Dritëhije në restaurimin e kalave të Butrintit

Më shumë se 9 milionë lekë të rinj është fondi që Ministria e Kulturës ka dhënë për restaurimin e dy kalave në Butrint: kalasë së Vivarit dhe asaj të Vrinës. Prej vitesh restaurimet bëhen duke zgjedhur firmat e licencuara me tender, ndërsa debatet në këtë pikë nuk kanë të sosur, mbasi specialistët e kanë kundërshtuar prej vitesh. Në fund të restaurimit të këtyre kalave, ka dritëhije që bien mbi procesin. Specialistë të monumenteve të kulturës që kanë folur në kushtet e ruajtjes së anonimatit, thonë se restaurimi i kalave të Vrinës e Vivarit pranë Butrintit(Pasuri e Unesco-s) ka dëmtuar ndjeshëm në mos ka zhdukur fazat e restaurimit, ndërsa materialet e përdorura për restaurimin, nuk kanë qenë të duhurat.

“Restaurimet po zhdukin çdo gjurmë të fazave të ndërtimeve në këto kala:si tek kalaja trikëndore, kala veneciane e rindërtuar nga Ali Pasha, edhe në fund të kanalit të Vivarit tek kalaja ku restaurimi ka ndryshuar gjurmët e ndërhyrjeve në shekuj”, thotë një specialist për “GSh”. Një tjetër, sërish në kushtet e anonimatit, sqaron se “materiali i përdorur është jashtë parametrave të restaurimeve. Standardi i restaurimit kërkon gëlqere disavjeçare dhe Butrinti që në kohën e Ugolinit ka gropën e vet të gëlqeres”. Specialistët kanë ankesa edhe për rërën e përdorur, ndërsa shtojnë se punëtorët nuk kanë eksperiencën e duhur për të punuar në monumente, duke gjetur paralele krahasimi me ndërhyrjen e bërë në Sinagogen e Sarandës, çka për ta, është jashtë çdo kriteri profesional. Lidhur me këtë, “GSH” ka kërkuar një reagim nga këshilltari i kryeminsitrit Edi Rama për Urbanistikën e Trashëgiminë, Artan Shkreli. “NO COMMENT” ka qenë përgjigja e tij.

Ndërkaq, kërkesa e “GSH” drejtuar Drejtoreshës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, ka qenë tejet profesionale, por e pakuptueshme për një publik të gjerë. Ne nuk morëm përgjigje për pyetjen e thjeshtë: a janë dëmtuar fazat e ndërtimit. “GSh” ka mundur të marrë intervistë një prej restauratorëve më të vjetër në vendin tonë, prof.Pirro Thomon, i cili aktualisht është pjesë e Këshillit Shkencor të Intitutit të Monumenteve të Kulturës. Thomo, pranon se çdo ndërhyrje prek autenticitetin, ndërsa mohon që të jenë zhdukur fazat e ndërtimit, edhe pse sipas tij “ajo mund të realizohej më mirë. Mund të bëhej që llaçi të dukej më pak”.

– Profesor, si ju është dukur restaurimi i dy kalave pranë Butrintit, ajo e Vrinës dhe e Vivarit?
Kam hapur dosjen e monumentit dhe është e përkryer. Rrallë qëllon që të ketë dosje të tillë pas punimeve të restaurimit. Ka të dhënat teknike, enomike dhe shkencore, ndjekjen e punimeve, relacionet e punimeve, analizat e materialeve. Të gjitha janë aty. Është pikërisht kjo që ne kërkojmë nga çdo firmë. Ju e dini që pesa dërrmuese e restaurimeve bëhet nga firmat me tenderime. Ne të vjetrit e kemi kundërshtuar këtë ide, sepse nuk kemi arritur që të kemi firma të kualifikuara. Me gjithë kujdesin që mund të ketë për shembull supervizori, ajo që garanton një restaurim të mirë është vetë formimi profesional i firmës zbatuese. Aq më tepër kur janë monumente me probleme, restauratori duhet të ketë njohuri shumë të gjerë, dhe këto firma nuk kanë arritur akoma njohuri për monumentet, ndaj kemi qenë skeptikë për monumentet.

Supozojmë: nuk mund të merren me probleme të jashtëzakonshme konstruktive, morfologjike kisha e Shën Kollit të Mesopotamit dhe t’ia japësh një firme po të mos jetë një kuadër i vjetër që t’i dijë problemet. Ata mund t’i dinë rëndësinë, po jo problemet që ka ai monument. Dihet që, të restaurosh një monument duhet të kesh njohuri të thella; kjo vetëm për monumentin, por për gjithë periudhën. Në rastin e kishës së Mesopotamit, që është e periudhës bizantine, duhet të kesh gjithë kuadrin dhe formimin e duhur për periudhën bizantine. Më pas, sa i rri në kokë restauratori, çfarë elementësh gjen, është punë tjetër. Ne nuk kemi ende kuadro të aftë në këtë drejtim nëpër firma dhe gjithmonë kemi kërkuar firmat të rikualifikohen. Siç bëhen testime për arsimtarët e mjekët, pse të mos ketë edhe për restauratorët?! Pengesë tjetër është mungesa e ustallarëve të zot në këtë punë. Më të mirët kanë ikur në emigrim. Disa janë plakur e nuk punojnë më. Është faktor i rëndësishëm mjeshtri në restaurim, se ai, ose të nderon, ose të fëlliq. Tjetër ke parashikuar, tjetër i thua, e tjetër ta bën ai.

– Pra, projekti mund të jetë shumë i mirë, por varet se si zbatohet?
Po. Janë shumë faktorë. Ndaj duhet të ketë rikualifikim, që duhet të përfshije jo vetëm firmat restauruese që janë, por edhe ekipin e mjeshtërve. Duhet të arrijmë në një moment që mjeshtri “ta ndjejë veten” bashkautor me projektuesin. Sepse ai, ose të fëlliq, ose të nderon.

– Në rastin e Kalasë së Vivarit dhe të Vrinës, kush është hartuesi i projektit, kush është supervizori?
Projektues është një grup që ka në përbërje arkitekt, inxhinier dhe arkeolog, pra ekipi është i kompletuar. Projekti ka kaluar dy herë në këshillin shkencor. Ka kaluar herën e parë, e më pas për disa ndryshime të vogla, në projekt. Është tenderuar dhe e ka marrë një firmë. Firma, thonë që ka eksperiencë.

– Firma në fjalë, ka punuar me ujësjellësin e Vlorës?
Po bëj një parantezë. Për mua, personalisht, kriteret e tenderimit në trashëgimi duhet të jenë të ndryshme nga kriteret e tenderimit në një ndërtim të ri. Nëse te tenderimi, në përgjithësi, faktori përcaktues është oferta ekonomike, mendoj se për monumentet nuk duhet të jetë kriter primar oferta ekonomike. Po duhet të jetë eksperienca, punimet e ngjashme.

– Aktualisht, ligji nuk ka diferencë mes dy llojeve të tenderimit?
Me sa di unë, 80% ka oferta ekonomike, ose 75% dhe 25% ka eksperienca. Për mendimin tim, ky raport duhet të ndryshojë pak, në favor të eksperiencës, të punës që ka bërë, të vlerësimit që ka marrë puna e tij më herët, çfarë ka botuar, çfarë ka shkruar kur ka dorëzuar dosjen, si i ka zbatuar punimet e mëhershme.

REAGIMI I IMK-së: JA ÇFARË MATERIALESH U PËRDORËN NË RESTAURIM

Po botojmë më poshtë të plotë reagimin dhe sqarimin e IMK-së, edhe pse nuk kemi mundur të marrim përgjigje të qarta për pyetjet tona, ose përgjigjet janë në një gjuhë tejet teknike për t’iu drejtuar apo për të sqaruar lexuesit e një gazete që do të informohet pa qenë nevoja të jetë domosdoshmërisht arkitekt ose inxhinier. Drejtoresha Dollani u është përgjigjur pyetjeve tona si më poshtë:

Pyetje: Specialiste të fushës thonë se këto ndërhyrje kanë fshirë gjurmët e fazave të ndërtimit në kala. E vërtetë?
Përgjigje: Për çdo sqarim të mundshëm, specialistët e fushës, dashamirësit e monumenteve dhe mediat janë të ftuara të kontaktojnë institucionet e specializuara. Çdo punim restaurimi, me projekt të hartuar nga specialistët e institucioneve të specializuara dhe profesionistët e licensuar, shqyrtohet në Këshillin Shkencor pranë IMK dhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. Realizimi i projekteve të miratuara kryhet në përputhje të me Kartën Shqiptare të Restaurimit dhe nën mbikëqyrjen e specialistëve.

Pyetje: Cila është firma restauruese dhe a ka eksperiencë tek monumentet? Po ata që kanë kryer punimet, specialistë janë?
Përgjigje: Punimet janë kryer nga firma “MANE/S” me Lic. Res. R.SH.24 me Dt.30.03.2012. Drejtues ligjor Ing. Malo Mane. Drejtues teknik Ing.Florjan Denek me Lic. personale R.p.34 Dt. 30.03.2012. Specialistët e firmës janë specialistë me eksperiencë dhe kanë punuar si restaurues dhe mirëmbajtës.

Pyetje -Materialet e përdorura (rëra dhe gëlqerja e blerë me qese) a janë konform kartës së restaurimit? Butrinti ka pasur gropën e vet të gëlqeres, pse nuk përdoret nga ajo?

Përgjigje: Materialet e përdorura janë: – Gëlqere e stazhonuar , me raport testimi NR-4658/15 nga Labratori “”SARP & LAB” me përgjegjës laboratori Ing. Feim Alliu. Një pjesë e gëlqeres është marrë nga gropat e rezervave në Butrint,
– Pluhur tulle
– Rërë frontoje e larë nga Saranda. me raport testimi Nr, 4657/15 nga Laboratori “SARP&LAB”me Nipt L41526502B me seli në Durrës me përgjegjës labratori Ing. Feim Alliu, ku janë përcaktuar të gjithë treguesit.
– Rërë vullkanike e blerë me thasë, importuar nga Italia.
Mapeplast PZ300 me shtesë pluhuri nga lloje të ndryshme materiali POZZOLANIC , me kokrriza me madhësi të vogël, me karakteristika të mira për elementë strukturorë që janë në kontakt me elementet agresivë të mjedisit rrethues. Për të gjtha këto ndodhen çertifikatat e cilësisë në dosjen e monumentit.
– Çdo proces pune është i shoqëruar me foto para dhe pas punës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *