Marlene Dietrich dhe divani i “Engjëllit Blu”

Nga Luan Rama

Miken e mirë Norma Bosquet e kisha kërkuar disa herë në telefon, por tri herët që telefonova, dëgjohej veçse zëri i mesazherisë. Zëri i saj nuk ishte shuar. I lashë dy mesazhe duke menduar se do të kishte shkuar tek njerëzit e familjes së saj në Amerikë… mesazhe që ajo nuk i ka dëgjuar kurrë, sepse, siç më tha miku ynë i përbashkët, poeti Yves Mabin, Normën e kishin gjetur një ditë të vdekur në shtëpinë e saj. Vetëm atëherë kuptova heshtjen e saj. Mendova për Normën, ashtu siç mendoj dhe sot në ditën e vdekjes së Marlene Dietrich për aktoren tonë mitike. Dhe pastaj risolla në mendje divanin e “Engjëllit Blu”. Kushedi ku gjendet ai divan mendova… kushedi… dhe në fakt çdo gjë materiale shuhet në këtë botë, por veç ajo ç’ka krijohet në art, ajo gjithnjë mbetet… arti dhe kujtimi i artistit!

Që në fillimet e mia të kinematografisë Marlene Dietrich ishte aktorja ime e parapëlqyer, fetishe… E paharrueshme kjo aktore që më grishte gjithnjë nga ekrani me lojën e saj dhe atë të qeshur të lehtë sikur të qeshte e lozte me botën, jetën, veçse jo me dashurinë, sepse gjithë jetën ajo kishte dashuruar artin, njeriun, burrat e saj dhe çudi, kishte mbetur fatkeqe nga ta. E uritur, e pangopur për dashurinë.

Ishte viti 1992, pothuaj një vit pasi kisha shkelur në Paris. Në festivalin e Cannes që përgatitej të hapej atë vit, ishin varur afishet me portretin e saj në filmin Marlene të regjisorit Maximilian Schell. Atë vit festivali do t’i përkushtohej kësaj artisteje të madhe edhe pse dihej se ajo nuk do të vinte: ajo vuante, ishte në pragun e vdekjes. Marlene ishte midis jetës dhe vdekjes, midis koshiencës dhe inkoshiencës, në pragun e fundit të botës së të gjallëve. Në ekranin e kinemasë ajo kishte vdekur shumë herë me rolet e saj. Dhe kështu, pas shumë “vdekjeve” aktoriale, ajo kishte kaluar në një “koma” kinematografike pasi për dekada të tëra ajo u shkëput nga filmi dhe kjo për të ishte një lloj “vdekje klinike”, pasi asaj i mungonte ajri i kinemasë, sheshi i xhirimit, atje ky kishte lindur si artiste. Dhe ja, atë ditë të 6 majit, ajo vdiste vërtet, heshturazi, një lajm që habiti shumë njerëz në të katër anët e botës, pasi shumë prej tyre e dinin se Marlene kishte vdekur me kohë. Më 10 maj, arkivoli i saj u përcoll drejt kishës së Madelaine-s, duke kaluar nga “Place de la Concorde”. Qindra e qindra njerëz, një lum njerëzor kishte vërshuar drejt kishës. Madje do të doja të hyja dhe unë atje, por e pamundur. Duhej të qëndroje në rrugën e bllokuar, në atë atmosferë magjike që ndodh kur këputen yjet e vërtetë, duke dëgjuar ehon e largët të organos në një Te Deum. Kështu shkonte drejt varrezave të Berlinit, atë ditë maji të vitit 1992 Marlene Dietrich. Turistët e shumtë e shikonin të heshtur atë kishë monumentale duke risjellë në kujtesë, secili, filmat ku kishte mishëruar rolet e saj kjo aktore, një nga më të shquarat të botës së kinematografisë. Dhe festivali që hapej në Cannes atë ditë, me copëzat e filmave që risillnin jetën e saj në ekran, u kujtonte të gjithëve se sa i madh kishte qenë kontributi dhe përkushtimi i saj në artin e kinemasë. Marlene “immortelle”, “Engjëlli Blu”, shkonte kështu përfundimisht…

Pikërisht atë ditë, në kthim, do të risillja në mendje Engjëllin Blu, Morocco (Zemrat e djegura) e Josef von Sternberg, apo Shanghai Express, filma që i shikoja në fillimin e viteve 80’ në vitet e kulmit të diktaturës, në atë sallë të vogël dhe të errët të arkivit të filmit në Kinostudio, ku me Abaz Hoxhën, drejtorin e arkivit, pasioni për historinë e filmit na bashkonte shumë. Aty shikonim Metropolis të Fritz Lang, filmat e Sternberg, të amerikanit David Grifith, filmat e George Pabst, Lubitch, Murnau, Iluzionin e Madh të Renoir, ekspresionistët apo filmin Extase, një poemë erotike kinematografike amerikane në bazë të poemës të Viçeslav Nezval, aq të dashur për mikun tim Gëzim Erebara. Të duket e paimagjinueshme që pikërisht në një kohë të tillë dhe në një “zonë të ndaluar” ne shikonim Engjëllin Blu dhe ata filma “kapitalistë, “imperialistë”, të papajtueshëm për artin e realizmit socialist. Engjëlli Blu me Marlen Dietrich ishte filmi im i parapëlqyer. Më pas kisha shkruar një shkrim në revistën Skena dhe Ekrani, por unë nuk e dija se në një farë mënyrë, aktoren mitike Marlene Dietrich do ta takoja sërrish. Jo pse thjesht poeti francez dhe miku i afërt i Kadaresë Alain Bosquet më dhuroi librin që sapo kishte botuar “Dietrich, un amour par téléphone” (“Dietrich, një dashuri përmes telefonit”), një libër – dialog e me kujtime, një bashkëbisedim i gjatë mes tyre për artin e kinemasë, për lojën e aktorit, personazhin, mitin dhe lavdinë si dhe me konfidenca mbi dashurinë, jetën dhe vdekjen, një libër pra i mbushur me copëza bisedash gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit të jetës së saj. Në maj të vitit 1992, siç e shkruan edhe në librin e tij, Bosquet kishte botuar për të një poezi të titulluar: “ Requem pour Marlene Dietrich”, ku ai kishte shkruar :«Zonjë/ Ti je fisnikja e padukëshme e dëshirës/ Zonjë, në sajë tuaj, midis vdekjes e legjendës/ Koha nuk ka kohë të bëhet vetë koha !…

 

Ajo që më lidhte gjithashtu me Marlene, ishte dhe një objekt personal i saj, një divan ku ajo kaloi një dhjetvjeçar mbi të dhe pjesën e fundit të jetës së saj: divani i sallonit të në apartamentit të saj në 12, Avenue Montaigne, në Paris. Dhe shkas për këtë ishte Norma Bosquet, gruaja e poetit dhe kritikut Alain Bosquet, të cilët për herë të parë i kisha takuar në një ekspozitë të piktorit impresionist Toulouse-Lautrec në “Grand Palais” të Parisit. Ishte Kadare që më prezantoi. Dhe një miqësi e bukur lindi mes meje dhe Normës çka do të më kujtonte mes të tjerash dhe Marlene Dietrich.

Më kujtohet mirë ajo ditë kur ne e përcollëm në varrezat e Montmartës mikun tonë Alain Bosquet, i cili vdiq gjashtë vjet më vonë se Marlene. Ndiqnim Normën, gruan e tij amerikane,

Që ai e kishte njohur në Berlin, kur punonin në zyrat ushtarake të Nato-s dhe të ushtrisë amerikane në Berlinin perëndimor. Më pas ata kishin ardhur në Francë. Mbas vdekjes së Alain, në një nga takimet tona në shtëpinë e saj, kur ra fjala për librin e Marlene-s, ajo më tregoi se pothuaj dy dhjetvjeçar ajo kishte jetuar bashkë me aktoren Dietrich, si një sekretare e guvernante në apartamentin e saj në Paris, pikërisht në Avenue Montaigne, atje ku me parë vinte dhe e takonte i dashuri i saj francez, aktori i famshëm Jean Gabin. Norma kishte qenë shumë e afërt me të dhe dinte gjithçka të saj që nga viti 1977 kur ajo u angazhua pranë saj si sekretare. Padyshim që kjo lidhje e saj më entusiazmoi, por kur ajo më tha një ditë se divani ku isha ulur kishte qenë divani ku pothuaj një pjesë të madhe të kohës rrinte Marlene Dietrich, kjo padyshim më tërhoqi pa masë. Po, atje ishte shtrirë “Engjëlli Blu”. Ajo ia kishte dhuruar atë Normës para se të vdiste, para se të helmonte veten (me ilaçe, dy ditë pas hemoragjisë cerebrale) siç do ta zbulonte këtë fakt të panjohur Norma në librin e saj me kujtime për Marlene Dietrich “Marlene Dietrich – sekretet e fundit”. Atje, mbi atë divan, e mrekullueshmja Marlene kishte qëndruar me orë të tëra, me ditë, muaj dhe vite, me atë trishtim që i rëndonin gjithnjë e më shumë qepallat, sytë, e tërhequr nga bota, nga njerëzit… “Ah, sytë e saj, – më tregonte Norma, – duart e bukura të saj me atë lëkurë të bardhë e transparente. Ajo ishte gjithnjë e bukur, me ato këmbë të gjata për një grua tepër të shkurtër si ajo…” Ndërsa në librin me kujtime për të, Norma shkruante: “Kur e takova për herë të parë Marlene Dietrich në vitin 1977, më kapi një emocion që nuk mu shqit asnjëherë, edhe pse unë isha e pranishme në rënien e saj fizike deri në vdekjen e saj. A nuk ishte ajo hyjnia më tërhqëse me të cilën ishim mësuar në sallat e kinemasë dhe të “music-holl”-it? E megjithatë, ajo ende kishte një sharm prekës me ato sytë e saj blu, me transparencën e lëkurës dhe atë zë aq të pastër dhe tronditës për të gjithë, zë i cili e kishte kthyer atë gjithashtu në një idol. Sapo ajo fliste, ti dëgjoje “Engjëllin blu” , dëgjoje “Ich eine Kunstlerin!” – Unë jam artiste!… Por ishte habi e madhe të zbuloja atëherë atë grua me një trup të vogël, pak më të lartë se Piaf e që më vinte deri tek supet. Por kur e shikoje në skenë, dimensioni fizik ishte në lartësinë e gjenisë së saj. Në moshën 76 vjeçare kur e njoha atë, zonjusha Marlene Dietrich mund të na zbulonte këmbët më të bukura të planetit… Në vite, nuk di pse ajo, me atë karakter të vështirë të saj, më thoshte gjithnjë:”Si mund të jetoj pa ty, Norma?!”…

Sa herë shkoja tek Norma, e shikoja me nostalgji atë divan dhe në mendje risillja imazhet e roleve të saj. Po, aty shkatërohej ngadalë ai trup i bukur dhe shumë sensual që isha mësuar të shikoja në sallën e errët të Kinostudios, aty treteshin ngadalë ata gjinj të dehur e të puthur aq shumë, ajo gojë e ëmbël që qeshte parreshtur si të donte të qeshte me jetën, pasi ndoshta jeta i dukej si një lojë adoleshence, si një moment xhirimi, si një skenë teatri… thjesht një krijim. Po, shikoja kolltukun dhe përpiqesha të imagjinoja Marlene-n e shtrirë dhe bukurinë që venitej, duke parë botën nga ballkoni i saj në katin e katërt të asaj banese “hausmaniane”. Dhe ajo këtë e ndjente, e kishte ndjerë që në vitet 60’ e më pas, aq, sa më vonë, ajo kishte vendosur të zhdukej nga sytë e publikut, që regjisorët të mos e filmonin më, fotografët të mos e fotografonin imazhin e saj të fashitur dhe të mos pranonte më intervistat e gazetarëve… Madje, edhe kur miku i saj i afërt Maximilian Schell do të xhironte filmin mbi jetën e saj, ajo nuk pranoi ta filmonte… mjaftonte zëri i saj, zëri dramatik, zëri që këndonte aq bukur këngët si Lily Marlene!… Po, ajo donte që njerëzit të ruanin imazhin e dikurshëm të saj, dhe që rrjedhimisht dhe unë, si miliona spektatorë të tjerë të botës, të ruaja gjithnjë në sytë e mij atë imazh të Lolës në Engjëlli Blu… kështu, njerëzit do të shikonin veç Marlenën e rinisë…

Ai divan, dukej se kishte ende aromën e Marlenës, aromën e atij trupi gjithë sharm, që u shfaqej dikur në vitin 1945 ushtarëve amerikanë që shkonin drejt Berlinit. Po, atje ishte dremitur “Engjëlli Blu”, me kofshët e vajzës së kabaresë, ku profesori plak, i interpretuar nga i famshmi Emil Janings, do të përgjërohej e do të binte nën sharmin e asaj çapkëneje…

Në vitin 1979, duke shkruar librin biografik të saj dhe duke kujtuar vitet që kalonte në apartamentin parizian, e fshehur nga bota, Marlene pohonte: ”Tani jetoj në Paris… Drita e tij mjafton të zbusë dhe zemrat më të ashpra. Drita e Parisit është blu. Dhe me këtë nuk dua të them se qielli këtu është blu. Jo, nuk është. Por drita është blu. Magjia që ushtron Parisi është e vështirë të shpjegohet, ashtu si dashuria e një burri dhe e një gruaje. Mund të shlodhesh në Paris dhe të lësh jetën të rrjedhë në kursin e vet të shfrenuar. Por është dhe vetmia. Dhe ajo nuk është komode. Disa ditë apo netë mund të thuash se s’ka më mirë se sa vetmia. Por ka ditë e netë që vetmia është e padurueshme. Për një periudhë mësohesh, por kjo s’do të thotë se jemi paqtuar me të. Nga këto vite vetmie unë kam qenë e cënuar nga ajo. Jam tmerrsisht e plagosur. Ah, sa do të doja të shërohesha, të shpresoja kundër çdo shprese, që plagët të më dhimbnin më pak…»

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *