Ku të gjej një vend që mos të gjejë vdekja!

Për Vjosa Jakovën
————————

Ku të gjej një vend të të fsheh nënoke
që mos të të gjejë vdekja,
thuam e dhimbsura ime, ku,
e ndjej se ajo vjen rrotull bashkë me erën e marrë
dhe mbi kokat tona bije me rrufe,
ndjej frymën e saj të rëndë që shfryn
dhe klithmën që lëshon natën nëpër qiell,
hapat e saj prej plumbi të kërkojnë ngado,
ku të të fsheh nëna ime e ëmbël
me ata sy të zbehtë dhe duar të vrara,
gjinj të mpirë që kanë kohë që mërdhijnë,
eja, futu nënë tek unë dhe fshihu brenda meje,
hyrë në gjakun tim që askush të mos gjejë,
për shtroje do kesh plagët e mia,
gjethet e zverdhta të adoleshencës
që kurrë nuk qeshi,
shko zbathur e ngadalë nëpër damarët e mia
në labirinthet ku ruaj veç dritë për ty,
ec mbi lumenjtë e mi të gakut,
ashtu syhapur mbi shkumën e dëshpërimit
që të shohësh të kuqen e dashurisë për ty
dhe atin tim vdekur pas hekurave,
lulëkuqet aty ende nuk janë nxirë e venitur,
shko e ëmbla ime, prehu në zemrën time
ajo i ka hapur të gjitha portat e dritaret për ty
porta që djegin ndër vite,
shko aty dhe bjer e fli,
jo, nuk do ta lë vdekjen të të marrë,
ati im i mirë s’mundi të të mbrojë,
ati im me sy meiti,
por unë mundem që vdekjen ta ndal dhe ta verboj,
botën ta përmbys,
se kam një diell në dorë që prej vitesh më përvëlon.
Gjithnjë do të të mbroj nënokja ime
gjiri im jetdhënës me aromën e qumështit
që ende kam ndër buzë,
do të bëhem martirja tënde nënë,
jo e Krishtit,
do të bëhem shenjtja jote mëmë!…
——–

P.S. E tronditur psiqikisht nga burgosja dhe vdekja e të atit Tuk Jakova dhe gjendja e mjeruar e familjes së saj në internim, një ditë ajo i kishte thënë nënës: “Ku të gjej një vend të të fsheh, që vdekja të mos gjejë!”…

Luan Rama

Avion, Paris-Frankfurt, duke lexuar letrat e burgut të çiftit Jakova, 11 mars 2018. (Ndodh nganjëherë, mbi re, ku ti s’ke asnjë lidhje me tokën, vendin dhe njerëzit e tu, qê disa fjalë që lexon të trondisin, fjalë të një vajze 20 vjeçare që të përcëllojnê shpirtin si me hekur të skuqur. Dhe ashtu në ajër mbylla sytë duke kërkuar fytyrën e asaj vajze në atë udhëkryq ajror ku pikëtakohej dashuria dhe vdekja!)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *