Doktor Gjëlpëra i shkruan Ramës: Vetëm udhëheqësit ulen gju më gju me bujkun

Fort i nderuar kryelartësia juaj zoti Kryeministër!

Unë kam shqyer sytë tek kam parë shkëlqesinë tuaj, shef qeverie të ulur gju më gju me bujkun e me fermerin. Kam shyer sytë, tek ju, kam soditur si iu flisni atyre, aq bukur, veç kam hall a do ju kenë marrë vesh a jo, se ata mund të mos u ketë qëlluar të lexojën Konicën, Kamynë as Satrin, e megjithatë, ju po e iluminoni këtë popull.

Kam shyqer sytë, kur ju kam dëgjuar të flisni për kanale kullimi e vaditjeje, po më është bërë zemra mal kur ju kam parë të inspektoni vetë, kanalet, hauret, vathët, depon e drithrave e të grurit, fshat më fshat e katund më katund, cep më cep, duke folur me shqiptarët e thjeshtë bujq e fermerë, për farën e thekrës e të patates, si mbillet panxhari, ore edhe për plehun ua keni qarë hallnë. Po sa mirë që merrni vesh nga këto punë, o i uruar?! Ju, më kujtoni veten time, një njeri që ka rrojtur e ka gjezdisur kafeshantaneve të Parisit, nuk e di sesi mund të vijë e të flasë për lopët. Aq më shumë që ju jeni mësuar të flisni për artet me gjuhën e së bukurës. Ju kuptoj fort drejtë, se keni lënë si dhe unë botën e qytetëruar për të bërë Shqipërinë dhe për këtë ai popull duhet t’iu jetë mirënjohës. Në fund të fundit, rëndësia ka edhe vetë prania juaj, kur ju mund të merrnit frymë në një qytet parfumesh. Po jeta, mbi të tëra altruizmi, ju shtrengon të lini salltanetet e të jetoni me popullin e për popullin aty, pranë kasolleve e të flisni po e desh puna, edhe për pula, zogj, kosa e bar. Ju po e ktheni fshatin në aleat të qeverisë, që patatja të jetë edhe bukë edhe gjellë. .

Veç rregulloni punët me Perëndinë të mos bjerë shi me gjyma se u iku puna kot fshatarëve të shkretë.

Ju që rregulloni punët me PDIU-në e LSI-në, gjejeni një mënyrë edhe për Perëndinë!

Po me llafoste një miku im nga fshati, se ju shpesh i kujtoni kryetarin e kooperativës në fshanë e tij në kohët e atij që ju shoftë emri (mos e merrni personale se nuk na ka thënë gjë Ilir Gjoni).

Kur ju shoh, në ato kuvende, më shkoni mallnë e filmit “Letër nga Fshati”, ku gratë tundin dhallnë, qengjat e vegjël lozin, çobani i bie fyellit, një shqiponjë fluturon, një fëmijë i vogël vrapon, pëllumba të bardhë lodrojnë në qiej të kaltër dhe ka ca vashëza të bukura perri që mbushnë ujët te çezmat, ndërsa gratë bëjnë qilima.

Më shumë se të tëra, me pëlqejnë ato vendet që gjeni për tu ulur me karrige. Po ku i gjeni ato fusha me lule e me pemë; unë e dinja që s’ka më pemë, mendonja që i kanë prerë fshatarët për dru zjarri.

Të mos flasim pastaj për batutat! Po ju, ore zotëri u keni dhënë dritë atyre njerëzve- sa qeshin ata me ju (ose ju me ata), në tërësi, në fund të fundit, me rëndësi është që ju qeshni së bashku, qeshni me njëri-tjetrin. Ta dini ore aga, se unë qesh më shumë, qesh me të dy palët, e me ju e me ata.

Një mik më tha se këto të qeshura janë të ndikuara nga presioni i lartë atmosferik, erërat fryjnë të lehta dhe sjellin në loge e në kuvende, aromat e çajrave e luleve për të cilat vendi ynë ka qenë që tej e tu shumë i çquar.

Këndova në një gazetë se së fundmi, ju ua keni shpejguar shumë thjeshtë atyre si bëhen punët në qeveri: u kishit thënë se punët bëhen si fëmijët- një e nga një, jo gjashtë përnjëherë.  Po ta llograsimin nga nëntë muaj një punë, u bie ca të rrini kot andej nga qeveria, po nejse, ju e dini më mirë si bëhet ky vend.

Unë ju përgëzoj për ato që bëni, e ato që nuk bëni( një arsye e ka pse nuk i bëni apo jo).

I juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjilpëra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *