Ekspozita e kotësisë dhe suksesi i njerëzve të Facebook-ut

Nga Entela Hoxha

Kinemaja është një mashtrim i madh, thuhej kur ajo filloi të bëhej pjesë e qenësishme e jetës së qytetarëve të botës në shekulllin e kaluar.

Deri diku është e vërtetë por më e vërtetë se kjo mund të ishte fraza ‘rrjetet sociale janë një mashtrim i madh”.
Hiberbolizimi i ngjarjeve të rëndomta e të zakonshme të jetës sonë a të punës sonë, bëhet i madh nga publikimi i çdo sendi që na rrethon e çdo gjëje që na ndodh a e bëjmë të ndodhë.

Duket se nuk jetojmë më për të ndjerë, por për ta postuar atë në faceboook. Duket se po nuk u postua nuk ka ndodhur. Sekush rreket të postojë sa më shumë, të tregojë sa më shumë, ku është e me kë, si për ti dhënë rëndësi vendndodhjes së vet, shpesh duke e hiperbolizuar që në krye të herës vendin a ngjarjen ku po merr pjesë.

Postimet, bëhetn kësisoj më të rëndësishme se ngjarja dhe shumëkush rreket të jetë pjesë në ngjarje edhe mediokre vetëm e vetëm për ta fryrë e për ta postuar më pas.

Rëndësia e check in-ëve ia kalon rëndësisë së asaj që ndjen. Bota virtuale shndërrohet në botë më të rëndësishme se bota reale. Shpesh e dikton atë dhe jeta e përditshme është në funksion të virtuales.

Shkëlqimi i magjishëm i facebuqeve, njëjtë me fryrjen e tullumbaces, e siç bën tullumbacen më të madhe se topin, bën edhe individin më të rëndësishëm se individi. Personazhe të krijuar nga asgjëja, bëhen modelë a modele vetëm për hir të postimeve që vlerën më të madhe e kanë te like-t shpesh të masave të pashkolluara.

Virtualja e zhbën jetën, duke krijuar masa të mëdha analfabetësh funksionalë që e shpenzojnë kohën e tyre me gjithë çfarë nuk u duhet, as nuk për t’iu dashur. Tanimë, me një klik hyn në jetën e secilit, dhe duke parë atë shkëlqim ‘glamuroz’ veçse krijon pritshmëri të pabazuara mbi çfarë ka e nesërmja.
Ndryshe prej agorave të kahershme që nuk ia jepnin fjalën gjithësekujt por shih, pikërisht për këtë dëgjoheshin në masë, ‘agorat’ e sotme virtuale kanë sukses pikërisht se e ka fjalën gjithëkush, e në fakt jo fjalën por imazhin. Imazhi godet duke mbledhur ‘rreth vetes’ masa, masa që ushqehen me humbje kohe. Ekspozita e kotësisë, si në një panair, shfaq lloj e sorollop personazhesh të dalë nga hiçi që të ngërthejnë me imazhe turlilloj, kinse të një bote kaq të bukur, që veçse e tillë nuk është.
Është bota e rrjeteve sociale.
Përmes tyre, propaganda është bërë më e frikshme dhe e pakontrollueshme, madje e pa menaxhueshme. Zyrtarë e “klerikë” përhapin idetë e tyre, platoformat e tyre “filozofike” duke të ardhur pothuaj me dhunë në jetën tënde, qoftë edhe kur ke vendosur të jetosh pa u rropatur në fjalë boshe. Të gjithë rendin të dalin nëpër foto, nëpër evente, vetëm e vetëm që t’i shohësh, me zor, krejtësisht me zor. Si të mos mjaftonte sa u tha më lart, vijnë postimet e sponsorizuara që përtej normales, të dalin parasysh dhe e ke të pamundur t’u shpëtosh, vetëm nëse vendos të izolohesh nga bota, e të jetosh në terr informativ.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *