Jo burri im, mos qaj….

Lonely-man-boat

Nga Luan Rama

Afrohu i ëmbli im,
vëre kokën mbi gjirin tim të sëmurë,
mbi gjirin tim të bardhë e të vrarë,
afrohu në kodrinat e tua ku ti deheshe gjithnjë,
puthmë dhe mos qaj,
i ëmbli im i përjetshëm,
loti yt më djeg më shumë se një llavë e nxehtë,
pështeti buzët dhe ndjeji sërish aromat e mia
që ti i quaje parfumet e botës,
unë do ti harroj gjithë dhimbjet e botës,
dua që ti të jesh i lumtur
si në netët e para të dashurisë
ku shpesh rrëzoheshim në fusha
dhe qeshnim me hënën mbi sy,
bota na dukej e vogël shumë,
bota na dukej e madhe dhe e pafund
dhe ne rendnim parreshtur në udhën tonë të dashurisë,
mos qaj burri im, mjaft,
i ëmbli im,
pështeti buzët mbi gjirin tim të trishtë e të vrarë,
veç kështu më bën të lumtur dhe të fortë
që ta kapërcej kufirin e natës dhe detin e dhimbjes,
vetëm kështu mund ta risjell diellin mbi duart e mia,
mos qaj burri im, puthe dhe dremitu pak
mbi gjirin tim të vrarë,
kjo është sfida jonë e parë,
kjo është sfida jonë e fundit,
unë do të bëj sërrish të lumtur,
do të dëgjojmë sërrish Mozart, Hendel, Bach,
të premtoj i dashur, me çmimin e qumështit dhe të gjakut…

One comment

  • E lexova dhe mu duk nje poezi mjaft domethenese.Njeriu kur eshte keq, kerkon te mbijetoje duke iu rikthyer koheve te bukura te rinise,dashurise,endrrave qe thurnin per te ardhmen…Njeriu gjithmone duhet te enderroje e te kete endrra,ne cdo moment te jetes duhet te doje e ta duan.Nuk kam per ta harruar nje burre te moshuar ne gjendje shume te rende ne reanimacion.E dua shume gruan time ,por nuk jia kam thene asnjehere,me tha.Pas 2 ditesh mbaroi.Une per ta ngushelluar badhkeshorten(e moshuar edhe ajo) i thashe fjalet qe me kishte thene i shoqi.U prek kaq shume dhe njekohesisht u gezua aq shume per ato qe i thashe ,nuk jia falja vehtes qe nuk jia thashe sa ishte ai gjalle.Kjo poezi me ktheu tek ky rast qe kam perjetuar dhe me mbushi me trishtim…melankoli..Pergezime z.Luan per kete poezi kaq njerezore,kaq te ndjeshme.

    Reply

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *