FOTO/ Njihuni me Kishën e Shën Mërisë në Sinjë

Periudha në fjalë shek. XII-XIII kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave – shpellë, shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithe hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor. Siç shihet edhe nga gjendja e sotme, arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje.

Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tri krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon sshkëmbi natyror pranë.

Ndërsa ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë; tre dritare gjatësore prej druri (45X118) me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër, edhe hyrja kryesore ndodhet në anën lindore një flegërshe me hapje nga brenda po prej druri duke u paraprirë nga një derë prej hekuri. Në anën jugure ndodhet një portë dy flegërsh e bllokuar nga brenda me një mur dhe jo më funksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit. 


Hapësira e brendshme e kishës është e vogel dhe e pershtatur me terrenin shkëmbor. Pas deres hyrëse ështe nje hapesire teper minimale me dimensione 72×120 cm. Në të djadhtë të kësaj hapsire gjenden shkallet e ngushta prej guri, të lyera me gëlqere të cilat të çojnë në hapesirën e sipërme. Hapësira e sipërme ka nje dysheme e cila thyhet ne tre nivele te ndryshme sipas terrenit shkëmbor, të cilat lidhen me shkallë. Në mes të hapesirës së sipërme, në faqen lindore shkëmbore gjendet absida e pershtatur në mënyre shume harmonike me terrenin.
Kisha e Sinjës është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Kulturës me urdhër Ministri 239 më 23.06.2015.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *