Dhëndrri kërcen me balerinat “braziliane” në televizion për inat të nuses xheloze

Thonë që nuk ka dashuri të vërtetë pa xhelozi. E tillë ishte edhe historia e Iraidës me Danielin, që erdhi këtë të shtunë në programin “Dua të të bëj të lumtur”. Një histori plot dashuri dhe xhelozi, e cila nisi në bulevardin e Korçës. Një histori dashurie si ajo e këngës së famshme. Djali që qëndron në bulevard dhe i hedh fjalë vajzës që t’i tërheqë vëmëndjen dhe vajza që bën sikur nuk e sheh dhe vazhdon rrugën.

Me kalimin e kohës ata u njohën, u lidhën dhe kjo lidhje përfundoi në martesë. Por Iraida ishte tepër xheloze për Danielin. Ajo i linte shenja në qafë që të dallohej se ishte i dikujt tjetër, i kontrollonte rrjetet sociale dhe i hiqte followers-at, i kërkonte që të mos qëndronte me shoqërinë e tij se ata ngacmonin vajzat e tjera, madje xhelozia e saj arriti deri në atë pikë sa festën e saj të beqarisë e bashkoi me festën e tij vetëm e vetëm që të mos kishte vajza të tjera.

Për këtë arsye e kishte ftuar Danielin, t’i premtonte atij që ajo nuk do të bëhej më xheloze për asgjë. Për të parë nëse ky premtim do të mbahej, Arbana e vuri Iraidën në disa prova duke i vënë në dukje së në fakt ishte Danieli ai që duhej të bëhej xheloz për Iraidën me 29 mijë ndjekës dhe jo ajo për të, sepse djali kishte vetëm 600 të tillë.

Prova më e madhe që i bëri Arbana ishte organizmi i një feste beqarie ku morën pjesë dy shokët e tij dhe balerinat të cilat të veshura si braziliane kërcyen rreth Danielit duke e vendosur atë në qendër të vëmëndjes. E gjithë kjo gjë ishte vetëm e vetëm për të parë nëse Iraida do të mbante premtimin e bërë më përpara, provë ajo të cilën e kaloi me sukses.

Qershia mbi tortë e kësaj feste beqarie ishte vetë Luana Vjollca, të cilën Danieli e pëlqen shumë. Ajo nuk ishte e pranishme fizikisht, por fotoja e saj ndodhej mbi tortën në festën e beqarisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *