Dr.Gjilpëra zbulon suksesin e thirrjeve të tij në Facebook!

Pas kthimit në atdhe, vërejta se gjithë njerëzit e çquar nuk lodheshin më të uleshin mbi makina shkrimi apo të dërgonin mendimet e tyre për botim nëpër gazetat e ditës. Ndryshe nga sa ndodh ende në Avropë, në kryeqytet ajka e re intelektuale po formësohej përmes një çpikjeje fort popullore që quhet fejsbuk, fytyrëlibër apo siç kam qejf unë ta quaj falsbuk.
Fillimisht desha t’i qëndroja besnik së vjetrës, pra të ulësha mirë e të kthjelloja mendimin tim në letër, por kjo ish krejt e kotë. Ta them çkoqur nuk më lexonte më asnjë njeri.
Kështu e pashë të udhës të hapja dhe unë një funpage si i thonë në fejs apo falsbuk. Aty pashë ç’fuqi të vërtetë kesha unë, fotot e mia prej mendimtari dhe gjërat që shkruaja dhe kur nuk kisha ndonjë qëllim apo ide të qartë.
Me botën time të hedhur aty, e përbërë nga mendime domosodo të vyera e të thella (edhe kur s’ia kesha haberin fare diçkaje), mësova edhe sesi të bëjë thirrje të gjëra. Mësova tu bëjë thirrje drejtorëve, deputetëve, ministrave e deri kryeministrit dora vet, kreut opozitar e deri ambasadorëve të huaj (më qejf kam atë amerikan). Edhe pse asnjërin s’e kam mik në Falsebuk- thirrjen ua kam bërë dhe askush nuk guxon të thotë që s’kam kontribuar. Dhe kam pritur tu vejë fjala në vesh, se të angazhuarit e tyre, kam mësuar se harxhojnë deri në 20 orë në ditë në këtë platformë, ndërsa gazetat i lexon veç gazetashitësi për të kaluar kohën e lirë.
Kam shkrojtur për çashtje të ndryshme me stil dhe pathos, shpesh dhe me dhimbje dhe fytyra të mërzitura për probleme nga jugu në veri, për gëzime e hidhërime, kritika e vlerësime, këshilla, poezi, letra të hapura dhe letra të mbyllyra. Kam dhënë mend pafund dhe të gjitha këto i kam shoqëruar herë pas here me foto që ilustrojnë më së miri brengën apo shqetësimin e çastit. Të tëra ç’kam mejtuar i kam hedhur aty. Ua kam përplas në fytyrë siç e ka ëmrin dhe faqja, pa pikë mëshire.
Miqtë e mi, të njojtur e anonimë, më kanë respektuar, më kanë bërë lajka, më kanë dërguar vizatime, duar apo dhe fytyra të ngrysura e të qeshura, por ato që më pëlqejnë më shumë janë zemrat, sidomos kur mi nisin zonjusha që kanë alergji nga librat, por që zoti iu ka falur portret prej misi. (Se ju e dini që unë i kam çik dobësi këto miset, po veç kur janë të famshme si ato me të cilat dilja në gazetën e çquar New York Times dikur.
Që mos t’iu shpërqëndroj miqtë e mi. Falë këtyre thirrjeve fama ime është rritur në stratosferë. Tani jam i bombarduar me këto lajkat e zemrat e popullsisë, por qëllon që shpesh më duket vetja si idiot. Më duket se po i bie kot tastierës, se aty në falsbuk ka konkurencë të madhe. Aty bëjnë thirrje edhe këto miset, edhe të paguarit edhe spiunët dhe të angazhuarit dhe të papunët dhe idiotët apo delirantët. Ata doemos më konkurojnë me më shumë lajka dhe zemra apo me komente nga shokët e tyre, të cilët teksa gjerbin kafen disa orëshe nuk ia ndajnë sytë Falsebukut.
Por unë jam i lumtur pasi kam parë sesi gjilpëra ime i ka goditur deri në palcë të gjithë virtualisht, të mëdhenj e të vegjël. Vetëm këto miset më nxjerrin mendimin nga vija herë pas here për shkak të zemrave të pakontrolluara dhe fotografive që i kanë më të bukura nga të miat. Por do t’ua gjej anën dhe këtyre. Duart i kam të fuqishme dhe fjalët gjithmonë me majë të mprehtë. E di që do godas më fort kur të shkruaj pas pak në platformën çudibërëse. Por si mbrëmje që është do gjej diçka prekëse dhe do i nis një thirrje kryeministrit, ndoshta mbi varfërinë apo pikat e shiut që sjellin trishtim. Do i shoqëroj me një fytyrë që nxjerr lot ose diçka tjetër goditëse… Ju ftoj të mos mi kurseni zemrat tuaja, ndaj thirrjes sime.

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjilpëra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *