Doktor Gjilpëra zbulon hatërmbetjen amerikane me Metën

kerry
U ndjeva ligsht këto ditë kur mësova që Sekretari amerikan i shtetit John Kerry nuk do të takojë kreun e kuvendit. U ndjeva ligsht se mbase Kerry nuk e di që ai zotëri, ilir, i lirë, pra Iliri është ai që ka sjellë Berishën e Ramën në pushtet, është ai që i mban ose i heq nga pushteti po të dojë, u ndjeva ligsht se vetëm atë nuk takoi nga tërë këta pushtetarët me a pa pushtet. Në fund të fundit, kur takon tërë këta, pse e la mbas dore atë? Sa për një shtrëngim historik duarsh? Qoftë edhe për të shuar thashë e them-et që llafosen se amerikanët nuk e duan Metën.

Në zemërim e sipër, vajta pyeta miqtë e mi, se pse vajti kështu kjo punë. Ca më thoshin se punët janë të thella, se ai nuk donte reformën në drejtësi, as Byronë e Hetimit, se ai mban peng Ramën, seç më dërdëllisnë korrupsion, jo po blerje votash, jo po paskësh shpërndarë pantallona për zgjedhje e zëra të tjerë që i merrte era më thanë ca punë fort të pista, që nuk mi nxë goja t’ua thom, e mirë bëj. Kjo punë m’u duk fort e fellë dhe mbasi e mejtova mirë, e pashë me vent të pyesnja miqtë e mi në Amerikë, ku Faik Beu më ka lënë kontakte të besueshme.

Pashë ç’pashë u përcolla një telegram urgjent, që të mësoja më shumë për këtë punë. Më erdh përmes një karte ku kishte të shkrojtur SS(SUPER SEKRET) një përgjigje e papritur që nuk po ua këndonj por po ua dëftonj me pak fjalë: amerikanëve ju ka mbetur hatri me Metën, jo për këto që llomotiten lart e poshtë, jo drejtësia, jo korrupsioni, jo tenderat, jo CEZ-i e më the e të thashë. Amerikanëve u ka mbetur hatri me Metën për rakinë e Skraparit!
Ja, edhe unë u habita si ju! Po kjo është e vërteta lakuriqe, ata i kanë kërkuar recetën e rakisë së Skraparit, që kur Meta me ish-ambasadorin Aleksandër Arvizu, e patën provuar atë gjatë një vizite në kanionet e Osumit. Meta atëherë e mor me të qeshur, por prej atëherë e prej ikjes së Arvizusë, rakia e Skraparit i ka dehur marrëdhëniet e Laboratorit Special të Inteligjencës me SHBA-në.

Unë kam shpresa të mëdha, që Familja Mbretërore Shqiptare që e ka farefis John Kerry-n, të ndërhyjë pranë tij për të shuar mërinë amerikane ndaj Metës, i cili tashmë është gati t’u japë recetën, rakinë e vreshtat amerikanëve të Shtëpisë së Bardhë në këmbim të miqësisë vëllazërore!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *