, ekran, në shkencë… Pas një diskutimi të gjatë, vendosëm që të lëmë jashtë politikën, edhe pse sot që flasim gratë kanë më shumë arritje se kurrë: kemi për të parën herë një parti të drejtuar nga një grua, kemi një tjetër grua që konkurron në sekretariatet evropiane dhe pjesëmarrjen më të lartë në parlament dhe qeveri… Por meqë shumicën e ditës politika dhe protagonistet e saj marrin gjithë vëmendjen, sot do ia kushtojmë ditën grave që kanë lënë gjurmë në fusha të tjera. Në një botim modest, që nuk pretendon të nxjerrë as më të çmuarat e as më të famshmet, le të kujtojmë ato që mbajmë mend, që i kemi pasur idhull, që na kanë hapur sytë, që na kanë vënë në mendime apo që na kanë ndryshuar jetën. Deri në mbrëmje “listat” mund t’i ndryshojmë, çdo kontribut, edhe i lexuesve, është i mirëpritur… Sepse si çdo listë e hartuar nëpër redaksi, dhe jo në skrupolozitet studiuesish, lë vend për heqje të kësaj, shtim të asaj, korrigjim të një gjëje tjetër.

Gjithsesi, “zonjat” e mëdha, ato me më shumë peshë, nuk besoj se mungojnë këtu. Edhe pse në një nga shkrimet e tij, botuar në “Mëngjeset në kafe Rostand”, Ismail Kadaresë, më tepër sesa zonja me peshë, i ngjajnë me xixëllonjat (edhe pse ai e ka fjalën për shkrimtaret, më pëlqen që në këtë rast krahasimin ta zgjeroj dhe përtej letërsisë). Për të, këto gra janë si xixëllonjat, që shfaqen në një kohë të shkurtër diku midis pranverës dhe verës dhe janë pikërisht ato dëshmia për pastërtinë dhe harmoninë e një mjedisi. Kur helmet dhe urrejtja shtohen, ato tremben e ikin…

Le të shpresojmë për një stinë me të kthjellët, duke ndjekur gjurmët e së shkuarës dhe duke pritur xixëllimat e reja./Tiranapost.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *