“Kotësia e dallimeve të vogla”, shuplakë klasave shoqërore

Grayson Perry është thesar kombëtar. Karriera e tij nisi si një “poçar transvestit” e kontrovers, por ai tanimë është artist fitues i Turner-it; autor dokumentarësh që ka fituar BAFTA e një burrë dhe një baba të përkushtuar”. Kështu e prezanton “The Vogue” në Britani, një prej artistëve më në zë artit pamor në Britaninë e Madhe. Çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozita “Kotësia e dallime të vogla” të artistit britanik Grayson Perry. Ekspozita përbëhet nga 6 tapiceri, 8 gravura origjinale të punës së William Hogarth, 20 riprodhime dhe 3 dokumentarë të krijuar nga udhëtimet e Perry-t në rajone  të ndryshme në Angli. Qëllimi i ekspozitës së Perry-t është vëzhgimi, njohja dhe kuptimi i klasave shoqërore britanike dhe shija që lidhet me to. Pikturat e tij në tapiceri kanë në qendër jetën e Tim Rakewell, i cili lind në klasën punëtore, pasurohet dhe bëhet pjesë e klasës së mesme, por nuk arrin dot të futet në klasën e lartë të shoqërisë dhe në fund vdes i pasur në një aksident automobilistik. Në konferencën për shtyp, kuratori i ekspozitës në Shqipëri, Rubens Shima, ish-drejtor i GKA-së, sqaroi konceptin artistik, mesazhet dhe moralin që Perry përpiqet të transmetojë në punët e tij. “Jam i kënaqur që jam marrë me ekspozitën ‘Kotësia e Dallimeve të Vogla’, të një prej autorëve më të njohur në Britani të ditëve të sotme. Ekspozita zë fill nga një seri dokumentarësh në bashkëpunim me “Channel 4″, ku artisti bën një vëzhgim të kujdesshëm mbi klasat shoqërore dhe shijen në Britaninë e Madhe. Më pas shënimet, impresionet, vëzhgimet, fotografimet që mbajti gjatë këtyre udhëtimeve, vendosi t’i sjellë në formën e një ekspozite duke zgjedhur pikërisht një teknikë shumë të vjetër, njëkohësisht shumë të çmueshme dhe që lidhet me statusin e prestigjit dhe statusin e familjeve të dikurshme aristokratike, që është tapiceria”, tha Shima. Sipas tij, në një lloj kuptimi ai donte që vizitat e tij t’i bënte të pavdekshme meqenëse tapiceria në origjinën e saj të hershme është mbajtur si një lloj media që regjistronte ngjarje historike. Pra, duke marrë nxitje nga historia e vetë tapicerisë, ai vendosi që vizitën e tij në shtresat e ndryshme të historisë britanike, pra këtë rrëfenjë morale të modernitetit ta përjetësonte në tapiceri”, nënvizoi Shima. Drejtori i GKA, Artan Shabani e cilësoi si risi këtë ekspozitë. “Jam shumë i nderuar që finalizuam këtë projekt dhe falënderoj ‘British Council’, që zgjodhi Galerinë Kombëtare për këtë bashkëpunim, duke bërë të mundur të sjellim së bashku artistin Grayson Perry në Shqipëri. Ekspozita është risi jo vetëm për Galerinë Kombëtare, por për të gjithë skenën artit shqiptar. Siç e dini, vjen në Tiranë pasi është hapur në Londër, Turqi, Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor”. Shabani shtoi se përveçse na prezanton me një artist shumë të veçantë, ekspozita i bën një skaner klasave shoqërore britanike, përcjell mesazhe dhe hap diskutime jo vetëm në kontekstin e shoqërisë britanike, por në çdo shoqëri. “Përmes saj, publiku do të mund të përballet me një këndvështrim, ndoshta të pahasur më parë, i pasuruar gjithashtu me elementë autobiografikë dhe satirë”, tha Shabani. Drejtuesja e “British Council”, Aida Bërxholi vendosi theksin në mesazhet që përcjell arti i Perry-t në këtë ekspozitë. “Puna e Grayson Perry është rreth njerëzve, qenies njerëzore. Nuk ka gjë më interesante se sa të studiohet, të debatohet mbi natyrën njerëzore. Ky është parimi që e bën interesante ekspozitën për publikun. Për ne si ‘British Council’, ky parim përbën edhe thelbin e punës, pasi ne përpiqemi të nxisim debatin, të mblidhemi së bashku, të diskutojmë dhe të ndajmë këndvështrime. Për gjatë kohës që ekspozita do të jetë e hapur, do të organizohen disa evente, sesione edukimi, diskutime dhe debate”, u shpreh Bërxholi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 dhjetor 2017.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *