Dashuri, magji dhe teknologji në “Korrespondencën” e Giuseppe Tornatores

received_10154022630792044Një histori dashurie që thyen kufijtë e hapësirës dhe kohës, e cila si një yll, shkëlqen edhe kur nuk është më, është në qendër të filmit më të ri të Giuseppe Tornatores “Korrespondenca” që shfaqet sot në Itali shkruan “Cineuropa”.
Olga Kurylenko dhe Jeremy Irons luajnë rolet e Amy dhe Edi, një studente e astrofizikës dhe profesorin e saj të shkëlqyer. Në skenën hapëse të filmit, ne i shohim ata të përqafuar me pasion, të dashuruar dhe të pandashëm. Është pika e parë dhe e fundit në film ku ne i shohim ata së bashku. Marrëdhënia e tyre e gjatë në distancë është mbajtur gjallë me mesazhe, e-maile dhe telefonata me video, ndërsa telefonat tringëllinin nga njoftimet tërë kohës. Një ditë Edi zhduket në mënyrë misterioze, por mesazhet e tij plot dashuri vijojnë të vijnë. Përse? Çfarë duhet të bëjë Amy? Duhet të përgjigjet apo jo? Kështu fillon kërkimi i saj për një të vërtetë të ndërtuar me teknologji dhe magji.
“Ëndrra e përjetshme e njeriut është të zgjerojë udhëtimin e tij ekzistenciale”, tha regjisori Tornatore pardje, kur filmi i tij u shfaq në Romë, “dhe duket se teknologjia mund të na ndihmojë shumë në këtë”, shtoi ai. Regjisori i filmit “Malene” dhe fitues i “Academy Award” për “Nuovo Cinema Paradiso”, shtoi se zhvillimet teknologjike, sjellin përparësi të mëdha, por me to, ne sërish humbim diçka. Muzika e filmit është e Enio Morricones, i cili sapo ka fituar “Golden globe” me “Hateful eight”. ( Pasqyre.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *