Omer: një laps dhe një letër, pas gjashtëdhjetë vjetësh

Luan Rama
– Mjeshtër ç’kërkoni ? – i tha një vajzë Omerit në një dyqan artikujsh për pikturën.
Omeri ktheu kokën dhe u habit kur pa atë fytyrë të qeshur të asaj vajze që vite më parë e takonte në restorantin e mikut të tij, «Verre à pied» ku shpesh drekonte me shqiptarët dhe ballkanasit që vinin në Paris.
– Po ju këtu ?
– Tani kam ardhur këtu… ja pra, gjithnjë me pasionin e pikturës. Do blini ngjyra apo… ?
– Ah, jo, kësaj rradhe me duhet veçse laps dhe letër vizatimi.
– Ashtu ? – u habit ajo, pasi mjeshtri vetëm pikturonte tablo në bojë vaji. Kjo ishte teknika e tij : as peizazhe, as akuarel, tush, guash, etj… vetëm me bojë vaji dhe kjo e përdorur me një spatul, si të ishte një bojazhi e jo piktor.
– Po i rikthehem vizatimit pas 60 vjetësh, – qeshi Omeri me mustaqet e zbardhura të tij…. – Por nuk di çfarë lapsi duhet të përdor dhe çfarë lloj letre.
– Eja këndej, – i tha ajo pasi mendoi një çast dhe e drejtoi nga cepi i dyqanit. – Për laps mund të përdorni këtë lloj, nr. 8, është i trashë dhe disi i yndyrshëm… por merrni dhe nr. 6 dhe 4 që janë më fin.
Pastaj ajo i zgjodhi dhe letrën e vizatimit dhe kështu me to në duar Omeri u kthye në atelierin e tij të katit të shtatë të Bulevardit « Arago » ku çatia e tij pikëtakohet me qiellin… kthehej me një mision të çuditshëm : të vizatonte ! Iu kujtuan vitet e studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll kur pasioni që të bëhej piktor e kishte pushtuar të gjithin. E megjithatë, nga ato vite vetëm një vizatim i kishte mbetur : një « trung kërcu » që profesori i tij Bedri Rrahmi u kishte vendosur në klasë nxënësve që ta vizatonin. Pas akademisë, Omeri nuk iu rikthye asnjëherë vizatimi : bota e tij ishin ngjyrat, e kuqja e zgjedhur si ngjyra fetishe e tij dhe dy të parapëlqyerit e tij, Goya dhe Rembrandt.
Omeri mbante mend kur në vitin e parë bënin vetëm vizatim dhe profesori tjetër Halil Dikman, i cili kishte studjuar në Francë dhe mbante një borsalino në rrugët e Stambollit, i vinte studentët të vizatonin sipas busteve prej allçie greko-romake që u vendoste përpara. Një herë, kujton Omer, kur kishte kopjuar një kokë, profesori i kishte thënë në sy të studentëve të tjerë: « Kjo është kokë mbi kokat ». Omeri nuk e kishte kuptuar në fillim se ç’donte të thoshte profesori i tij, por pamja e kënaqur e profesorit e siguroi se ai e kishte pëlqyer shumë vizatimin e tij. Vite do të kalonin dhe Omeri s’do të kapte më letër dhe laps me dorë. Bota e tij ishin ngjyrat dhe telajo, kokat, dervishët, barinjtë dhe bareshat, frutat, dhe nudot : e kuqe, e zezë, e gjelbërt dhe e bardha e vetë telejos.
– Kur i shkova në atelier Omeri më tregoi se kishte filluar të vizatonte.
– Si kështu Omer, – i thashë i habitur?
– Ah, ishte galeristja ime e Stambollit, Besi Cecan… do të hapë një ekspozitë me piktorët e galerisë së saj me temën e vizatimit dhe donte patjetër që të merrja pjesë. Në fillim e kundërshtova por ajo vazhdoi të më kërkonte disa vizatime. Më pas mendova se do të ishte një aventurë interesante dhe mu kujtuan vizatimet e Goya-s me serinë e “pikturave tê zeza”, apo Rembrandt, të cilët janë vizatues të shkëlqyer, dhe akoma më shumë Da Vinçi, para të cilit ndodhemi gjithnjë të mahnitur.
Atje në atelier, ai zgjati dorën, tërhoqi katalogun e një ekspozite të fundit të Picasso-s dhe me tha:
– Shikoji, vizatime të mrekullueshme…
Dhe vërtet, vizatimet e Picasso-s janë një botë më vete, nga vajza e tij Maya tek centaurët… një poetikë e linjës, formës, e trupit që flet përmes imazhit të krijuar nga piktori.
Biesedojmë për vizatimet e Tiepolos, të cilin e adhuronte aq shumë Picasso, për ato të Henri Moore dhe vizatimet erotike të Rodin, dy skulptorë të mëdhenj të dy epokave të ndryshme, dhe rikthehemi në vizatimet e tij. Janë gjithsejt tetë vizatime të të njëjtit format, dhe si gjithnjë koka ku spikat veçanërisht kompozimi i tyre: një grup kokash herë veçmas në dy anë të fletës së vizatimit, herë të grupuar në formë piramidale, here në një gjendje paqeje dhe meditimi, pështetur ashtu, njëri tek tjetri në një lloj bashkësie të çuditshme sikur piktori të dojë ti shohë bashkë barinjtë, bareshat, dervishët, njerëzit e tokës, të thjeshtët e halleve njerëzore por që m artin në vetvete shumë dashuri… të ngjan sikur gjithë kjo është vazhdë e një vargu të sufistit të madh Jonuz Emré, të cilin miku ynë poet e filozof Jacques Lacarrière e mori dhe e vendosi si një titull të librit të tij: “La Poussière du monde”… “Pluhuri i botës”… Eshtë një filozofi e thjeshtë kjo e jetës dhe vdekjes, e udhëve që na çojnë tek njëri-tjetri edhe pse përgjatë kësaj udhe jemi dëshmitarë të aq shumë masakrave të mëdha, urrejtjeve të pafund, të një britme nê kupê të qiellit dhe të një zie të madhe, e megjithatë, këto koka në bardh e zi, kanë brenda tyre jetën, paqen, pardonin…
Omeri e mbaroi ciklin e vizatimeve të tij… Nga atelieri i Omerit tek shtëpia ime na ndajnë disa stacione metroje që të mund të shtypja po sot këto rreshta për të!
“Sacré Omer”! “I shenjtëruari Omer!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *