Dr.Gjilpëra i kërkon Kadaresë takim për një foto

kadareI nderuari shkrimtar i madh i Kopshtit Shkëmbor të Europës Juglindore, Ismail Kadare. Më gëzim e habi të thellë sot mësova se shqiptarët ju duan, ju nderojnë, përvëlohen për ju, e digjen, si qiriri i Naimit, në mos edhe më shumë, si fitil dinamiti.
Prej mëngjesit më kanë zënë sytë urime për datëlindjen tuaj, nga i math e i vogël, duke nisur prej më të lartit, kreut të governës, e deri tek lepe-peqet e tij ministra, punonjësit e zellshëm të administatës që rropaten për ta ndritur këtë vend, a madje deri tek ata që prej jush kanë parë vetëm filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, të tërë pra ju uruan 80-vjetorin.

Edhe ata që nuk ju njihnin, ose ju njohin si ai burri hijerëndë me syze, gugëlluan e gjetën nonjë frazë që e kini shkruar ju, dhe fap, iu bashkuan turmës së udhëhequr nga guverna.
Ç’mrekulli! Pat edhe një palë tjetër, që patën një impenjim më të madh. Kërkuan nëpër arkiva e gjetën resme me ju.

Resme bardhë e zi, e resme me ngjyra, nëpër kafene, a në panair- në varësi ku ju kishte qëlluar tu kapnin për krahu, e të dilnin në resme me ju. Lashë mënt.

Ju paskeni takuar tërë shqiptarët, qenkeni edhe fort natyrë e dashur. Unë kisha parë që ju kryqëzonin, që ju gjykonin, për ç’kini bërë, e ç’nuk kini bërë, madje ju jepnin mënt se si duhej ta kishit bërë. Por sot, pashë se të tërë ju lëvduan sa më ska, për penën tuaj, për talentin tuaj, për madhështinë tuaj- e nga kjo e fundit donin të ngjyenin gishtat që të lëpinin ju e ato që kishin vjellë për ju. Ju, do thoshit e ç’ë pastaj?
Po ç’tju mollois? Më zuri edhe mua sëmundja e turmës dhe dua t’ju kërkoj një takim. Duke ma marrë mendja që nuk kini fort kohë, po ju heq barrën e rëndë të më thoni jo. Po ju kërkoj edhe unë një takim, 2 minutësh: sa për një foto. Se edhe unë, shqiptar jam. Pse të mos e kem një foto me ju? Të dukem edhe unë, se kinse ju kam takuar, e ju dua fort dhe, se takimi ynë konstruktiv është finalizuar me një fotografi.
Deri atëherë, mbetshi mirë!
I juaji, i drejti dhe i pacensuruari Dr.Gjilpëra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *