Kishat e Voskopojës në listë rreziku? Ja përgjigjja e Ministrisë së Kulturës!

Fatmira Nikolli

12 kisha të Voskopojës dhe Vithkuqit janë nominuar nga organizata “The past for the Future” si kisha në rrezik. Sipas organizatës në fjalë objektet janë të neglizhuara tërësisht dhe nën menaxhimin e Institutit të Monumenteve. Dëmet janë cilësuar të ardhura nga hyrja e ujit në çati dhe nga dritaret, ndërsa flitet për dëme në afreske. Organizata “The past for the future” ka kërkuar që këto kisha të futen në listën e objekteve të rrezikuara të Europa Nostrës për vitin 2018. Në të njëjtën listë, organizata kërkon të fusë edhe Gjirokastrën.

Duket se i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës. Kjo e fundit përmes postimeve të ndryshme, ka bërë me dije ndërhyrjet në kishat e Voskopojës dhe restaurimet e bëra së fundmi sikundër projektet e realizuara dhe ato të miratuara për Gjirokastrën. Ministria hedh dritë pikërisht mbi investimet që kanë nxjerrë nga rreziku kishat në atë zonë, që sidomos në dy vitet e fundit ka pasur një vëmendje të madhe duke tërhequr fonde të konsiderueshme.
Reagimi i ministrisë

Në fshatit turistik Voskopojë ka përfunduar projekti për restaurimin e strukturave në kishën e Shën Nikollës, Shën Marisë, manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë ka njoftuar Ministria e Kulturës.
“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lekë të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën kulmore në Voskopojë, për të vazhduar me kantieret në Dhërmi, Vuno, Gjirokastër”, pat deklaruar ministrja Mirela Kumbaro nga Voskopoja.

Ministria bën me dije se Kisha e Shën Nikollës, Voskopojë ka rëndësi të veçantë, si në aspektin historik dhe atë arkitektonik si dhe ka vlera të çmuara për pikturën murale dhe artin e dekorit në interier. Restaurimi i kryer konsiston në ndërhyrjet për përmirësime dhe për ruajtjen, rinovimin e objektit në drejtim të kohëzgjatjes së tij si monument. Përveç arkitekturës në këtë projekt, më vonë do të ketë dhe trajtime të pikturave murale në pjesët e tyre të brendshme dhe të jashtme. Të dyja ndërhyrjet do të rritin vlerën e objektit dhe njëkohësisht pritet që të rritet vizitueshmëria.
Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe, përveç rikonstruksionit të 4 kishave, përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.


Në Voskopojë po ecën me ritme të shpejta një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, me synimin që ta kthejë këtë qytezë në një pikë turistike të vizitueshme për 12 muaj. Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugëve, qendrës, sistemit të ndriçimit dhe restaurimin e plotë të 4 kishave të shpallura Monument Kulture.
Manastiri i Shën Prodhromit ndodhet në anën veriore të Voskopojës. Është ndërtuar në një pozitë të bukur natyrore, në mes të një pylli pishash dhe me pamje të gjerë të peizazhit rrethues. Kisha, e ngritur në mes të oborrit, formon qendrën kompozicionale të manastirit. Sipas mbishkrimit të gdhendur në një pllakë mermeri, të vendosur mbi portën e hyrjes ndërtimi i kishës është bërë në vitin 1632, ndërsa pikturimi në vitin 1659. Gjendja e konakëve ka qenë e degraduar dhe rrezikonte të shembej. Ndërhyrja restauruese e përfunduar para disa muajsh na jep sot këtë pamje të plotë.
Gjirokastra
Vetëm dy ditë më parë u bë me dije se 18 banesa në qytetin e Gjirokastrës do t’i nënshtrohen restaurimit. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të KKR-së, e cila miratoi projektet restauruese të hartuara nga IMK dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës në Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Në listën e shtëpive që do të restaurohen janë edhe ato më të rrezikuara si banesa e Kabilatëve, banesa Çano, Lolomani, Skënduli etj, të cilat do t’i nënshtrohen një restaurimi tërësor sipas projekteve specifike për secilën prej tyre.
Një seri e banesave që do të restaurohen të cilat janë: banesa Kabilatët; Zeko; Lolomani; Batha; Skënduli; Kokobobo; Gurgai ; Ish-Radio dhe banesa Çano janë pjesë e projektit “Shtëpitë e shkrimtarëve”, një projekt i cili parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme të këtyre banesave të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë.
Përveç banesave që janë pjesë e projektit “Shtëpitë e Shkrimtarëve”, KKR miratoi edhe projektet e restaurimit dhe rehabilitimit të fasadave në lagjen Hazmurat dhe Pazari i Vjetër në Gjirokastër për banesat, “Avdi Bozgo”, “Familja Aliko” , “Zapanaja Alimatët”, “Pajtim Ahmeti” , “Hirov Spahiu”, “Vëllazëria Dudumi”, “Kamberi dhe Krongo” , “Familjes Jaupi”, “Familjes e Sevo Caro”.

Ndërhyrjet restauruese të parashikuara në banesën ZEKO do të jenë kryesisht në punimet e brendshme për restaurimin e elementeve drusorë, elementeve arkitektonikë të interierit, restaurimin e çatisë ekzistuese si dhe sistemimin e ambientit të jashtëm. Banesa BATHA ka pësuar ndryshime kryesisht në ndarjet e brendshme, hapje dritare dhe dyer të reja si dhe shtesa anësore të jashtme që lidhen me objektin ekzistues fillestar. Meqenëse banesa paraqitet në gjendje të mirë konservimi, ndërhyrjet e parashikuara në të konsistojnë kryesisht në restaurimin e elementëve drusorë testekëve, zëvendësimi i dyer dritareve, zëvendësimi i shtrimit të dyshemesë, restaurim i brezit lidhës, restaurimi i fasadës, restaurimi i çatisë me rasa guri. Banesa Batha në lagjen Hazmurat, është një ndërtesë gjirokastrite me një kompozim të thjeshtë që çon në variantin fillestar të tipit të banesave gjirokastrite.
Banesa Çano ndodhet brenda Qendrës Historike të qytetit të Gjirokastrës ka një vlerë shumë të madhe për kompozimin e saj tepër të thjeshtë, që i përket variantit të pazhvilluar me dy krahë. Gjatë viteve, kjo banesë ka pësuar ndryshime të shumta në katet e banuara duke zvogëluar ambientet fillestare, për të rritur numrin e tyre dhe për pasojë ka humbur shumë nga elementet origjinalë të saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *