Dashnori i celuloidit Setboun

Nga Luan Rama

Takimi me Michel Setboun është gjithnjë i këndshëm. Ky fotograf i njohur tashmë, me një trup atleti dhe një mirësi që spikat në portretin e tij të qeshur, ky njeri që ka rrahur gjithë botën, nga Uzbekistani, Mongolia, Afganistani, Jemeni, Hong-Kongu, e më pas Mauritaninë, Izraelin, Qipron, Brazilin e dhjetra vënde të tjera të botës, etj, kur flet për Shqipërinë ka një lloj ngazëllimi. Duket se Shqipëria është bërë pjesë e jetës së tij, jo pse ai e ka vizituar Shqipërinë me dhjetra e dhjetra herë dhe njeh pothuaj çdo pëllëmbë të sajpor sepse më shumë se kushdo fotograf tjetër në botë ai ka depërtuar thellë në jetën dhe historinë e shqiptarëve, jo thjesht si imazh, por në një lidhje shpirtërore që ndihet në çdo shkrepje të aparatit të tij,në ngjarje e fate njerëzore, shpesh dramatike, nga kampet e punës dhe jgurmët e mbetura të Spaçit, në pikëtakimin me njerëz të thjeshtë, me plagë të mpiksura apo njerëz historikë siç ishte për të dhe fotografimi i Nënë Terezës në Shqipëri. Ai nuk rend pas sensacionit, të bëjë « scoop » apo të dëshmojë histori banale që jo rrallë i shohim në mediat e huaja për Shqipërinë. Vizioni i tij është humanist, konstruktiv dhe që sheh drejt të ardhmes së këtij populli. Në mijra e mijra fotografi të jetës dhe historisë moderne shqiptare, që nga viti 1981 e gjer më sot, arkivi i tij përbën padyshim një vlerë më vete të historisë shqiptare, një kontrast e evolucion ku spikat portreti njerëzor.
Historia e këtij fotografi francez me origjinë hebre, është e çuditshme, pasi ai kishte studiuar për arkitekturë dhe ëndërronte të bënte diçka për urbanistikën, ndërkohë që pas diplomës në vitin 1976, pasioni e çoi drejt një udhe të re : ai rrëmbeu aparatin fotografik dhe shkoi të fiksonte imazhet e lëvizjes për pavarësi në Angola. Fotografia do të bëhej pasioni i madh i jetës së tij. Nga Angola ai shkoi në Iranin e trazuar, ku botoi dhe një nga librat e parë fotografikë mbi Revolucionin Islamik. Pastaj udha e çoi drejt Afganistanit, në malet e Peshavaharit, duke përvijuar më vonë në frontin e luftës irano-irakiane, në llogoret e luftës civile të Libanit, në Poloni e më pas në Shqipëri në vitin 1981. « Më intrigonte gjithnjë ky vënd i izoluar, totalitar, ku ishte tepër e vështirë të depërtoje. Por përmes Shoqatës së Miqësisë Francë Shqipëri, në kohen kur punoja për agjencinë SIPA, unë munda të kapërcej kufirin shqiptar ». Të hyje atëhere në Shqipërinë e Enver Hoxhës nuk ishte gjë e lehtë, dhe hapat e « Sigurimi » ky fotograf do t’i ndjente vite me radhë. Më 1982, pra një vit më vonë, në Salvador, Setbun do të plagoset, por përsëri, ky njeri kurajoz nuk do të nguronte të shkonte në vëndet më të rrezikëshme të botës. Fotografia e grishte gjithnjë të fotografonte botën e trazyar, botën në klithje, në shtërzim dhe të revoltuar. Në vitin 1984 u vlerësua me çmimin e Parë të World Press për fotografinë.
Mishel Setbunin e kam njohur në Tiranë në vitin 1989 apo 1990. Më kishte bërë përshtypje një reportazh i tij për Shqipërinë, ku një nga fotografitë tregonte një fshatar që bënte banjo dielli, diku nga plazhi e Golemit rrëzë një bunkeri. Një fotografi domethënëse në atë kohë për sytë e një të huaji, kjo bashkëjetesë e bunkerit me një njeri krejt indiferent ndaj tij. Fotografitë e tij atë kohë botoheshin në shumë revista evropiane e amerikane, pasi ai ishte nga të rrallët fotografë që do ta shoqëronte tranzicionit dhe shëmbjen e diktaturës në Shqipëri, nga « hapjet » e para dhe refugjatët, në emigrantët që iknin në portin e Durrësit duke i u ngjitur me litarë anijeve e gjer në ditët e shëmbjes së shatores së Enver Hoxhës. Por Setbuni do të vinte përsëri në Shqipëri për të fiksuar në objektivin e tij botën shqiptare që filloi të lëvizte drejt ardhmërisë. Ai do të njihte si hallet dhe dertet, si deliret dhe kaosin shqiptar ashtu dhe vlerat dhe bukuritë e këtij vendi. Një dëshmi dhe eksperiencë e pasur të cilën ai po e përgatit në një libër që do ta botojë së shpejti në shtëpinë botuese franceze « Martinière ».
Kur njihesh me jetën dhe pikëtakimin e tij me Willy Ronis, një nga gjigandët e fotografisë botërore, i cili e kishte fotografuar Shqipërinë në vitin 1937, ky pikëtakim duket simbolik. Por nëse Willy Ronis e shkeli Shqipërinë vetëm një herë, Mishel Setbuni do ta bënte këtë vënd një pjesë të jetës dhe krijimtarisë së tij. Para pak kohësh ai e vizitoi përsëri Shqipërinë. Kësaj radhe me ish gazetarin e gaztës franceze Liberation dhe tashmë «Grand reporter», Jacques Maigne, për një reportazh për revistën e njohur evropiane « GEO ». «U nisëm me një tjetër ide, – më thotë duke qeshur Misheli, por menduam pastaj se duhej një tjetër imazh për Shqipërinë ». Ata i ranë kryq e tërthor Shqipërisë, nga Sarada në Vermosh, nga Permeti në Korçë, duke kaluar nga Berati, Durrësi dhe fshatrat përreth. Fotografitë e ndërtesave të lyera me bojra shumëngjyrëshe, Mishel Setbun i quan një « terapi kromatike ». « Mjaft interesante, apo jo ! »- entusiazmohet ai. Titulli i reportazhit të Jacques Maigne në këtë revistë është domethënës « Një vend që nuk kërkon veçse ta duam » dhe më poshtë në nëntitull që kërkon ta përforcojë këtë ide, dhe ku shkruhet:  «Nga Tirana, një kryeqytet në transformim të plotë, te fshatrat prej guri ku koha ka ndaluar: takim me një vend që ka mungesë dashurie ». Përse vallë kjo mungesë dashurie ? Vallë pse shqiptari kërkon të shembë kufijtë e fundit që e ndajnë me Evropën e bashkuar, apo pse ai ndjen një lloj indiference apo mos-njohje ?…Dhe me të drejtë gazetari Maigne në këtë reportazh shkruan: « Rrugët e Tiranës ziejnë dhe turma euforike ngjan me simotrat e saj në Romë, Selanik, Marsejë apo Barcelonë. Vendi më i varfër, më i brishti, më i trondituri dhe më i nëpërkëmburi i kontinentit ka vetëm një obsesion: integrimin në Evropë, shpejt dhe me çdo kusht!» Në këtë reportazh dhe fotografitë që e shoqërojnë, Shqipëria na shfaqet ndryshe, larg klisheve të dëmshme, të mërzitëshme dhe irrituese të banditizmit, klandestinëve, kallaçnikovëve, krimit dhe prostitutave». Jo pse krimi nuk ekziston, si në çdo vend tjetër të botës, por sepse shqiptari, kjo tokë, kjo botë njerëzre ka dhe gëzim, ngjiz punë e dashuri, virtute, histori e kulturë, si një nga popujt më tëvjetër europianë. Ja pse atyre do tu tingëllojnë patetike por të verteta, fjalët e poetit Hatibi, i cili në Tiranë u thotë: «Ne kemi kaluar nga akullnaja në kaos, nga komunizmi në hiç. Po, plaga ime është Shqipëria, unë jam i çmëndur pas gjuhës së vëndit tim, i çmëndur për bukuritë, misteret dhe njerëzit e tij A arrini ta kuptoni këtë?…
Po, sytë e fotografit Setbun dhe gazetarit Maigne e shohin ndryshe Shqipërinë, pasi në itineraret e tyre shqiptare ata gjetën një popull që kishte dëshirën e ndërtimit, të emancipimit, të integrimit, të paqes. Ja pse që në fillim të reportazhit të tyre «Shqipëria mesdhetarja», shkruhet: «Ajo ishte e izoluar ndaj të huajve gjatë pothuaj një gjysëm shekulli dhe ne kemi harruar se me 427 km bregdet që ajo ka, Shqipëria është një nga vëndet më të bukura të Mesdheut. Shqipëria duhet zbuluar para se ky vënd të bëhet një vënd turistik «à la mode». Një thirrje publikut të huaj për ta parë ndryshe Shqipërinë. Fotografitë e Mishel Setbun e dëshmojnë këtë.
Duke biseduar me Setbunin në një kafe korsikane pranë Panteonit në Paris, është e dukëshme që klishetë e mediave perëndimorëve duhet të ndryshojnë, është e nevojshme dhënia e një vizioni të ri të Shqipërisë. Por mjerisht jo rrallë, kohët e fundit, me bllokazhet e rrgëve dhe cënimin e pavarësisë së institucioneve, me sjelljet intolerante të pushtetit dhe cënimin e demokracisë, remineshencat e një «demokrature» të mundshme, pra të një vëndi «gjysmë demokraci dhe gjysëm diktaturë», siç po kërkon të bëjë «njëshi» shqiptar Berisha, është frikë se imazhet e bukura mund të mbulohen shpejt nga një mjergull e errët… Dhe përsëri duhet pritur kohë për të rifilluar sërrish si të ishim stërnipër të Sizifit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *