Festivali i Butrintit, nga trupa kineze tek ajo shkodrane

butrinti1

Rivjen edhe këtë korrik Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000”. Në edicionin e tij të 15-të marrin pjesë trupa shkodrane me “Kanarina blu” të Stefan Çapalikut, “Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Dimitri Khvtisiashvili nga Gjeorgjia, “Ruchardi i III” nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kinës, “Ëndrra e një nate vere” me regji të Michalis Sionas nga Teatri “Thesis” i Athinës si edhe “Variacione me motive nga këngëtarja tullace” me koncept e koreografi të Gjergj Prevazit. Festivali mbahet në datat 13-20 korrik në teatrin antik të Butrintit dhe hapet me një koncert të orkestrës së harqeve e klubit të Artit.
Drejtori i festivalit, Alfred Bualoti, shënon se 60 vjet më parë, themeluesi i Festivalit të Avignonit, Jean Vilar thoshte: “Po, ne duhet të ngulmojmë, të sakrifikojmë! Se nëse politikëbërësit apo të fortët e politikës nuk besojnë më tek kultura, kjo do të thotë se ata nuk besojnë më tek sovraniteti i popullit”. Sipas Bualotit, përballë dëshpërimit tonë nga politika, kultura dhe arti lind një politikë të re, që s’është aspak diçka simbolike, por një shembull emblematik i mishëruar nga ndjenja të sinqerta të shpirtit njerëzor. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” me ngulmimin e rezistencën e tij, me angazhimin e qindra artistëve nga mbarë bota, të cilët përbëjë zërin e njerëzve që refuzojnë një botë të privuar kanë shprehur qartazi, që mrekullia skenike, kurajë dhe shpresa do të përbënin doemos një zgjidhje, një të ardhme. Të ngulmojmë që vendimet e ndryshimeve të mëdha mbi gjeneratat të kalojnë nga kultura, pasi kjo është thelbësore për një shoqëri të civilizuar e të integruar. Edukimi fillon nga kultura dhe kultura është një edukim i vazhdueshëm. Duhet të ngulmojmë me ekzigjencën intelektuale, me besimin tek inteligjencia e publikut, tek angazhimi i artistëve dhe ndërgjegjësimi i poetit. Zelli dhe etja shpirtërore e publikut të shumtë në këto 15 edicione të Festivalit Butrintit i ka dhënë kurajë, shpresë dhe jetë, dëshirës së ndryshimeve në të ardhmen edhe pse shpesh rrethanat bëjnë të kundërtën. Padyshim që të besosh, të rezistosh e të ngulmosh, ky është destinacioni më i mirë i kulturës apo i Festivali Ndërkombëtar të Butrintit. Pra, ne kemi detyrën të rezistojmë e të ngulmojmë. Këtë detyrë ky aktivitet emblematik i turizmit kulturor e ka për gjeneratat  që vijnë, pasi nga kulturat e mijëvjeçarëve ne rrezikojmë harresën. Butrinti me festivalin e tij është një xhevahir në gjirin e vendit, ai duhet të ekspozohet sa më bukur që të duket sa më i rrallë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *