Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vendi jo, Abraham Linkoln Presidenti i 16 – i SHBA

Abraham-LincolnNga Albana Lifschin
Sipas historianëve Abraham Linkolni është konsideruar gjithmonë si një nga presidentët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara krahas me Xhorxh Uashingtonin. Kjo për arsye se Abraham Linkolni luftoi për ruajtjen e unitetit të vëndit në kohën më kritike, gjatë luftës civile. Pothuaj 150 vjet kanë kaluar që nga mbarimi i asaj lufte, ku vëllai luftonte kundër vëllait dhe reputacioni i Abraham Linkolnit nuk është zbehur aspak. Në kohën e tij ai ishte i dashur për shumë njerëz, të cilët i ngjitën atij nofkën” Ejbi i ndershëm,” apo “Baba Abraham,” ashtu sikurse kundërshtarët e tij e urryen dhe e quajtën “tiran.”

Abraham Linkolni vinte nga një familje e varfër. Ai u lind në Kenttucky (Kentaki) në 12 Shkurt të vitit 1809, në një kabinë druri me madhësinë e një dhome. I ati Tomas Linkoln ishte marangoz. E ëma i vdiq kur djali ishte 9 vjeç  dhe e njerka, një grua e mirë, u kujdes për shkollimin e Abrahamit. Atë kohë familja ishte shpërngulur në Indiana. Ai ishte i dhënë pas leximit dhe për të marrë një libër hua bënte kilometra të tëra në këmbë. Meqënëse familja Linkoln nuk begatoi, ata u transferuan në Ilinoi. Atë kohë Abrahami ishte 21 vjeç dhe kishte filluar të hynte në jetën shoqerore e në debatet e kohës. Ai kishte forcë argumentuese. Me 1833 ai filloi të punonte si postjer në Nju Salem. Ai u bë i njohur në të gjithë zonën dhe një vit me vonë vuri kandidaturën për në dhomën e përfaqësusve të shtetit të tij. Fitorja në zgjedhje hapi rrugën e karrierës për Abraham Linkolnin e ri. Ai mbaroi studimet për drejtësi dhe në 1846 u zgjodh anëtar i Kongresit amerikan.

Kur çështja e skllavërisë u bë çështja më e rëndësishme e ditës, Abraham Linkolni u bashkua me partinë e re  republikane të porsa formuar (1856) që ishte kundër skllavërisë. Në fillim të vitit 1860, në mbledhje e konferenca Abraham Linkolni mbronte pikëpamjen e mosndërhyrjes së shtetit federal aty ku skllavëria egzistonte, por nga ana tjetër kundërshtonte perhapjen e skllavërisë në shtetet që po lindin në territoret e reja amerikane. Fjalimet e tij e bindën popullin që ai ishte njeriu më i përshtatshëm për kandidat për president në Shtëpinë e Bardhë.

Pas zgjedhjes së tij si president, Karolina e jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet me vete.

Në fjalën e tij të inagurimit, me një ton të butë, presidenti i ri tha se nuk do të ndërhynte në çështjen e skllavërisë, por  bëri të qartë se” Unioni(SHBA) është i pandashëm”.  Për Linkolnin shkëputja nga Shtetet e Bashkuara ishte një refuzim i demokracisë.

Ai tha midis të tjerash se “Burri dhe gruaja mund të ndahen, por  vëndi jo.” Mesazhi ishte i qartë.

Njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta

Lufta civile filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet. Gjatë kësaj kohe presidenti përballoi vështirësi të shumta edhe brënda kabinetit të tij,  madje pësoi edhe fatkeqësi familjare. Djali i tij 11 vjeçar, Uilli, vdiq në Shtëpinë e Bardhë dhe gruaja e tij gati u çmend nga dëshpërimi. Megjithë këtë fatkeqësi të madhe familjare, Abraham Linkolni qëndroi si një shtyllë e fortë për kombin.

Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi.

Kthesa vendimtare e luftës u bë me betejën e Getisbërgut, qytet i vogël i Pensilvanisë, në korrik të atij viti. Qe një betejë e vështirë me humbje të mëdha.

Në 19 Nëntor 1863, presidenti Linkoln mbajti fjalimin e famshëm që ka hyrë në historinë amerikane si fjalimi i Getisbërgut. Ai ishte  shume i shkurter, por përmblidhte në vetvete esencën se përse ishte bërë lufta dhe përfundonte me fjalët se “gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vënd, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë; dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”

Fitorja e luftës erdhi me dorëzimin e gjeneralit Robert Lee në 9 Prill 1865.Lufta civile i kushtoi vendit 600 000 viktima.

Megjithëse zhdukja e skllavërisë erdhi si rezultat i luftës, lufta që bërë për të ruajtur bashkimin kombëtar. Fitorja e luftës konsolidoi idenë se vendi ishte i pandashëm.

Vëndi gëzonte dhe presidenti Linkoln po përgatitej për të festuar rikthimin e shteteve të jugut në Union. Pikërisht atëherë ndodhi e papritura.

Më 14 prill kur Presidenti me të shoqen shkuan në teatrin Ford, në Washington D.C., për të parë një shfaqje, një ekstremist proskllavërisë, i quajtur Xhon Buth (John Wilkes Booth) qëlloi me armë në drejtim të presidentit.I goditur në kokë, presidenti Linkoln vdiq ditën tjetër, në moshën 56 vjeçare.

 Kuriozitet 

Endërra e vdekjes

Abraham Linkolni ishte i pari presidenti i SHBA që vdiq nga atentati.Thuhet se presidenti Linkoln kishte parë një ëndërr që paralajmëronte e vdekjen e tij. Këtë ëndër ai ia pat rrëfyer edhe të shoqes. Kishte parë veten e tij duke u endur në Shtëpinë e Bardhë në mes të një heshtje ndjellakeqe. Në një nga dhomat papritur pa një katafalg dhe njerëz përreth që qanin dhe ushtarë në drejtqëndrim.

Ai kishte pyetur: “Kush ka vdekur në Shtëpinë e Bardhë?

Përgjigja kishte qenë: “Presidenti.”

Pas kësaj ëndrre Abraham Linkolni nuk kishte mundur të flinte më.

(Marre me shkurtime nga libri “Udhetim ne historine  e Amerikes”, bot. 2003, 2006 dhe  2010( ne Prishtine).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *