Doktor Gjilpëra tregon përrallën e pashallarëve që duan kala

Sot, kam vendosur tu thom një përrallë. Ajo tregon historinë e një pashai pa kala, pasha i madh që drejtonte gjysmën e një shteti, bënte emërime e shkarkime, u ndryshonte njerëzve jetën e ‘u priste kokat’, i bënte heronj e antiheronj. Ishte i dërguari i besuar i mbretit në ato anë.
Prej kur vdiq, Ali Pashë Tepelena dhe ia çuan kokën në Stamboll duke i lënë në Janinë trupin e të bukurën Vasiliqi, kalanë e kësaj të fundit në Porto Palermo, nuk e ka zaptuar njeri, e as ka mujtur ta shtërë në dorë. Ai oaz i paqtë, që tretet në të tëra ngjyrat e blusë ka mbetur si konaku pa Zot. Mbasi e kish parë që i vogël kur ruante dhentë kodrave përballë në ato anë, Pashai i Jugut, një ditë pati idenë brilante se vetë ai, duhet të merrte përsipër të bëhej zot i kalasë. E kishin pagëzuar pasha dhe prona kish nuk është se nuk kish, por çdo pasha, për të qenë një pasha i vërtetë sipas konceptit oriental të fjalës, duhet të zotërojë edhe një kala, përveç sarajeve e shtëpizave që ka në cepe e qoshe. Kështu, një ditë, ai i tha njeriut tij të besuar: Biri im, ne nuk duhet ta lëmë kalanë të bjerë. Kam vendosur të bëhem zemërgjerë, ndaj do ta marrë në dorë e ta rregulloj, ta bëj siç i ka hije kalanë e Vasiliqisë. Dashuria e pashait të njohur, paraardhësit e idhullit tim, nuk duhet të zhduket pa gjurmë. Ne do marrim përsipër ta mbajmë në këmbë atë folezë dashurie dhe do të sakrifikoj për këtë, sepse unë kam respekt për dashuritë. Mbreti është dakort me idetë e mia. Mbetet vetëm të hartojmë një ferman, nga zyrat e kryqendrës. Për këtë kam folur edhe me të besuarën e mbretit për kalatë dhe ajo mu ul në gjunjë nga falenderimet për mirësinë time, për zemërgjerësinë pa kufi. Ajo ka bërë gati dhe ka firmosur një ferman.
Nëse populli do dalë kundër, biri im, pra nëse populli e kupton ç’kam ndërmend, mund ta shtyjmë pak kohë, por ne duhet te jemi gati për të investuar aty dhe do u themi që një ferman i ri do përmirësojë fermanin e parë. Biri im, pakkush e kupton vizionin tim, se të mëdhenjtë nuk kuptohen në kohën e tyre. Unë kam saraje ngado dhe kjo kala është për mua veçse barrë, por unë mendoj se duhet të bëj diçka që mbetet për popullin. Mbase kjo i bën mirë atyre që nuk më duan, kundërshtarëve të mi. Unë uroj biri im, që ata ta kuptojnë se sytë e mia e zëmra ime nuk shohin gjë tjetër veç interesit të atdheut dhe begatisë së tij.
Përcille këtë tek gjithë oborri dhe ndjekësit tanë, e më pas tek kundërshtarët tanë. Fuqia dhe idetë e mia për begatinë duhen treguar në tërë pashallëkun.

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjilpëra

One comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *