“Kalatë” po bien e ju rrini në Facebook  

Kam tërë këto ditë, që tërë ditën e ditës sa e hap atë të uruar Facebook, i shoh këta nëpunësat e shtetit që ia behin me fotografira: po bëjmë këtë e po bëjmë atë, miratuam këtë e miratuam atë, shpëtuam këtë e ndërtuam atë. Fotografi të arrira, doemos aparatë të mirë. Kur i sheh këto të thotë mendja se je në mes të Parisit. Veçse tërë këta nëpunësa e zyrtarë, tregojnë atë që duan: anën e mirë; dhe fshehin gjithë atë që ndodh larg aparatëve të prodhuar së fundmi, që ta bëjnë plakën të duket nuse.

Vetëm gjatë këtij muaji, pra gjatë janarit, çfarë s’më kanë parë sytë: kalatë e Butrintit, që sipas disa specialistëve që nuk u mban të dalin hapur, nuk janë restauruar ashtu qysh duhet; Maks Velo duall e tha se “trashëgimia  u shkatërrua nga paratë e drogës”, u dha alarmi për shkatërrimin e  kishës arbnore të Shën Ndojit në Kepin e Rodonit nga Frederik Stamati e Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe u mor vesh se Nivica do marrë tatëpjetën me një projekt të Ministrisë së Energjitikës për HEC, projekt që e ka miratuar Ministria e Kulturës si për t’i vënë vulën, kjo e fundit me gjithë dashurinë e përkushtim që ka.

Mbaj mënt, që edhe në kohën time, domethënë të rinisë sime, monumentet nuk qenë në këtë gjendje, ore po të doni edhe turqtë i mbanin më mirë edhe i ruanin. Veçse atëbotë, nuk kishte Facebook, e njerëzia edhe punonte ndonjëherë ndërsa sot, i ke qeveritarët gjithë ditën me telefona të mëdhenj ndë duar duke postuar fotografi, ca me të tjerë, ca të vetes, kur bëjnë kinse punojnë. Po dilni o njerëz nga interneti e punoni. “Kalatë” po bien një e nga një e ju rrini postoni fotografi nëpër Facebook dhe thoni se po bëni ‘kalatë’. Ndërsa ky vend po shkatërrohet, ju ç’bëni? Na tregoni se po rregulloni shtëpinë e Kadaresë? Ai projekt ka po aq vite sa demokracia juaj e ju rrihni  gjoksin se po bëni namin, ndërsa pas shpatullave tuaja ajo që ne ruajtëm nga Perandoria Romake, Bizantine e Otomane, bie e shkërmoqet. Po ç’tju thom unë ju? Ju, qeveritarë turkoshakë jini: edhe ato ‘kala’ që nuk rrëzohen vetë si ajo e Beratit zëmë shembëll, e rrëzoni ju me dokumentet tuaja të firmosura ndë zyra, ku rrini këmbë mbi këmbë e pozoni për aparatë që e nxjerrin plakën nuse.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *