Një këndvështrim në brendësi të Merkabasë estetike të artistit Shpëtim Hoxha

Nga Melsen Kafilaj

Kur e pyetën njëherë piktorin e madh hebre Marc Chagall se ku qëndronte veçantësia e artit të tij,ai u përgjigj çiltërsisht : ”Tek liria për të mbushur me botë Botën tonë”.
-Një frazë e cila e tronditi paksa gazetarin “ortodoks” i cili nuk ishte mësuar të shihte njerëz të cilët e marrin kaq natyrshëm rolin e Zotit.Në fakt,Chagall po përpiqej ti tregonte pa detaje ezoterike reporterit të varfër se të bësh art do të thotë të nxjerrësh natyrshëm Perëndinë që ndodhet brenda nesh përmes Idesë dhe penelatave dhe siç shprehej M.Proust “ta rikrijosh botën nga e para”.
Eshtë interesante teksa vëzhgon se “të njëjtën liri për të mbushur me botë Botën” e gjen edhe tek artisti Shpëtim Hoxha.Një artist i cili për mënyrën e të pikturuarit dhe stilin e tij tejet autentik përbën një risi në pikturën shqiptare.Po ku qëndron kjo risi lind natyrshëm pyetja?!
Sipas meje,dy janë burimet përmes të cilave arrijmë të marrim një përgjigje.Së pari,tek diapazoni i gjerë i fushave që trajton në pikturën e tij i cili varion nga miti, meditimi Zen, filosofia, parapsikologjia,religjioni e deri tek ezoterizmi e fizika kuantike moderne.Dhe së dyti,tek gjetja e konvencioneve për të shprehur Daimonin e tij të brëndshëm ku dominantë janë arketipet, simbolet, metaforat dhe alegoritë e ndryshme.
Piktura e Shpëtimit është një pikturë e cila siç shprehet artisti Agim Sulaj “ka diçka eternale dhe kozmologjike brenda”.Ajo është një pikturë metafizike,gnostike dhe ezoterike e cila kërkon një shijues të kultivuar për të dekriptuar mesazhin të cilin kërkon të përçojë.Nëse do të më duhej të bëja një krahasim të gjetur unë do ta përfytyroja atë me një Pentagrama,ku kulmi është Aksi i Energjisë dhe pikat e tjera dimensioni i Kohës, Hapsirës, Lartësisë dhe Thellësisë.
Por ler të kemi një këndvështrim të brendshëm të Merkabasë estetike të artistit Hoxha duke soditur disa prej krijimeve të tij.Specifikisht,unë do të ndalesha në tre prej tyre.Tabloja “Krijuesi i Galaktikave” është një krijim me të vërtetë interesant.Në të pasqyrohet një Demijurg i cili gjatë Fillesës i jep jetë Via Lacta-s,pra Galaktikës sonë.Ajo që të tërheq vëmëndjen është pikërisht detaji.Demijurgu, e krijon Rrugën e Qumështit në një mënyrë të përllogaritur,pikërisht sipas Spirales së Fibonaçit .

Nga ana tjetër,zhytja e dorës në thellësi prej tij nënkupton elementin “Pasion” me të cilin gatuhet Lënda e Parë(Reshit).Pra në Reshit, gjejmë të shkrirë brenda njëri-tjetrit Arsyen me Pasionin, të cilët në ndikimin centrifugal të Demijurgut (Lëvizja) gjenerojnë Jetën. Ky “trazim” i Zotit në thellësi për të zgjatuar Vetveten në pafundësi është rafiguruar në mënyrë mbresëlënëse në këtë tablo.
“Shkalla e Jakobit” është gjithashtu një tablo me ndikim mbërthyes.Bibla,na flet për vizionin me ëngjëj që ngjiteshin e zbrisnin prej Parajse që pa Jakobi gjatë kohës kur përndiqej prej vëllait të tij më të madh Esahut.Artisti Hoxha e shfrytëzon këtë informacion biblik për ta “përkthyer”atë ndryshe në tablonë e tij.Engjëlli i Hoxhës ndryshe nga ai i Jakobit është një ëngjëll me njërin krahë të bardhë e tjetrin të zi dhe një ëngjëll i rënë në hon.Në fakt,shkalla e Jakobit për ata që se dinë është thjesht një arketip.Pitagora,shumë kohë më parë se të shkruhej Bibla fliste për kordën e Harmonisë,ose kordën hyjnore.Ndërsa sufistët,ende dhe sot flasin për kordën e përkujtimit.Këtë gjë kërkon të pohoj edhe Hoxha përmes tablosë së tij:ëngjëlli nuk është gjë tjetër veçse njeriu i zhytur brenda zemrës së tij,me njërë pjesë divine dhe tjetrën djallzore i cili kërkon të dalë lart duke u ngjitur përmes dritës së Zotit(Vetëdijes së tij të ndriçuar).
Tabloja e fundit është një kompozim i ekspozuar në Pallatin e Versaces në Dubai dhe titullohet:”Kuajt Kozmik”.Një tablo e përmasave të mëdha si në dimensione ashtu edhe në mesazh ku parabola,alegoria dhe simbolika janë vërtetë të fuqishme.Kuajt janë një arketip i Shpirtit në një sërë kulturash primitive dhe pagane dhe jo më kot janë perdorur me nje funksion simbolik në këtë tablo).Në fillim gjithçka ishte harmonike (Grekët e Vjetër,flasin për Kohën e Artë) ,pastaj ndodhi ndarja në dualitetin trup-shpirt (Egjiptianët e Lashtë qenë të parët)e cila u mor nga religjionet monoteiste,pastaj kristianizimi i botës me nocionin e Trinitetit dhe së fundmi përmbyllja e ciklit dhe kthimi i Njeriut në unitet e harmoni me Universin.A nuk e përmëndin edhe mësonjësit e mëdhenj të njerëzimit si Buda,Lao Tze dhe Jezu Krishti këtë rikthim?!Një kompozicion i cili thjesht të lë gojëhapur.
Për t’ju rikthyer dhe njëherë Chagall.Jemi me fat që kemi këta Demijurgë të mishëruar mes nesh që e mbushin me botë Botën.A do të kishte forcë Arti sikur pa lirinë dhe dashurinë për të të mos shkonim përtej limiteve tona?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *