Erimioni Mërkuri, një perëndi polifone

Nga Aleksadër Çipa

Erimioni Mërkuri hyn në skenë, nëse e ke dëgjuar qoftë edhe një herë më parë, si në atë vargun e “Orestia”-s së Eskilit :” …me hap të lehtë ajo kapërceu pragun/ duke guxuar atë që nuk guxohet”. Eshtë fjala për guximin interpretues, për atë guxim i cili ia del sa herë është rikthyer para publikut, para mikrofonave dhe sidomos në sofrat e mëdha të këngës kombëtare shqiptare si një amazonë, por edhe si një Ajkunë, si një ereni ashtu edhe si një divë e aftë dhe në vlershmëri të gjithëkohshme për të qenë magjike. Një ndër dimensionet e shumëlëvduara të Polifonisë shqiptare është pesha semantike si vlerë universale dhe njëherësh unike. Ndiqeni në një akt shtrirjeje zërin e Erimioni Mërkurit, si për shembull tek këngët “Naim Shqipëria”, ose “Bota shqiptare” dhe do të përfitoni ndiesinë dhe asosacionin e së pafundmes dhe të rëndesës gravitale. Këtë e mundëson vetëm Erimioni përmes fjalës në melosin që di të gjenerojë vetëm gryka dhe talenti i saj.

… Do të jem në pikëllimë të gjatë, gjersa të mësoj ose të lexoj se një etnomuzikolog i vendit ose i Botës të marrë përsipër dekodifikimin e zërit të saj nëpër këngët magjike që ka lënë si fond dhe repertor të interpretimeve në Grupin Polifonik të Pilurit.

Erimioni Mërkuri nuk ka tituj e dekrete presidenciale.Eshtë e lauruar në pesë Festivale Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, Beratit dhe Lezhës. Nuk ka asnjë ofiq të dhënë në kohë të ndryshme prej shtetarësh apo jurish e komisionesh shtetërore.

Ka miliona duartrokitje të shpërndara për më tepër se dyzet vjet, nëpër skenat shqiptare dhe ato ballkanike. Eshtë një ndër më të kërkuarat në sitet e polifonisë shqiptare dhe mijëra fansa të saj hedhin dhe shtojnë vlerësime apo lëvdime për fuqinë emocionuese dhe ndikimin që shkakton mbi gjendjen shpirtërore të dëgjuesit Erimioni me zërin e saj. Vlerën unike të kësaj interpretuese magjike të polifonisë së Pilurit e kam bërë pjesë të ndërgjegjes sime si nevojë kur kam lexuar vargun e poezisë së tim eti: ”zërin t’u ruaj nga vapa”. Ajo është një krye-sirenë e polifonisë sonë, të cilën im At e emërton shqip si “Fosforina shqiptare”.

Eshtë një nimfë e Këngës Polifonike shqiptare që mishëron në interpretimet e veta imazhet fonike dhe vizive të fenomeneve natyrore të Tokë-Jetës, të zhyt në dhe shtysa të fuqishme asosacionesh dhe fantazish. Në zërin e saj është cikli i shprishur i vetëtimave akrokeraonike të brigjeve të Himarës së sotme, është elegjia e thellësive dhe gjerësive homerike, është shtatlartësia e lisave të maja maleve, është muzgu i rënë në det, të cilin e sheh nga gërxhet e maleve. Njëherësh është edhe tej-Bota të cilën e sheh nga një vis kaltërsish siç është Piluri mbi Himarë.

Eshtë punë e munguar e studiuesve, laboratorëve dhe shkencës së etnomuzikës shqiptare, analiza e opcioneve, varianteve dhe sidomos modeleve interpretuese që ka sjellë në repertorin e vet Erimioni Mërkuri. Kushdo që mendon se të thënat për këngët e Grupit të Pilurit, vlejnë edhe si analizë për cilësitë dhe talentin e Erimionit, padashur apo pazotësisht, mund të bjerë në gabim të një mohimi të padrejtë.

Për të ndricuar me fjalën shpjeguese tërësinë e fenomeneve njerëzore e natyrore që mbart zëri dhe aftësia gjeneruese e melodisë në interpretimet e saj, do të duhet punë e një eksperti të kalibrit.

Ka një forcë të shpjegueshme dhe të rrëfyer vetëm përmes letërsisë. E kemi fjalën për letërsinë antike, në ato kapituj ku rrëfehet për Olimpin.

Erimioni është një këngëtare, madje semiotikisht cilësimin real të individualitetit vokal të saj mund ta materializojmë përmes fjalës Polifone. Ajo është një perëndi zëri që si perënditë që nuk kanë të dytë, edhe ajo nuk përsëdytet. E dëshmuar si e tillë në gjithë repertorin prej më shumë se 260 këngë që njihen si fond i krijimtarisë së Grupit të Pilurit. Në fillim të viteve ’80-të një grup regjistrimi i Televizionit Publik Francez u gjend në Himarë dhe regjistroi si matricë të vetme këngën “Shqipëri moj ballëhapur” të Erimionit së bashku me korifeun tjetër magjik të Himarës, polifonin Dhimitër Varfi. Ajo këngë është e pagjendshme sot, por dy korifejtë e saj Erimioni dhe Dhimitri, kanë lënë të regjistruar dy regjistra vokalë të cilët vështirë se mund të riprodhohen e aq më tepër tejkalohen. Nuk është e rastësishme që edhe një regjistrim i tillë, i treti jashtë Shqipërisë i këngës himariote, nën regjimin e izolimit të plotë komunist të vendit, po kryhej nga francezët?! Dy të parët në vitet ’30 ishin realizuar nga Neco Muko Himarioti në Paris.

Këngët e interpretuara nga Erimioni të gjitha janë me vërshime të brendshme si imitim i vullkanitetit shpirtëror të njeriut. Derdhja e zërit të saj në grykë është dicka prej vërshimi të stuhisë apo tramundanës, por edhe fërfërima e gjethes në vapë si dhe krejt pafundesia e horizonteve. Në ngjyrat vokale të saj është tërë shpërthimi i stuhishëm i detit dhe imazhi gorkian i Zgalemit, është “lulja në borë” dhe “Zoga kaçake në male”, është “Naim Shqipëria” dhe “Bota shqipëtare”, është “Manushaqja” dhe “Loti që lau synë”, është “Zilja e hollë e mushkës” dhe “Mbrëma, mbrëma kur fryn era”.

Tek zëri dhe këngët e Erimioni Merkurit janë baladat dhe elegjitë unike, të pa parafytyryeshme as nga letërsia antike dhe as nga ajo klasike. Elegjitë e Erimioni Mërkurit janë fenomeni i një bashkëkohësie që mbetet në fuqi. Mjafton të kërkoni elegjinë “Anës detit përmbi gurë” të Grupit të Pilurit, ku gjendet distiku i Lefter Çipës (janë lotët e kurbetit/ që shtojnë ujin e detit), dhe keni për të përjetuar zgafellën homerike të brengës mërgimtare të njerëzimit.

Erimioni Merkuri ka më shumë se 18 vjet që jeton në emigracion në Selanik të Greqisë e ndërprerë nga jeta aktive artistike, por jo e ndalur dhe përkohësisht e humbur. Mirëpo sic pohon Kadare tek “Eskili ky humbës i madh”,;”… për humbjen ke gjithmonë dëshirë të flasësh”. Erimioni është kryenece e rrallë ndaj humbjes për vijimin e aktivitetit të vet artistik. Ajo në momente të vecanta lëviz rikthyeshëm si një artiste e pakuptuar.Këtë bëri edhe këtë fundjavë në Prishtinë dhe në Tiranë, duke u bërë pjesë e koncertit të dy grupeve më të zëshme të Himarës dhe Pilurit në pesëdhjetë vitet e fundit. U rikthye duke e vijuar këngën e vet, në lartësinë interpretuese ku e pat ndërprerë, aty ku e pat lënë, në fillim të viteve ’90-të në Gjirokastër.

Këtë fillimjavë Erimioni rishtazi iu rikthye mërgimit, modeste dhe e heshtur si një Perëndi që mbart besnikërinë ndaj padukshmërisë së bujshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *