“Feministeve” shqiptare: Kjo është karta e të drejtave, që femra të prostituojë?!

Jonida Hitoveizi

Mundësia e legalizimit të prostitucionit në vend ka hapur një debat publik në ekranet e vendit dhe media të tjera, ku disa aktorë të shoqërisë civile dhe ata që valvisin kartën e të drejtave të njeriut, mbrojnë, deri  forcërisht idenë, se prostitucioni, jo veç është zanati më i vjetër në botë, por mbi të gjitha se njeriu ka të drejtë të shesë trupin e tij. Më falni jo njeriu, veç femra! Akoma më bajate e pa argumente të mirëfillta të së drejtës bëhet situata, kur çështja mbi legalizimin nuk ngrihet jo nga ndonjë grup femrash që duan të punojnë me kontrata të rregullta si prostituta në vend, por nga njerëz që siç duket janë të interesuar për prostitucionin si biznes dhe e shohin, veç si biznes. Kam ndjekur mjaftueshëm kronika për fatin e zi të mijëra vajzave shqiptare që dhunshëm janë detyruar të punojnë si prostituta nëpër rrugët e Evropës, të mashtruara, të trafikuara, të rrahura, të dhunuara, të vrava kur kanë dashur të largohen nga rruga. Kam dëgjuar, kërkuar e pyetur për ato vajzat e bukura që keni parë në vitrinat e vendeve nordike, të gjitha të trajtuara si mish në shitje, të detyruara të rrinë ashtu si objekte zbukuruese, në joshje të blerësve disaorësh. Mes tyre ka dhe vajza shqiptare që kanë ngecur brenda “kutisë së prostitucionit”. Po përtej dramës së vajzave, kryesisht nga vendet e varfëra të lindjes, që ushqejnë tregun europian të mishit të bardhë, të flasësh për prostitucionin si punën që femrat  mezi e presin në jetë dhe të mirat që sjell ajo është më shumë se fyese për të gjitha ato bija nënash që në mos prej dhunës, por mospajes së një rruge tjetër kanë përfunduar si prostituta. “Feministet” shqiptare, e lobojnë poshtë e lartë shitjen e trupit si punë të zakonshme që bëjnë gratë, duke mos treguar e mos folur, se në shtëpitë publike që këto duan të hapen, këto punonjëse të seksit janë Viktima. E në mos janë çuar aty me dhunë, mashtrim, apo kërcënim, do dhunohen nga klientët, sepse fundja ata paguajnë dhe kush paguan, bën çtë dojë me mallin që blen. Dhe mbi të gjitha këto viktima, edhe nëse ia dalin të shkëputen nga rrjeti do mbeten përherë qënie njerëzore të përçunduara, pa nder, pa respekt, pa familje, pa miq pa të ardhme. Me njollën e të qenit prostituta.

Por ka dhe një të vërtetë tjetër. Nuk mund ta mohojmë dot se në Shqipëri pas viteve 2000, kur mbaroi trendi i trafikimit të grave e vajzave në Evropë, streha prostitucioni janë tentuar të ngrihen qosheve e skutave të ndonjë pallati a moteli. Nga kronikat e zeza kemi parë se ato që shfrytëzohen kryesisht janë vajza të vogla, adoleshente, vajza nga familje problematike, apo të gënjyera e të abuzuara. Këto femra sigurisht s’kanë zgjidhje tjetër sipas “feministeve”shqiptare, veç të vijojnë kënaqjen e shumë burrave çdo ditë në “shtëpitë e legalizuara” në këmbim të kotheres së bukës. Madje për këtë përdorin argument të fortë se shteti do kontrollojë nëse vajzat janë apo jo të kënaqura me kushtet e punës apo si i trajton padronia a padroni, apo edhe a i plotësojnë kushtet për të kënaqur klientët e frustuar. Duke fshehur sërish faktin se prostitucioni nuk është biznes që e kontrollon shteti, por mafia, grupet të strukturuara trafikantësh në gjithë botën, pasi deri më sot asnjë shtet sado liberal nuk ka shpallur prostitucionin si punën e së ardhmes, ku ju mund të dërgoni CV tuaj, pasi keni mbaruar universitetin me rezultate te shkelqyera.

Në gjithë kronikat e transmetuara, asnjë vajzë e rënë pre e këtij trafiku nuk ka pohuar se e zgjodhi me dëshirë punën si prostitutë. Kemi dëgjuar histori të tmerrshme si ajo e 12 vjeçares nga Fieri, të cilën nëna e saj po e përgatiste për prostitutë, siç bashkëjetuesi i saj detyronte atë të shkonte me burra të tjerë, se ai i kishte thënë se nuk do punonte. Drama të tilla, të cilat pjellin prostitutat e ardhshme, femrat e përjashtuara nga tavolinat, nga ekranet, nga shoqëria, nuk mund të trajtohen pa ndjeshmëri njerëzore. Asnjë vajzë e vogël, kur e pyet dikush, nuk është dëgjuar të thotë se kur të rritet dëshiron të bëhet prostitutë! Nuk kemi parë as ndonjë burrë që kur prezanton bashkëshorten e tij, të thotë lumturisht; “oh, gruaja ime ka punuar dikur si prostitutë”. Nuk kemi dëgjuar aq që ndonjë sipërmarrës ka marrë në punë prostituta të rehabilituara apo të shpëtuara nga rruga.

Prostitutat janë femra të padëshirueshme në mesin tonë. Por prej tyre përfitojnë trafikantët, përfitojnë klientët burra dhe ne duhet të sakrifikojmë disa prej grave tona për hir të këtij funksionimi të”rendit shoqëror”. Ky mendim i fshehur pas së ashtuquajturës e drejta për të shitur trupin apo i artikuluar me zë të lartë padashje siç bëri Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, kur tha se duhet të legalizohet “shërbimi i femrës”, është më shumë se një krim. Është të ndihmosh krimin të vrasë të ardhmen e shumë femrave, me preteksin se do ta kontrollojë shteti këtë shfrytëzim, i cili që në ngjizje është vepër e krimit dhe trafikantëve të qënieve njerëzore.

Ndoshta këta zëra pro, që bëhen më të rëndë kur shqiptohen nga buzë femrash, që duan ta paraqesin prostitucionin si një të drejtë themelore të femrave, duhet të shohin luftën që bëri Franca në fushatën kundër prostitucionit, duke miratuar ligjin që dënon klientin. Kërkoni një eskotë?- Na vjen keq po ka vdekur!, – ishte mesazhi që tronditi të gjithë, me synimin që të ndëshkohen klientët të cilët duke paguar për seks, furnizojnë me para rrjetin kriminal që kontrollon prostitucionin. Sepse prostitucioni, me apo pa ligj mbetet biznes kriminal! Dhe puna si prostitutë nuk është zgjedhje e lirë. Mbi 90% të rasteve apo punëtreve janë viktima të trafikimit.

Në vendin tonë ku femra mjaftueshëm është viktimë e burrit, e mentalitetit se e lë burri ose e vret po nuk është e virgjër, të kërkosh legalizimin të prostitucionit është një thikë pas shpine për gjithë gratë e pamundura, ato më të dobëtat që s’kanë askënd t’i nxjerr në televizor, që janë kontigjent i këtyre grupeve.

Nëse prostitucioni është e drejtë e njeriut le të jetë e njeriut, jo e gruas. Të hapen shtëpi publike ku punëtorë seksi të jenë burrat! Pastaj flasim për respektimin më të mirë të të drejtave të njeriut dhe për feminizmin që mbron femrat, e për të drejta të barabarta mes gruas e burrit! E pamundur apo jo?! Prostitutat duhet të jenë vetëm femrat, sepse veç ato ndoten nga seksi!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *