Drita e ndezur e Mastrojanit

FB_IMG_1500031731430

 

Ishte buzëmbrëmje, 19 dhjetor i vitit 1996. Zbrisja nga Palais de Luxembourg nëpër Rue de Seine. Doja të rishihja veprat e reja në galeritë e shumta të kësaj rruge në atë dite flasim.. Diku, në mes të rrugës, pashë një grup njerëzish, kalimtarë e banorë të asaj lagje duke vështruar nga çatitë e pallatit. Dhe ashtu kurioz iu afrova grupit :
– C’është, ç’ka ndodhur ?
– Sapo ka vdekur Mastroiani !
Nuk e kisha ditur se pikërisht atje jetonte prej vitesh aktori i famshëm. Dhe ashtu me të tjerët, qëndrova me sytë lart duke vështruar ata qirinj të ndezur në dritaret dhe cepat e ballkonit të vogël, si për të kujtuar frymën e fundit të tij.
Papritur një makinë ndaloi. Një grua me të zeza dhe me trupin drejt doli dhe iu drejtua portës së shtëpisë. Ishte Catherine Deneuve, ish gruaja e tij dhe nëna e vajzës së tyre, Chiara.
Ajo hije e zezë dhe e heshtur nga dhimbja shpejt u zhduk pas asaj porte që u mbyll dhe me sytë lart unë vazhdova të vështroj ato dritëza në një qiell plot yje. Kishte vdekur Marcello, aktori fetish i Fellini-t dhe Visconti-t, aktori i njëqind profileve të ndryshme e tronditëse, ajo galeri filmike e jashtëzakonshme dhe nga më të shquara të kinematografisë europiane. Dhe duke vështruar kështu, nuk di pse në atë cohë të zezë të natës që ra, mu kujtua ajo ditë që kaluar një natë në Excelsior të Lido-s në Venecie, kur të nesërmen kërkoja vendet e xhirimit të filmit « Vdekje në Venecie » ne muzikën e Mahler… Ajo cohë nate më rishfaqi ato qindra portrete të Mastrojanit : Pasquale-n apo Marion e « Le Notte bianchi », personazhin e famshëm nê « Otto e mezzo » të Fellinit, rolet e tjera me Bolognini, Scola, etj, apo « Gjeneralin e ushtrisë së vdekur » …
Dritëzat lart vazhdonin të ndriçonin dhe mua më dukej se shpirti i tij jetonte dhe ashtu i lehtësuar vazhdova rrugën që zbriste drejt lumit të Seine-s…. Aktorët vdesin gjithashtu, – mendova, poetët gjithashtu, piktorët dhe muzikantët gjithashtu… Kështu kishin vdekur gjithë gjenitë e artit, të skenës dhe muzikës, të trupit e të shpirtit, gjenitë bashkë me muzat e tyre, e megjithatë ndjeva se dritëzat e tyre na ndiqnin në çdo hap në udhët tona duke na treguar sesa e ngazëlluar është jeta në art dhe sa kuptim i jep vetë jetës. Mund të vdesësh dhe njëqind herë e përsëri të jetosh. A nuk kishte vdekur kështu njëqind herë dhe Moisiu ynë i madh me Fedjan e tij dhe të Tolstoit në skenë ?…

L. Rama.

FB_IMG_1500031724625

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *