O Zot pyeti përse na vranë???

Nga Ilir Hoxholli

Kjo pyetje më rëndoi që në pamjen e parë që hasa këtë foto në internet. Kjo pyetje më rëndon për të gjithë fëmijët në botë. Nuk jam teolog, por nga ato që kam lexuar është se, në Ditën e Gjykimit viktima shoqëron vrasësin para Zotit dhe thotë: ” O Zot pyete përse më ka vrarë?” Pyete sepse i vrari nuk e di përse vritet, ky fëmijë nuk e di pse një i çmendur vendosi ta shtypë. Mbase ajo kukull nuk e pati nënën e saj aty pranë, për ta shpëtuar si nërastin tragjik në Tiranë. Mbase u shtypë bashkë me prindërit, mbase ajo është shtangur e habitur, se përse “xhaxhi” kërkon ta shtypë. Ajo nuk e di se shumë bashkëmoshatarë të saj, vriten përdite në vendet e konfliktit. As ata nuk e dinë se përse vriten. Edhe ata do të shoqërojnë vrasësit e tyre para Zotit, për t’i pyetur: ” Përse na vratë?” Asaj dite nuk do t’i shmanget as ai që dha urdhër, as ai që shtyp një buton, as një çmendur, një i droguar që futet mes turmës dhe shtyp këdo. Përse po na vrisni, janë klithmat e fëmijëve që kjo botë po i vret, nuk ia kursen dhe llojet e vdekjes, me bomba, me armë zjarri, me armë kimike, tani edhe me kamion. A mos kemi ardhur në një kohë të lajmëruar më parë, ku i vrari nuk e di pse vrasësi e ka vrarë? Ajo kukull nuk do të luajë më, ashtu e shtrirë i mungon shpirti që e lëvizte, e puthte. Nuk më shqitet nga memoria as foto e një vajze në vendet e konfliktit, ku siç bëjnë nënat në pamjet e rënda u mbyllin sytë fëmijëve, kjo vajzë i mbyll sytë kukullës, një Zot e di se çfarë ka parë ajo vajzë? Mos u arsyetoni me hakmarrjen, se nuk ka hakmarrje mbi të pafajshmit, mbi fëmijët, a nuk është e shkruar që, gjithsecili bart mëkatin e vet?
Por epshi, urrejtja, interesat, lakmia, ju ka errësuar sytë, ju ka bërë të shpikni një zot, që ju shpërblen në hakmarrjen tuaj, duket sikur ju lexoni jo të njëjtët libra hyjnorë, sepse libri që lexojnë një miliardë e gjysëm myslimanë thotë: ” Kush ka vrarë një person padrejtësisht ka dënim sikur të këtë vrarë të gjithë njerëzimin, e kush shpëton një jetë është sikur të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin…”
Ajo kukull nuk është më, do të mbetet një kujtim i shtrirë si bashkëmoshatarët e saj, që vazhdojnë të pyesin: ” Përse na vranë o Zot ???

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *