Dhoma e Lenny Abrahamson: Një botë brenda katër mureve

dhoma“Dhoma” (Room) është filmi më i ri i regjisorit Lenny Abrahamson, bazuar në ‘bestseller’-in me të njëjtin titull nga Emma Donoghue. Një eksplorim i pakrahasueshëm i lidhjes nënë-bir dhe efekteve shkatërruese të një dhune të tejzgjatur, “Dhoma” është shqetësues dhe sfidues e ndonjëherë thuajse i pamundur për t’u parë. Por, është pikërisht ky tmerr i zymtë ai që e shndërron një nga filmat më të errët të kohëve të fundit, në një akt bukurie magjepsëse.

Një dhomë e vogël e izoluar nga zhurmat në një hangar në kopsht, përbën gjithë universin e pesëvjeçarit Xhek (Jacob Trembley). Ai jeton aty që nga lindja, nën kujdesin mbrojtës të nënës së tij, “Ma” (Brie Larson) – siç thirret në pjesën më të madhe të filmit – e cila krijon histori për ta bindur të birin se jeta e tyre është krejt normale. Se nuk ka asgjë të pazakontë të qëndrosh i mbyllur në pak metra katrorë, ndërsa një i panjohur vjen çdo javë për të sjellë ushqime dhe për të lënduar nënën e tij.

Në nisje të filmit Xhek duket se është përshtatur mjaft mirë në botën magjike që e ëma ka krijuar për të, duke përshëndetur me radhë ato pak mobilje që gjenden në dhomë, pasi për të gjithçka ka një personalitet dhe një emër. Ai është duke jetuar një përrallë dhe kur Ma – e rrëmbyer dhe e mbajtur në izolim që 17 vjeçe – vendos se ai duhet të arratiset dhe i tregon të birit të vërtetën mbi botën e tyre, ai refuzon të pranojë.

Por, në fund Xhek dhe Ma ia dalin të arratisen dhe të bashkohen me prindërit e saj. Ky do të ishte fundi tipik i çdo filmi që trajton një temë rrëmbimi dhe krimesh. Por, është pikërisht ajo çfarë ndodh më pas, thelbi i filmit “Dhoma.” Përballja e parë me botën e vërtetë është e vështirë, madje gati-gati e dhimbshme për Xhek, teksa zgjohet në një dhomë spitali therësisht të bardhë, çka e bën të duket si skenë nga një film fantastiko-shkencor. Për djaloshin pesëvjeçar, gjithçka jashtë dhomës ku kish lindur, përbën një planet tjetër, ndërsa i duhet të përballet me konceptet e reja të realitetit.

Megjithatë, ndonëse i ngadaltë, procesi i përshtatjes për të zhvillohet normalisht pasi – siç thotë edhe psikologu i tij –  ai është ende “plastik,” çka do të thotë se kalimi i tij në botën reale nuk do të jetë tepër i vështirë. Nga ana tjetër, “Ma” nuk është plastike dhe nuk është e aftë të ndihmojë veten në procesin e kalimit, duke ngecur kështu midis botëve.

Përveçse një eksplorim i stresit posttraumatik “Dhoma” është në thelb përballja me botën, rezistenca për të mos e pranuar brutalitetin e saj, për t’i lënë në fund personazhet dhe publikun me mesazhin se në jetë ka tmerre të vërteta, por ti mund të mbijetosh nëse thjesht përpiqesh.  (Përgatiti B.R/ Pasqyre.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *