Ermalit i lumtë, po Inva sapo la disa prezantuese pa punë

Nga Mira Kazhani

Për Ermalin folëm dhe u krenuam sot gjithë ditën, edhe pse nuk kemi ndonjë meritë në suksesin e tij në Sanremo.
Sukses që s’e ndau e s’e ka ndarë ndonjëherë me mesazhe nacionaliste artisti me origjinë nga Fieri. Fakti që një shqiptar merr Sanremon mbetet një çmim i bukur për Shqipërinë dhe shqiptarët, që e kanë të nevojshme të krenohen pak, se akoma në Milano, Romë, Piza na hapin portofolët dhe na shohin me përbuzje policët që stampojnë pasaporta gjithë ditën dhe shohin udhëtarët në bebe të syrit. Le të jesh ti njeri i rëndësishëm, i pasur, intelektual, i lexuar, ai njeriu që bën tre lëvizje gjithë ditën – shfleton, stampon, sheh në bebe të syrit – të ka në dorë.
Ermalin e kam edhe intervistuar një herë në mëngjes, dikur, në Wake Up, dhe më la shijen e një artisti pa origjinë. Nuk kish emocione nacionaliste dhe sa herë e shoh, edhe në pamje ka marrë hijen tipike italiane. Është aq artist sa, ndryshe nga Elsa Lila, nuk e ndjeu të bënte një përshëndetje edhe në shqip dhe mirë bëri, se fitoret personale duhet të jenë individuale. Është lodhur nëna e Ermalit, që, siç thotë ai në këngë, ka hequr dorë nga ëndrrat e saj për të ndjekur i biri ëndrrën. Kuptohet, qëkur e kam dëgjuar për herë të parë në youtube, në mëngjes, të dielave e dëgjoj zakonisht Ermal Metën.
Kurse këtë të diel në mbrëmje pashë Inva Mulën, që u shfaq në Klan, duke prezantuar “Virtuozët”, spotin e të cilit e kisha parë dy ose tri herë.
E qetë, e ëmbël, e qartë, e kthjellët, me mendjen tek virtuzoët e vegjël (nuk rregullonte fustanin ose të shihte veten diku) me një zë normal, sikur po fliste nga kolltuku im përbri, jo nga ata zërat që jemi mësuar të dëgjojmë sa herë hapim televizorin. Nuk presim asnjëri nga ne, që Inva të dalë e të bërtasë e ulërijë tërë hare në skenë, por e bëri aq bukur, si një muzikë. Duke na rënë veshët në qetësi nga britmat por edhe duke dëgjuar fjali me kuptim. Sigurisht që Inva Mula nuk është prezantuese, por për fatin e keq të shumë të tillave, na konfirmoi se paskemi vuajtur shumë e s’ua kemi borxh.

25 rreshtat e Mirës është rubrikë e përditshme në tiranapost.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *