Libri i fundit i Ekos, një gazetë për shantazh

Numri zero, romani i ri i Umberto Eco-s, i vë përpara çdokujt që e lexon, dy ushtrime të kundërta mendore. I pari, më i natyrshmi për këdo që zhytet në rrëfimin e librit, të shtyn të ndjekësh intrigat siç vijnë, në koherencë. Pra, në mënyrën e zakonshme që lexohet një libër, asgjë më shumë. Pastaj romani thellohet mbi temën e komplotit dhe intrigave: asgjë e re për Eco-n shkrimtar dhe narrator. Eco-ja bën gjithçka i vjen ndoresh për të provuar lehtë besimin e lexuesit, ky i detyruar të besojë dhe njëkohësisht të dyshojë rreth asaj që i thuhet. Autori luan këtu me tërheqjen tonë të fortë (edhe me mosbesimin) ndaj shpjegimeve me natyrë konspirative, dhe e bën këtë gjë në mënyrë lojcake dhe parodike, ashtu siç jemi mësuar ta shohim te veprat e tij të tjera. Na detyron të luajmë bashkë me të, gjatë gjithë kohës, edhe pse loja nuk do të ketë një fund të lumtur dhe do të zbulojë një të vërtetë të hidhur për rënien morale dhe shoqërore të Italisë këto pesëdhjetë vitet e fundit.

Jemi në Milanon e vitit 1992. Komendador Vimerkati dëshiron të krijojë një gazetë, e cila në të vërtetë nuk duhet të dalë asnjëherë. Numrat e parë, pra “numrat zero”, do të shërbejnë si mjet shantazhi për të hyrë në sallonet e larta të financës dhe botës së botimeve. Personazhi kryesor, një gazetar rreth të pesëdhjetave, një humbës i pandreqshëm, duhet të shkruajë një libër që të tregojë punën që bëhet për daljen e gazetës, si dhe arsyet pse ajo nuk arrin të hidhet në treg, duke e treguar si një atentat ndaj fjalës dhe mendimit të lirë. Apo, më keq, fshehjen e ca të vërtetave. Nisin kështu mbledhjet e redaksisë, ku marrin pjesë gjashtë gazetarët, një prej tyre një grua e re, një spiune e vërtetë, kolegia Maja. Të gjithë, përveç gazetarit Kolona dhe drejtorit, janë të bindur se po punojnë me përkushtim për krijimin e një gazete të pavarur e të lirë. Në të vërtetë, duke marrë parasysh kërkesat e financuesit bujar, shtohen kufizimet dhe lajmet mblidhen në mënyrë të tillë që bëhen shëmbëlltyrë e gazetarisë së dobët, e “kundërgazetarisë”, e cila do të niste të bëhej gjatë njëzetvjeçarit pasues. Diskutimet dhe hipotezat e tyre i çojnë në tema delikate: organizata Gladio, mafia, Brigadat e Kuqe, P2-shi, klani Borgeze, vrasja e papa Luçianit dhe dora e CIA-s.

Personazhi që i mban bashkë të gjitha këto nëntema të romanit është gazetari fjalëshumë Bragadoço, i prezantuar që në fillim të librit si një njeri me prirje për të nuhatur kudo komplote. Ai beson se gjithçka e ka një shpjegim: duke nisur nga ideja e çartur se trupi i ekspozuar në sheshin Loreto nga partizanët nuk ishte i Duçes së vrarë (madje ky mund të ketë jetuar deri në vitet ’70, teksa përgatitej për një kthim të lavdishëm), por i dikujt tjetër. Romani i Eco-s na kthen pas në kohë, në vitin 1992, periudhë në të cilën shpërthen lëvizja e Duarve të Pastra, përshkallëzohen haptas krimet e mafies dhe përcillet qartësisht dështimi i asaj që synohej të ishte ringritja morale e Italisë. Mungon fabula, por ka një rrëfimtar që merr pjesë në mënyrë aktive nëpër intriga. Protagonisti mendon të arratiset nga vendi, sepse, duke qenë në dijeni të disa të vërtetave – shumë prej të cilave mund të cilësohen të rrezikshme – edhe pse nuk është i sigurt se kush i ka thurur, ka frikë për atë që mund t’i ndodhë. Bën plane për të ikur me Majën, vajzën me të cilën ka krijuar një lidhje të mekur dashurore, por gjithçka del në dritën e diellit nga një dokumentar i BBC-së, i cili ndiqet nga miliona shikues, që i tregon të vërtetat thuajse ashtu siç i kishte menduar Bragadoçoja. Tanimë të gjitha kanë dalë sheshit: askush nuk ka më turp, terroristët shëtisin lirshëm, “korrupsioni është i autorizuar” dhe “pas hekurave përfundojnë shqiptarët”. Kështu, Numri zero mbyllet me një fund të lumtur, por që të lë shijen e hidhur në gojë. Ç’kuptim ka t’i futesh punës për t’i çjerrë maskën intrigave dhe komploteve, kur në fund zgjidhja është që gjithçka të vazhdojë ashtu si ka qenë?

Ky është me pak fjalë subjekti i romanit të ri të Umbero Eco-s, që vjen në shqip i botuar nga Shtëpia Botuese DITURIA, disi i pangjashëm me pararendësit (Emri i trëndafilit dhe Varreza e Pragës), por që kurrsesi nuk i mungon rrëfimi i shkëlqyer dhe intriga (si romanet pararendës, tekefundit). Sidoqoftë, shkrimtari nuk i ikën dot natyrës dhe stilit të tij, prandaj as në këtë libër të ri nuk mungon misteri, që e bën subjektin të vrullshëm e leximin të këndshëm përgjatë 208 faqeve të tij. Po, 208! Edhe ky libër, ta quajmë jovoluminoz i Eco-s, jo aq i ngjashëm me librat e tij të mëparshëm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *