“Një kurvë”, nga Camillo Sbarbaro

 

NJË KURVË
Camillo SBARBARO

E hajthme, sy të ndritur, mollëzat
e ndezura,
shpirti im i turbulluar
që të ngjashmin e vet kërkon
ty të gjen te hyrja teksa meshkuj pret.

Motra ime je atë çast.

Në ndonjë gjellëtore të të shpie
andej nga porti
dhe të të vështroj teksa e babëzitur ha!
Dhe fare pa dëshirë
në shtratin tënd të shtrihem!
Kufomë pranë një kufome
prej pamjes tënde hidhërimin të pi
si sfungjer i tharë ujët thith!

Me duar të t’i prek flokët
që dikur dikush t’i pat mbledhur
në një tufçe të vogël majë kokës!
Dhe të ndjej tek më vështron
e mjerë, me sy armiqësorë dhe të ta shpif
duke të pyetur për emrin e nënës tënde…

Asnjë gëzim sa ky hidhërim nuk vlen:
mundem të të bëj të qash,
mundem dhe me ty të qaj.

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *