Letra për Enverin: Kompozitori Abdulla Grimci, mban foton e Hrushovit dhe Liri Belishovës

Libri i Kaloçit: Ekskluzive, zbulohet raporti “Tepër sekret” i vitit 1963, ku Rrapo Dervishi, informon Enver Hoxhën dhe sekretarët e Komitetit Qëndror, lidhur me “shfaqjet armiqësore” të ndodhura në qytetin e Tiranës

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vëndet e tjera të Europës Lindore apo siç quheshin asokohe “Demokracitë popullore”, nuk kaloi lehtë dhe fare pa pasoja për regjimin komunist të Tiranës e personalisht vetë Enver Hoxhën?! Përkundrazi, ndarja nga aleati i madh i humbi orientimin dhe i shkaktoj një farë paniku udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës, aq sa për një farë kohe Enver Hoxha nuk po vendoste dot për kursin politik që do të ndiqte paskëtaj. Gjë e cila solli një farë zbutje të “luftës së klasave” si dhe represionit të madh që regjimi komunist i Tiranës kishte nisur që me ardhjen e tij në pushtet në nëndorin e vitit 1944.

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, rezulton se në vitet 1961-1962, iu dha e drejta të ndiqnin shkollat e larta (kryesisht natën pa shkëputje nga puna) edhe atyre që vinin nga “klasat e përmbysura” apo familjeve “reaksionre” siç i konsideronte regjimi në fuqi kundërshtarët e vet politikë gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së tij, 1944-1991.

Por edhe pse gjatë kësaj periudhe kohe, pra 1961-1962, regjimi komunist pati një farë zbutje, nuk munguan arrestimet dhe dënimet për “faje dhe krime politike”, (kryesisht tentativat për arratisje), por këto në një numër shumë më të kufizuar se periudha tjetër, para dhe pas saj. Por kjo zbutje, nuk ishte e thënë të zgjaste shumë, se pikërisht në fillimin e vitit 1963, regjimi komunist e ashpërsoi shumë politikën e “luftës së klasave”, madje shumë më të ashpër se ç’e kishte pasur më parë.

Kjo gjë si duke vinte dhe nga një farë paniku apo hutimi të themi që kishte kapluar udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës dhe vetë Enver Hoxhën, pas prishjes së marrëdhënieve me Moskën zyrtare. Kjo gjë, veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga një numër mjaft i madh dokumentash arkivore që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit (fondi i Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku Komiteti i Partisë së Tiranës, informonte vazhdimisht Komitetin Qëndror, lidhur me “veprimtaritë armiqësore” dhe gjëra të tjera të kësaj natyre që ndodhnin në Tiranë.

Këtij represioni me; survejime, përgjime, kontrolle, arrestime, internime dhe dënime, nuk mund t’i shpëtonte kurrsesi, inteligjenca e Tiranës dhe kryesisht ajo krijuese me shkrimtarët dhe artistët, ndaj të cilëve ndjeshmëria e oraganeve kompetente, (Sigurimi i Shtetit), ishte mjaft e madhe. Kjo gjë veç të tjerash behet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që publikohet në faqet e këtij libri, ku organet e Sigurimit të Shtetit, kanë “piketuar” kompozitorin e njohur, Abdulla Grimci, i cili asokohe ishte mjaft i njohur, për arsye se sapo kishte organizuar Festivalin e parë të Këngës në Radio Tirana dhe gjithashtu drejtonte vetë orkestrën simfonike të Radio Tiranës.

Grimci shikohej nga regjimi komunist si “intelektual borgjez” për arsye se ai ishte diplomuar në Itali, ku dhe ishte martuar me shtesasen italiane, Klementina Agostini. Dhe në këtë kontekst, survejimi ndaj Grimcit kishte filluar vetëm për faktin e thjeshtë se në shtëpinë e tij, ai kishte mbajtur një libër gjeografie, ku mes shumë fotove, ishte dhe ajo e Hrushovit dhe e Liri Belishovës (anëtarës së Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qëndror të PPSH-së, e saposhkarkuar nga të gjitha funksionet), ku ata kishin dalë bashke me Enver Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë gjatë ceremonisë së vënies së gurit të parë në themelet e Pallatit të Kulturës në Tiranë.

Letra e Rrapo Dervishit, i është dërguar fillimisht Rita Markos, (sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonte asokohe organet e diktaturës së proletariatit), dhe më pas vetë Enver Hoxhës dhe sekretarëve të tjerë të Komitetit Qëndror. Dokumentin në fjalë po e japim të shkurtuar dhe disa emra personash me iniciale, pasi nuk janë objekt direkt i temës kryesore që synon ky libër.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE “Tepër sekret”

T I R A N E 25.1.1963

Ekzemplar, Nr 1

L A N D A: Dërgohen tri informacione të ndryshme

KOMITETIT QENDROR TE P.P.SH.

(Sekretarit të KOMITETIT QENDROR TE P.P.SH. Shokut

RITA MARKO

T I R A N E

Bashkëngjitur ju dërgojmë informacionet e Esat R……, punonjës i N.T.L.U.S.I.T., Tiranë, Myfit Mushit, A.P. në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, dhe të Minushe D…., sekretare e organizatës bazë të partisë së shkollës “Emni Duraku”.

Përmbajtja e letrës së Esat R…..iu njoftua shokut Jonuz Mersini dhe jemi duke e ndjekur, por duhet pasur parasysh se Esat R….është përjashtuar nga partija dhe nuk është normal nga gjëndja mendore.

Verifikuam çështjen që ngre në letrën e saj shoqja, Minushe D….dhe rezulton se; Abdulla Grimci ka ndërruar shtëpinë dhe me këtë rast ay ka pastrue librat. Ndër librat që ai ka hedhur në koshin e plehrave ka qenë edhe libri i gjeografisë me foto të ndryshme, midis të cilave dhe fotografia e Hrushovit kur ka vënë gurin e parë te Pallati i Kulturës.

Kostandin Pone, nxënës në klasën e dytë të shkollës fillore e ka marrë librin e gjeografisë dhe ka parë fotografi të ndryshme, midis të cilëve edhe fotografinë e Hrushovit dhe Liri Belishovës. Ditën e hënë pasdite, datë 21.3.1963. ka hequr artikujt në gazetën e murit dhe ka vendosur fotografinë.

Këtë fotografi e vondosa thoshte ai sepse aty është dhe shoku Enver.

Kostandin Pine, është djali i Petraq Pines, N/Drejtor dhe sekretar i organizatës bazë të partisë së shkollës së rezervave të ndërtimit.

Ndërsa për informacionin që na dërgon Myfit M…., një nga gratë që e ka bërë këtë bisedë, ka qenë dhe nëna e Fatmir Frashërit, e quajtur……..?!

SEKRETARI I I –rë I K. P. QYTETIT TE TIRANES

(RRAPO DERVISHI)

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

P.S.

Ky shkrim botohet edhe në shënjë homazhi për kompozitorin dhe muzikologun e famshëm Abdulla Grimici, i cili dje u nda nga jeta në moshën 99 vjeçare, në Askoli të Italisë ku jetonte prej vitesh. Lajmi bëhet i ditur nga e bija, Violeta Grimci Bakalli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *