Kur Papa Françesku ishte djalë i ri…

Jorge Mario Bergoglio hyri në Shoqërinë e Jezuitëve më 11 mars të vitit 1958, u shugurua meshtar më 3 dhjetor 1969 e bëri kushtet e përjetshme më 22 prill 1973.

Urdhërin e Jezuitëve e zgjodhi që më 1957 kur, pas disa muajsh kaluar në seminar, u prek nga një sëmundje e mushkrive e iu desh t’i shtrohej edhe operacionit, pas të cilit vendosi të largohej nga seminari i Villa Devoto e të hynte në Shoqërinë e Jezusit, që iu duk më e përshtatshme për thirrjen e  tij misionare.

Në atë çast as nëpër mend nuk i shkoi se mundësia për t’u nisur në mision do t’i mohohej për shkak të problemeve të shëndetit e se do të kishte mundësi t’i kushtohej vetëm shumë vite më vonë, e në një mënyrë krejt të ndryshme, të cilën as ëndërruar nuk e kishte. Të jesh jezuit, do të thotë, mbi të gjitha, të merresh me Zotin. E ai me Zotin u muar si rregulltar e më pas edhe si ipeshkëv e kryeipeshkëv i Buenos Ajres. Po i afrohej kohës kur njeriu, pasi ia ka kushtuar gjithë jetën një ideali të shenjtë, nis të mendojë për pushimin e moshës së tretë, kaluar me lutje e meditim. Po mosha e tretë i ruante jezuitit – një të papritur tejet impenjative: fronin e Shën Pjetrit!

U bë kështu i pari Papë jezuit. I pari me emrin Françesk. E i pari edhe për shumë gjeste e risi të tjera. Duke nisur nga ajo “Mirëmbrëma” drejtuar turmës brohoritëse kur, pak çaste pas zgjedhjes, doli ta përshndesë nga lozha qëndrore e Bazilikës së Shën Pjetrit. Risi, që i dëgjojmë, i shikojmë e i prekim përditë në homelitë e veprimtaritë e shumta të Jezuitit Papë i cili çudit botën me zellin e tij të pashoq misionar. Mision që s’njeh moshë, lodhje as kufij. Gurrë energjie Papa, që sot mbushi 60 vjet nga dita kur hyri në Shoqërinë e Jezuitëve! (Radio Vatikani)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *