Në kohën time- kur dashuria bëhej kështu!

Fragment nga libri, Enigma e një fundi

Në “kohën time”, – megjithëse atëherë nuk më dukej vetja zot i asaj kohe , e aq më pak më duket tani- ja si bëheshin këto gjëra: njiheshe me një vajzë, të pëlqente, i vardiseshe, e ftoje me ndonjë aktivitet me të tjerë-në lokal fjala bie- pastaj e ftoje të dilnit vetëm, pastaj dilnit sërish, dhe pas ndonjë puthjeje ndarjeje herë të nxehtë e herë jo, mund të thoshe zyrtarisht, “kishe një lidhje me të”. Dhe ndonjëherë kjo do të thoshte se trupi i saj ndodhej nën masa të rrepta sigurie, mu sikur të ishte zonë ku nuk lejohej peshkimi. Veronika nuk dallonte shumë nga vajzat e tjera të atyre kohëve, të cilat ndiheshin mirë me ty, të lejonin të ecje përkrahu, të puthnin derisa të bënin me turp dhe mund të të ngjishnin enkas gjinjtë me kusht që nga mishi në mish të kishte të paktën pesë shtresa veshjeje.

E dinin shumë mirë sesi i kishe punët aty poshtë mbathjeve, pa e prekur kurrë këtë temë… …disa lejonin edhe “seks te plotë”, siç e quanin atëherë. Nuk ta merrte dot mendja atë rëndësinë e mbiemrit i “plotë”, nëse nuk kishe pasur fatin të kishe bërë nga lloji “përgjysmë”.

Dhe pastaj me vijimin e marrëdhënies, kishte edhe ca lëshime të nënkuptuara, ca në bazë të tekave, ca të tjera në bazë të premtimeve dhe angazhimeve- gjersa arrihej në atë që poeti e ka quajtur “sherri i unazës”. Brezat që vijnë më pas kujtojnë se shkak për këtë ka qenë feja apo kujdesi i tepërt. Mirëpo vajzat me të cilat kam bërë atë që mund të quhej infraseks ndiheshin rehat fare me trupin e tyre…. …këto vajza bënin lëshime shumë më të mëdha se nënat e tyre dikur dhe unë përfitoja ku e ku më shumë se im atë dikur.

Julian Barnes, “Enigma e një fundi”. Botimet Pegi. Përkthyer nga Ilir Baçi është një bestseller ndërkombëtar, e njëherësh fitues i “Man Booker Prize”.

 

33e4dce8f777af3b2afae3654eea8af8

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *