Dritëshkroja që ruan historinë, një vështrim mbi Kel Kodhelin

Kel Marubi – Instagram takeover

Një javë të çdo muaji, në profilin e Marubit në Instagram, do të paraqitet një seleksion fotografish të realizuara nga secili prej fotografëve të arkivës.
Përzgjedhja e fotografive do të bëhet nga artistë, kuratorë, fotografë e studjues që do të na njohin me krijimtarinë e tyre.
Muaji shkurt do i kushtohet fotografive të Kel Kodheli (Marubi) në një përzgjedhje të bërë nga Kim Knoppers @kimknoppers , kuratore në Muzeun e Fotografisë FOAM në Amsterdam @foam_amsterdam e cila kuroi edhe ekspozitën e parë të përkohshme në hapjen e muzeut, “Gratë në arkivën Marubi” .

Kel Marubi (1869-1940) që në fëmijëri, filloi të ndihmonte në studion e Pietro Marubbi-t dhe rreth vitit 1885, u dërgua nga mjeshtri për të studjuar fotografi në studion Sebastianutti and Benque në Trieste.
Pas vdekjes së Pietros (1903), ai trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë e për nder të tij, mbajti edhe mbiemrin Marubi.
Foto Studio Marubi ishte shumë e njohur në Shkodër e në Shqipëri. Është falë kësaj studioje që sot ne kemi një kronikë historike e vizuale të fundit të periudhës së pushtimit otoman dhe viteve të para të shtetit shqiptar.
Në 1908, pak viteve pas tërmetit të madh të vitit 1905, Keli bleu një shëpi dhe një studio në qendër të Shkodrës, pranë Bashkisë së qytetit. Atë e quajti Dritëshkroja Marubi. Shtëpia dhe studioja e tij do të bëheshin një qendër e rëndësishme për lëvizjet patriotike në Shqipëri. Elitat politike, artistike dhe intektuale takoheshin këtu dhe pikërisht në këtë vend lindi edhe klubi patriotik “Gjuha shqipe”(1908).
Fondi i tij përbëhet nga 34.000 xham negativë të përmasave të ndryshme.
1/7 📸© Kel Marubi,Xhelatinë e thatë në kripë argjendi, Xham, 18X24 cm
Në një autoportret, Kel dhe e shoqja mbajnë veshje kombëtare me stoli si dhe armë. Duke shprehur një qëndrim patriotik dhe një status socio-ekonomik, Keli në të njëjtën kohë, bën të qartë se cili është profesioni i tij meqë në fotografi paraqiten aparatët në fondalin e pikturuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *