Ndarja nga jeta, ekspozitë përkujtimore në nderim të veprës së Alfred Uçit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 26 Tetor, ekspozitën përkujtimore “Alfred Uçi (1930-2016)” si homazh kushtuar akademikut Alfred Uçit, i cili u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Kjo ekspozitë me veprat dhe studimet e tij vjen për publikun e gjerë dhe lexuesit e BKSH-së si një vëmendje e veçantë kushtuar kontributit dhe personalitetit të jashtëzakonshëm shkencor të akademikut. Pedagog i filozofisë dhe i estetikës në Universitetin e Tiranës, aktivitetin e tij kërkimor shkencor e zhvilloi për rreth 50 vite dhe konsiderohet si një nga emblemat më të çmuara të kulturës shqiptare. Një pjesë e tyre sillen në vëmendje të lexuesit dhe të publikut të gjerë përmes kësaj ekspozite, ku mund të përmendim tituj si “Jani Vreto” (1965), “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976 e 1980), “Labirintet e modernizmit (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986), “Universi estetik” (1983), “Çështje të folklorit shqiptar” (1987), “Estetika” (1986), “Shekspiri në botën shqipare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Estetika e groteskut” (1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001), “Prometeu dhe Hamleti” (2001), “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore bashkëkohore” (2001), “Barra tragjike e heronjve të letërsisë” (2001), “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi: N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni” (2003), “Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Filozofia e DonKishotizmit” (2010), “Migjeni-fryma moderne në letërsinë shqipe” (2013), “Ese dhe etyde filozofiko-estetike” (2015) dhe “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), etj.
Alfred Uçi lindi në qytetin e Korçës më 1930. Studimet e larta i kreu për filozofi në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1954). Për një periudhë të gjatë ka qenë profesor i filozofisë dhe estetikës në Universitetin e Tiranës. Iu kushtua që në fillim studimit të trashëgimisë së mendimit filozofik shqiptar, duke botuar monografi për jetën dhe veprën e Jani Vretos dhe të Theodhor Kavaliotit. Në vitin 1979–1986 ka qenë drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, kryeredaktor i revistës “Kultura popullore” dhe i një vargu botimesh shkencore e dokumentare të atij instituti; në vitin 1987–1990 kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe ministër i Kulturës. Për vite të tëra iu përkushtua tërësisht punës shkencore akademik duke botuar një varg studimesh nga fusha e estetikës dhe duke hulumtuar edhe disa prej autorëve më të njohur të letërsisë botërore. Ka marrë tri herë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 8:00 – 20.00 dhe të Shtunave nga ora 08:00 – 14.00.

uci vepra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *