Një rrëfim për “shtëpitë e gëzimit” dhe vajzat e lira në Paris

uan Rama – Data 1 mars 1991. Statuja e Enver Hoxhës kishte dhjetë ditë që ishte shembur në sheshin e Tiranës nga zemërata popullore. Më 28 shkurt, dy ditë më parë kisha mbërritur në Paris si diplomat në fushën e kulturës dhe atë natë ekipi i ambasadës ishte ftuar të shikonte një spektakël cirku, i cili ishte vendosur në Bois de Boulogne, në periferi të kryeqytetit francez. Ishte e para herë që dy vajzat e mia, dhjetë dhe tetë vjeçe do të shikonin një cirk perëndimor. Nga mesnata spektakli mbaroi dhe ne po dilnim nga ai pyll i heshtur dhe me pak drita. Po ecja bashkë me një diplomat tjetër më përpara, si dhe vajzën e vogël që kisha në krah kur papritur dy femra të bukura mbuluar me peliçe të fisme na dolën përpara dhe na treguan me një lloj demostracioni trupat e tyre pothuaj lakuriq. Ishte diçka e papritur dhe ne si diplomatë “stoikë” vazhduam të largoheshim duke qeshur, ndërkohë që vajza ime e vogël kthente kokën me sy të skandalizuar, nga një pamje që kurrë nuk e kishte imagjinuar. Të nesërmen në mëngjes, sa u zgjua, ajo mu afrua dhe më pyeti: “Babi, i pe mbrëmë ato dy gratë lakuriq? – Cilat gra? – bëra të paditurin… duhet të kesh parë ëndërr!… Ajo heshti dhe unë u largova. Njëzet vjet më vonë i tregova se ai imazh kishte qenë real dhe ajo u shkri në të qeshur që vërtet kisha besuar se kishte parë ëndërr…. Ky ishte gjithashtu një realitet parisian, ai i prostitutave, i “shtëpive të tolerancës” apo “shtëpive të gëzimit” e “shtëpi të kënaqësisë”, siç do të quheshin në kohë të ndryshme.

Një vit më vonë duke shkuar tek një mik francez, vura re se rruga “Saint Denis” ishte mbushur me femra që dilnin mbrëmjeve dhe prisnin klientët e tyre, të cilët kalonin, përshëndeteshin me to, pastaj ngjiteshin sipër apartamenteve. Dhe kjo ishte pothuaj në zemër të Parisit. Disa muaj më vonë, me një ministër që kishte ardhur transit në Paris, hipur në akine, papritur u gjendëm në rrugën “Saint-Denis”… Atëherë nuk i njihja mirë rrugët e Parisit dhe menjëherë gjeta një vend të kthehesha, por vura re se ministri u vu në siklet të madh në atë rrugë ku kalonin makina, por që prostitutat gëlonin… Vite më pas, duke shkruar romanin “Camera obscura – origjina e botës”, ku tregoja dhe historinë e tablosë emblematike të piktorit francez Gustave Courbet, m’u desh të përshkruaja dhe jetën e “shtëpive të gëzimit” (maisons-closes: shtëpi të mbyllura) në Parisin e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe jetën private të ambasadorit turk, Khalil Bey. Halil Bej ishte në fakt nga shqiptarët e afërt të Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, por që kishte bërë karrierë në Ministrinë e Jashtme turke. Ai preferonte artin dhe femrat, shoqëria e tij ishin balerinat dhe markezet vejusha; jetonte botën e bordellove edhe pse ishte një diplomat karriere mjaft i aftë. Pas darkës, në orët e vona, në sallonet e ambasadorit, pihej verë dhe diplomatët e gjeneralët francezë dëfreheshin me disa nga yjet e prostitucionit aristokratik, siç ishte zonjusha Parly, e cila lahej në vaskë me qumësht apo mbushur me shampanjë. Ishte ai që e porositi piktorin t’i pikturonte seksin e femrës, tablo të cilën pas darkave e tregonin me një ceremonial më vete. Në vitet 1860-1870, bordellot aristokratike të Parisit ishin në “Rue Chabanis”, “Rue Godod Moroy”… e famshmja “One-two-two”, “Sphinx”, “Tek Margarita”, “Lulja e bardhë”… Madje, në bordellon e 12, “Rue Chabanis” (e hapur fillimthi nga një irlandeze) kishte dhoma të pagëzuara si “dhoma orientale”, “dhoma indiane”, “dhoma japoneze”, “dhoma Louis XV” (meqë mbreti Luigj XV mbahej si një i uritur seksual)…, që frekuentoheshin nga ministra, deputetë, ambasadorë… Aty kishte edhe një vaskë në formë mjellme që mbushej me shampanjë. Më e habitshmja ishte se princi anglez Edward VII, i cili vinte shpesh në Paris, në këtë bordello kishte apartamentin e tij dhe ku padronia kishte ndërtuar një lloj kolltuku të çuditshëm, ku princi anglez bënte aktin seksual… Ky kolltuk i quajtur “fauteuil de volupté” (Kolltuku i voluptetit) edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur se cili koleksionist e zotëron. Në fakt, shekulli XIX ishte shekulli ku shoqëria franceze sikur doli disi nga “binarët” e puritanizmit. Bordellot gëlonin nga të katërta anët dhe prefektura e policisë kishte adresat, numrin dhe emrat e prostitutave që merrnin licencën për të punuar në to. Në një shkresë të prefekturës, për lagjen Nr.2 shkruhej: “Rue d’Aboukir” – 25 femra; “Rue d’Amboise” – 18 femra; “Rue Sainte Anne” – 16; “Rue Blondel” – 17; “Rue Chabanais” – 21; “Rue Colbert” – 26; “Rue de la Lune” – 10… etj. Madje kishte një vend që quhej “Cour des Miracles” (“Oborri i Mrekullive”) dhe aty mblidheshin me dhjetëra prostituta. Disa prej tyre njiheshin për famën dhe teknikat e tyre, mesa duket ish-akrobate apo balerina. Disa quheshin “Agnes me duart e bardha”, “Margarita çalamania”, “Maria e zeshkët” “Topolakja”, etj. Por brenda këtyre bordellove ishte edhe drama e shpesh tragjedia e shumë vajzave të mjeruara, që detyroheshin të shiteshin për të mbijetuar. Një nga ngjarjet më të trishta ishte ajo e “Trëndafilit të zi”, siç e quanin, një mulate e ardhur nga kolonitë që e detyronin të tregonte seksin e saj të zhvilluar në ballot e shfrenuara të markezëve gjersa e gjymtuan. Pikërisht në këtë kohë, me shpikjen e fotografisë filluan të shpërndahen dhe kartolinat-foto të prostitutave dhe shtëpive publike. Madje, jo pak piktorë impresionistë e post-impresionistë i përdorën ato si modele për tablotë e tyre erotike.

 

Duke u informuar gjithnjë për romanin tim “Camera obscura”, pikasa se bota erotike e Parisit të shekullit XVIII-XIX ishte tronditëse. Para shekullit të Courbet (Kurbesë) dhe të Halil Beut, Luvri ishte mbushur me një mori të pafund kioskash dhe lloj-lloj barangash ku strehoheshin artistët e rrugëve, piktorë dhe shumë prostituta. Pas Revolucionit u vu re një shfrenim i madh në drejtim të seksit. Njerëzit e kujtonin veten plotësisht të lirë dhe se mund të bënin ç’të donin, madje të rijetonin edhe orgjitë e Sodomës të përshkruar nga markezi Sad. Revolucioni u kishte sjellë lirinë e vërtetë. Sadi bënte thirrje për lirinë totale seksuale dhe jetën “libertine”, të lirë, duke botuar veprat e para të tij si “Justine” apo “Fatkeqësitë e virtytit”, “Njëqind e njëzet ditët e Sodomës”, “Dialog midis një prifti dhe dikujt që po vdes”, etj. Por shteti i ri i dalë nga Revolucioni, shpejt kërkoi të vendoste rregulla. Nga njëra anë u priste kokat mbretit Louis XVI dhe mbretëreshës Mari Antuanetë, si dhe një sërë revolucionarëve të njohur, dhe nga ana tjetër shkatërronte kioskat dhe bënte regjistrimin e prostitutave. Shekulli i XVIII dhe XIX ishte “koha e artë” e kurtizaneve, apo e atyre që quheshin “femmes du monde”, pra “gratë e botës”. Kategoria e parë ishin gratë e pasura që i jepeshin qejfit për ambicie, apo për të thyer jetën monotone me burrat e shtëpisë, të cilët nga ana e tyre bënin po të njëjtën gjë. Shumë prej tyre ishin intelektuale dhe imitonin shkrimtaren Zhorzh Sand, siç do të imitonin shumë vite më vonë shkrimtaren Louise Colet, të dashurën e shkrimtarit Gustave Flubert. Së dyti, vinin balerinat e operës dhe aktoret e trupave të ndryshme, këngëtaret e rrugëve, të restoranteve luksoze, kabareve etj. Së treti, vinin punëtoret e dyqaneve të ndryshme, të cilat pas punës te pronarët e tyre shkonin të përjetonin qejfet e bujtinave të zhurmshme dhe gazmore. Dhe së fundi ishin ato të “maisons closes”, për të cilat prostitucioni ishte një profesion si gjithë profesionet e tjerë dhe burim i ekzistencës.

Arkeologu Leon Rey, i cili në vitet 1930, për 16 vjet rresht gërmoi për zbulimin e qytezës antike të Apolonisë, në një nga kthimet e tij në Paris, meqë kishte gjetur një vazo të rrallë të pikturuar nga piktori i antikitetit grek Eufronios, deshi të vërtetonte se ai vizatim nuk ishte një fantazi e piktorit, por një realitet. Dhe për ta vërtetuar këtë, siç kujton ai në kujtimet e tij të botuara në Tiranë dhe në Paris, “Zotërit kishin të drejtë”, lidhur me figurën e një prostitute antike, shkruante: “Në këtë periudhë jeta në Paris nuk ishte e shtrenjtë. Nuk ishte një jetë e vështirë, por një jetë e gëzueshme. Dy hapa larg Bibliotekës Kombëtare, kishte dy ‘Shtëpi’ prostitucioni mjaft të njohura, njëra në numrin 12 të Rue de Chabanais dhe tjetra në 8, Rue Colbert. Femrat e atij klubi të klasës së lartë ishin vajza shumë të bukura dhe të zgjedhura. Midis tyre mund të gjeje një numër të madh femrash franceze, italiane, ruse, jugosllave madje dhe vajza ezmere mjaft të bukura të ardhura nga ishujt Antilles. Nëse fasadat e këtyre “shtëpive” nuk binin shumë në sy, kjo gjë nuk ndodhte brenda tyre, ku një dekor tepër i veçantë dhe pasqyra plot shkëlqim i tërhiqnin menjëherë sytë e çdo vizitori (madje pasqyra kishte dhe në tavanet e dhomave). Binin në sy zbukurimet e shandanët e mëdhenj, mobiliet e kromuara që flakërinin, sofatet e gjëra dhe moketet e trasha. Gjithçka të linte përshtypjen e një luksi të rafinuar.
Kur hyje në këtë “Shtëpi”, padronia thërriste vajzat e lira që të zbrisnin në sallon, ku ato viheshin në rresht ashtu të heshtura, nudo e të qeshura, veshur me papuçe të thjeshta ngjyrë rozë. Padronia ishte një grua e thekur dhe elegante, veshur me një fustan mëndafshi të zi. Në qafë kishte një gjerdan të mrekullueshëm perlash dhe në gisht i shkëlqente një diamant i jashtëzakonshëm.


– I thashë se nuk ishte e nevojshme të na tregonte të gjitha vajzat, – më tha Marcel, kur ende po ngjiteshim. “S’ka rëndësi fiziku, na duhet një vajzë e shkathët dhe e zhdërvjelltë”. Ajo e kuptoi mesazhin dhe pas pak bëri të zbriste një kuqe me një trup të përsosur, por me një shprehje të ndrojtur dhe të rezervuar, plot pika të kuqe në fytyrë si një vezë gjeldeti.
– Ju do të jeni tepër të kënaqur – tha padronia – ajo punon shumë mirë dhe për më tepër ka qenë akrobate cirku.
Kur ne ngjitëm shkallët, unë i tregova asaj fotografinë e vazos me vizatimet erotike.
– Sa e bukur është? Vallë ju e keni vizatuar? – tha ajo.
Unë i premtova një bakshish të mirë, me kusht që ajo të na demonstronte të njëjtën gjë. Kjo kërkesë e bëri të qeshë dhe ajo pranoi menjëherë, “OK”! Duhet ta pohoj që si njëri dhe tjetri, ne bëmë sa mundëm, por pa ndonjë rezultat, sepse ai pozicion ishte i pamundur të arrihej. Duke zbritur, pashë padronen që ishte ulur qetësisht në hyrjen e bordellos, ku një buqetë e mrekullueshme lulesh ishte vendosur në një komodinë të stilit Luigj XV. Ajo zgjodhi një karafil të kuq në tone të errët dhe duke ma vendosur në një nga kopsat e xhaketës më tha me përkujdesje:
– Shpresoj të keni mbetur i kënaqur dhe mos hezitoni të vini përsëri.


– Dhe me një buzëqeshje djallëzore shtoi: – Ç’rëndësi kanë fantazitë që ju shkojnë në mendje… S’ka pse të kesh turp, vogëlushi im…”!
Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, në Francë pati një përpjekje për t’i mbyllur shtëpitë publike nëpërmjet ligjit dhe kjo erdhi si rezultat i luftës së një ish-prostitute, Marthe Richard, e martuar më së fundi me një të pasur, e cila bëri emër në kohën e Rezistencës franceze gjatë luftës, çka solli që ajo të ishte një nga këshilltaret e bashkisë së Parisit. Kujtimet e saj të hidhura, kur në një garnizon ushtarak në Nancy duhej të shkonte me 50 ushtarë në ditë, e shtynë të vihej në krye të betejës për mbylljen e “shtëpive të tolerancës”. Por e vështirë të ndaloje një nga profesionet më të vjetra të botës. Ajo mori forma të tjera në mënyrë të paligjëruar çka vazhdon edhe sot, ku prostitutat janë disi më pak të dukshme, por gjithnjë të pranishme në rrugët e qytetit e në veçanti në periferi, në Bois de Boulogne, Vincennes, Nation, shpesh në kamionçinat e tyre, të cilat janë shndërruar në dhoma prostitucioni. Ndryshimet e sistemeve politike në Lindjen evropiane solli edhe një dyndje të prostitutave te këtyre vendeve, çka krijoi dhe “luftën” e çmimeve mes tyre dhe prostitutave franceze.
Pjesë nga libri “Mbresa parisiane”
që do të botohet së shpejti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *